Jona Muça, stilistja e njohur e modës shqiptare vjen në një intervistë për revistën Shqip. Momente nga puna e saj e përditshme, si e ka ngritur këtë biznes mode, influenca e përvojës perëndimore, veshja e vipave, si dhe mbështetja e veçantë që i jep bashkëshorti, Agroni.

Mbi të gjitha sekreti që e ka bërë të lumtur në modën që ajo krijon

 

Ka vite të tëra që realizon veshje dhe stilime për klientët e saj, mes të cilëve do të dalloheshin njerëzit e ekranit, të festivaleve apo këngëtarët më në zë të skenës shqiptare, por nuk do të veçoheshin absolutisht edhe njerëzit e thjeshtë të cilët nuk kanë lidhje me jetën në skenë.

Ajo është Jona Muça. Stilistja e famshme tashmë, ku emri i së cilës dëgjohet vazhdimisht në eventet e ndryshme spektakolare. Kanë qenë krijimet e saj të bukura e të veçanta, të cilat të stiluara me shumë klas dhe rafinim janë dalluar gjithmonë për prerjen, stilin dhe elegancën e tyre.

Në industrinë e modës Jona ka arritur gjithmonë të ketë sukses, edhe pse bëhet fjalë për një art të vështirë. E nëse do të flisnim për kushtet në Shqipëri, arti i modës do të bëhej akoma më i vështirë. Megjithatë ajo ia dalë mbanë.

Falë përvojës shumëvjeçare në perëndim ajo ka ditur “të vjedhë” idetë e larmishme të stilit europian, modës klasike italiane e të krijojë suksesin personal duke u rritur dita ditës profesionalisht.

 

Intervista 

Kur lindi dëshira juaj për të stiluar, dhe si ka lindur ajo?

Siç e kam përmendur edhe herë tjetër, pasioni për modën nisi në një moshë shumë të herët, pasi ky profesion i përkiste gjithashtu edhe mamasë sime.

Industria e modës është një biznes i vështirë,  ju si ja keni dalë? Cili është sekreti juaj?

Të arrish të bësh modë në një vend të vogël si Shqipëria nuk ka qenë aspak e lehtë, por ndër vite, hap pas hapi, dëshira për të përcjellë idetë e mia, e ka kthyer vështirësinë në një sfidë, ku çdo ide e re konkretizohej dhe përqafohej nga klientët.

Sekreti i vetëm është të kesh ide të qarta dhe mbi të gjitha shumë pasion për atë çka je duke bërë.

Çfarë ju ka influencuar më tepër në biznesin tuaj?

Përvoja shumëvjeçare në Perëndim, e sidomos në Itali, padyshim ka patur një ndikim të fortë në formimin tim profesional.

Pse keni zgjedhur të vishni vipat? Pse keni vendosur të merreni me ta në mënyrë të veçantë?

Bashkëpunimi me personazhet e artit dhe ekranit ka lindur në mënyrë spontane, pasi kanë qenë vetë personazhet të cilët vazhdojnë të zgjedhin krijimet e mia  në aktivitetet e ndryshme që organizohen. Si për shembull bashkëpunimi i fundit në muajin gusht për kopertinën e revistës suaj me Eneda Tarifën.

Nga ndryshon puna me vipat dhe ajo me njerëzit e thjeshtë? Cila është më e vështirë?

Për sa i përket klientëve të tjerë, stili im gjen më shumë hapësirë te femra në karrierë, pasi eleganca është ajo çka dua të përcjell nëpërmjet veshjeve të mia. Kur një punë bëhet me pasion, vështirësia anashkalohet pa u kuptuar. Klienti nuk gjen diferencim në atelienë time.

Cilët janë disa nga emrat që vishni në mënyrë të vazhdueshme le të themi?

Bashkëpunimet me personazhet e ekranit janë vërtet të shumëllojshme dhe emrat janë të shumtë, por ato lindin gjithmonë në varësi të aktiviteteve të tyre, siç mund të jetë një kopertinë, një festival, një eveniment, videoklip etj.

Cilët janë disa nga ata që nuk ju kanë “braktisur” kurrë?

Klientët e mi janë gjithmonë në rritje, kjo më jep besim në punën që bëj. Fjalën braktisje nuk e njoh përkundrazi jam ndier gjithmonë e vlerësuar.

Si e shihni karrierën tuaj në të ardhmen? Projektet që keni?

Projektet janë gjithmonë të shumta, kjo të jep stimul dhe energji pozitive për të vazhduar me ide përherë të reja. Objektivi im i radhës që besoj të konkretizohet sa më parë, është hapja e një Boutique që mban emrin e firmës time “Jona Muça”.

Po tani me çfarë po merreni?

Edhe pse isha në periudhë  pushimesh, idetë dhe propozimet nuk kanë munguar. Projekti i radhës është planifikuar në fund të muajt tetor.

Sa është pagesa minimale që paguan një vip për t’u veshur te ju, po ajo maksimale?

Kënaqësia më e madhe është kur klienti ndihet i vlerësuar dhe del i kënaqur nga atelia ime, ndërkohë pagesa është diçka relative, ku ndikojnë shumë faktorë siç është materiali dhe vështirësia e modelit të zgjedhur.

Zakonisht çfarë preferojnë klientët tuaj, qofshin ata njerëz të thjeshtë apo vipa? Veshje klasike, moderne apo ekstravagante?

Klientët që zgjedhin atelienë time kanë ide të qarta dhe e dinë se stili im, nuk mund të quhet klasik apo ekstravagant, por është një ndërthurje ndërmjet elegancës dhe detajeve bashkëkohore. Krijimet e mia nuk janë të kufizuara, pasi ndërtoj veshje si për evenimente ashtu edhe për jetën e përditshme.

Sa ju ndihmon bashkëshorti juaj në mbarëvajtjen e biznesit tuaj tashmë? Me çfarë merret ai?

Personi më i rëndësishëm në mbarëvajtjen e biznesit tim është pikërisht bahkëshorti im, pasi ai jo vetëm ndan me mua pasionin për modën, profesionin pra, por gjithashtu merret me anën organizative të gjërave, menaxhimin dhe zgjedhjen e aktiviteteve të ndryshme ku unë jam pjesëmarrëse. Pjesëmarrja e tij në biznesin tim është shumë e rëndësishme pasi pa të nuk do t’ia kisha dalë kaq mirë.

Si është të punosh me të? A është ai kritikues apo këshillues i punës suaj?

Ne jemi një grup pune prej më shumë se 25 vitesh, ndaj them se ky fakt i rëndësishëm ka ndikuar pozitivisht, pasi sugjerimet dhe përplasjet e ideve na kane rritur profesionalisht.

Po fëmijët, djali Arjoni dhe vajza Frensi, sa janë të përfshirë në modën që ju prezantoni? A japin ide ata?

Shkëmbimi i ideve ka qenë i vazhdueshëm, pasi të dy fëmijët janë ndjere pjesë e punës sonë, dhe idetë dhe sugjerimet e tyre, ndoshta më të guximshme për vetë moshën që ata kanë, kanë gjetur mbështetje në krijimtarinë  time. Frensi dhe Arjoni kane paraqitur shpeshherë skicat dhe idetë e tyre, që unë i kam realizuar me kënaqesi në sfilatat që kam organizuar, dhe dua të them që kane pasur përherë sukses. Edhe pse degët që ata kanë zgjedhur nuk kanë lidhje me modën, pasioni mbetet i gjallë edhe tek ata.

Cilat janë disa nga tendencat e verës, meqë thuhet se do të kemi ende ditë të ngrohta, ndoshta ngjyrat apo modelet që do t’i sugjeronit lexuesve, femrave dhe meshkujve?

Tendenca më e pëlqyer këtë verë ka qenë stili “totally white”, pra veshje të bardha, romantike me aplikacione trantellë, në materiale të buta, që përveç se zbusin ndjesinë e vapës, gjithashtu japin një pamje moderne dhe femërore.

Kush është ikona juaj e stilimit që ju frymëzon në krijimet që realizoni?

Ikonat që më sjellin frymëzim janë të shumta, por në veçanti do të dalloja Sophia Loren, pasi edhe me kalimin e moshës, nuk e ka humbur kurrë klasin dhe elegancën që e ka karakterizuar që në fillimet e karrierës së saj.

Çfarë duhet të ketë një grua patjetër në gardërobën e saj, çfarë do t’i sugjeronit ju?

Ngjyra e zezë, sidomos në formën e fustanit bust, është një veshje që s’duhet të mungojë në gardërobën e çdo femre, pasi mbetet gjithnjë në modë dhe përveçse të jep një pamje më elegante në trup, evidenton format më të bukura që çdo femër ka. Gjithashtu do të veçoja edhe këmishën e bardhë, pasi është e lehtë për t’u kombinuar, në varësi të aksesorëve të zgjedhura, mund të krijohet një stil gjithmonë ndryshe, dhe i përshtatet çdo ore të ditës.

Cila është sfida më e bukur që keni pasur teksa stiloni veshjen e një personi?

Në krijmet e mia ndihem gjithmonë në sfidë të vazhdueshme, por kur këto krijime do të paraqiten përpara një publiku të gjerë, siç janë festivalet e ndryshme, detyrimisht përgjegjësia është më e madhe.

Një rast i tillë ka qenë veshja e Juliana Pashës në Festivalin Europian, ku aty nuk përfaqësoja veç Jona Muçën, por Shqipërinë, dhe besoj se ja kemi dalë mbanë.

Së fundmi ju si Jona Muça çfarë do t’i këshillonit vajzave ose grave që do donin të fillonin biznesin e tyre në modë?

Në radhë të parë do ju këshilloja që ta dashuronin këtë fushë, pasi kjo do t’i sjelllë atyre gjithmonë ide të reja dhe dëshirë për të ecur sa më lart profesionalisht. Vetëm duke investuar në aspektin profesional do të mund të marrin frutet e punës në mënyrë të natyrshme.

Ishte kënaqësi t’ju merrja në intervistë dhe të ndanit për revistën Shqip disa nga idetë tuaja.

Faleminderit për ftesën. Ishte një kënaqësi bashkëbisedimi me revistën tuaj!