Ky artikull synon të nxisë diskutimet mbi faktin nëse kjo “ide futuriste” e monedhës dixhitale, e vendosur edhe në kontekstin shqiptar, mund dhe duhet të qaset si një e mirë publike e emetuar, e mbrojtur dhe e rregulluar nga banka qendrore, por pa synuar të shterojë analizën dhe të arrijë në një konkluzion specifik për një çështje kaq komplekse si monedha dixhitale

 

Nga Anjeza Beja dhe Elivar Golemi*

Ndërsa bota po përballet me krizën pandemike më të ashpër të shekullit të fundit, jo pak herë jemi hasur me publikime mbi faktin se virusi Covid-19 mund të transmetohet edhe nëpërmjet monedhave dhe kartëmonedhave. Kjo ka bërë që disa shtete të inkurajojnë përdorimin e instrumenteve elektronike të pagesave, mundësisht pa kontakt (contactless).

Në muajt e fundit janë shtuar publikimet mbi mundësinë e emetimit të monedhave dixhitale nga bankat qendrore, një temë që duket se ka tërhequr vëmendjen e publikut gjatë vitit 2020, duke tejkaluar numrin e kërkimeve në internet për çështje të tilla si Bitcoin apo Libra e Facebook. Gjithsesi, për shumicën e lexuesve mbetet ende abstrakt fakti se ky fluks informacioni mund të krijojë një mundësi reale në të ardhmen për shndërrimin e monedhës tradicionale në një formë dixhitale të saj.

Në vijim, ky artikull synon të nxisë diskutimet mbi faktin nëse kjo “ide futuriste” e monedhës dixhitale, e vendosur edhe në kontekstin shqiptar, mund dhe duhet të qaset si një e mirë publike e emetuar, e mbrojtur dhe e rregulluar nga banka qendrore, por pa synuar të shterojë analizën dhe të arrijë në një konkluzion specifik për një çështje kaq komplekse si monedha dixhitale.

 

Bankat qendrore, si autoritete monetare, janë konsideruar gjithmonë si institucione të hekurta, vendimet e të cilave kanë një peshë të konsiderueshme në ekonominë e një vendi. Funksionet e bankës qendrore, përveç adresimit të nevojave të vendit, janë përshtatur si përgjigje ndaj krizave globale ekonomike, gjeopolitike dhe financiare. Si rrjedhojë, kjo ka sjellë edhe momente luhatjeje të besimit mbi politikat dhe pavarësinë e këtij institucioni, sa mistik aq edhe udhërrëfyes për ekonominë dhe financat e një vendi.

Objektivat e bankës qendrore orientohen në dy drejtime kryesore: ruajtja e stabilitetit monetar dhe ruajtja e stabilitetit financiar. Për t’i shpjeguar shkurtimisht, funksioni i stabilitetit monetar synon hartimin e politikave që garantojnë stabilitetin e çmimeve në ekonomi dhe mbajtjen e inflacionit nën kontroll. Ndërsa, stabiliteti financiar nënkupton vlerësimin dhe kufizimin e rrezikut që sistemi financiar në tërësi të humbasë, pjesërisht ose plotësisht, aftësinë e tij për të ofruar shërbimet financiare, duke ndikuar negativisht në veprimtarinë e agjentëve ekonomikë.

 

Parimi i besimit. Secili prej nesh, që në përditshmëri mban në kuletën e tij paranë fizike të emetuar nga banka qendrore, në njëfarë mënyre ka bërë një kontratë me këtë institucion, kontratë që bazohet tek besimi se kartëmonedha, deri në fund të jetës së saj, ruan mbi vete vlerën që i ka caktuar banka. I gjithë sistemi bankar është i ndërtuar mbi marrëdhënien e besimit midis autoritetit të bankës dhe publikut. Por, a po u sfidohet bankave qendrore sot monopoli i printimit të parasë dhe njëkohësisht monopoli i besimit?

Përgjigjja është po! Luhatja e besimit erdhi menjëherë pas krizës financiare të vitit 2008, kur bankat qendrore më të mëdha në botë u gjendën mes vorbullës së krijuar nga kriza, nën presionin dhe kërkesën urgjente të tregut për të rivendosur stabilitetin financiar. Kryesisht në dekadën e fundit, bankat qendrore si ajo e Japonisë, Rezerva Federale në SHBA, Banka Qendrore Europiane etj. kanë eksperimentuar injektimin e likuiditetit në ekonomi, në vlera shumë të mëdha, si pjesë e programeve të lehtësimit sasior.

Shumë banka të tjera qendrore ndërmorën politika të ngjashme të lehtësimit sasior gjatë vitit 2020, me qëllim rimëkëmbjen e ekonomisë nga kriza pandemike. Rrjedhimisht, objektivi i ruajtjes së stabilitetit në tregjet financiare ka marrë prioritet mbi objektivin e stabilitetit monetar gjatë kësaj periudhe, duke i vendosur bankat qendrore në territore të paeksploruara më parë në historinë e bankingut modern.

 

Baza monetare. Paratë në qarkullim, së bashku me llogaritë rezervë të bankës qendrore, përfaqësojnë bazën monetare të një vendi. Për rritjen e likuiditetit, veçanërisht pas krizës financiare, bankat qendrore janë bazuar jo vetëm tek emetimi dhe hedhja në qarkullim e parasë fizike (siç është funksioni i tyre primar), por kryesisht te rritja e llogarive rezervë të bankave, nëpërmjet përdorimit të instrumentit të blerjes së borxheve të qeverisë, në treg sekondar, kundrejt transferimit të mjeteve likuide në llogaritë e subjekteve përfituese.

Injektimi i likuiditetit në ekonomi (rritje e bazës monetare), nëpërmjet rritjes së detyrimeve dhe llogarive rezervë pranë bankës qendrore realizohet nëpërmjet përdorimit të sistemeve financiare dhe transfertave elektronike midis institucioneve dhe reflektohet në bilancet e bankave qendrore. Kjo nënkupton se tregjet financiare janë përshtatur prej kohësh me formën elektronike të krijimit dhe transferimit të bazës monetare. Madje, kryerja e një pagese në formë elektronike nuk përbën risi as për publikun e gjerë, i cili prej vitesh është nxitur drejt përdorimit të formave alternative të cash-it.

 

Monedha dixhitale. Vitet e fundit kemi hyrë në një epokë të re, ku përdorimi i parasë cash ose i parasë së prekshme, po sfidohet nga emetimi i monedhave dixhitale, një koncept krejt i ndryshëm nga përdorimi i transfertave elektronike apo paraja elektronike, si mjet pagese. Inovacionet e ndryshme në shërbimet FinTech (financat alternative bazuar në teknologji) i kanë nxitur bankat qendrore në botë të hulumtojnë mbi efektet e emetimit të monedhës në formë dixhitale, një fenomen që tregu privat e ka bërë tashmë realitet, nëpërmjet emetimit të kriptomonedhave si Bitcoin, Ethereum etj..

Qëllimi i përbashkët mes bankave qendrore duket të jetë reduktimi i përdorimit të parasë cash dhe përdorimi i teknologjisë si një eksternalitet pozitiv për publikun, me qëllim uljen e kostos dhe kohës së kryerjes së pagesave kombëtare apo ndërkombëtare. Përtej presionit të shtuar nga interesi në rritje i kompanive BigTech për të investuar në industrinë e pagesave dixhitale, kriza pandemike e shtoi edhe më shumë presionin drejt reduktimit të parasë cash në ekonomi, kundrejt nevojës për të zëvendësuar paranë fizike me atë dixhitale.

 

Kategoritë e monedhave dixhitale. Sipas një studimi të publikuar në qershor të këtij viti nga Fondi Monetar Ndërkombëtar , (në vijim referuar si studimi i FMN), teoria dhe praktika njohin sot katër grupime të parasë dixhitale:

i. “Monedha dixhitale e emetuar nga banka qendrore (CBDC)” është një paraqitje dixhitale e monedhës kombëtare të një vendi, e cila emetohet nga autoriteti monetar i shtetit përkatës (Banka Qendrore) dhe paraqitet si detyrim në pasivin e bilancit të saj, në mënyrë të ngjashme me paranë fizike. Kjo monedhë dixhitale ka kurs ligjor njëlloj si monedha fizike dhe bankat qendrore e konsiderojnë atë si pjesë të bazës monetare. Aktualisht janë disa banka qendrore që kanë filluar emetimin e monedhës dixhitale, shumë të tjera janë në proces vlerësimi.

ii. “Monedhat e qëndrueshme (stablecoins)” janë kripto-asete të lidhura (fiksuara) me një monedhë FIAT (monedhë me kurs ligjor si EUR, USD, etj.). Monedha e qëndrueshme më e njohur sot në treg është Tether, por lloje të tjera janë USD Coin, Paxos, BinanceUSD, etj.. Libra e kompanisë Facebook do të jetë një lloj tjetër monedhe e qëndrueshme pasi të fillojë aktivitetin në treg.

iii. “Monedhat Sintetike të Emetuara nga Bankat Qendrore (sCBDC)” janë rastet e emetimit të monedhave dixhitale me kurs ligjor, të mbështetura nga bankat qendrore, por të emetuara/krijuara nëpërmjet emetuesve privatë të parasë dixhitale, duke u dhënë atyre akses në rezervat e bankës qendrore, në këmbim të një procesi mbikëqyrës më shtrëngues nga banka qendrore apo autoritetet e tjera rregullatore.

iv. “Kripto-asetet (crypto)” janë një përfaqësim dixhital në vlerë, por jo të denominuara në monedhë FIAT, të cilat emetohen në mënyrë private me pajisje në formë token. Krijimi i tyre bazohet në kriptografi (kod i fshehur/sekret) dhe në teknologjinë e librave të shpërndarë (DLT).

Këto forma të valutave elektronike aktualisht mund të pranohen si mjete pagese nga disa operatorë privatë, por nuk kanë një kurs ligjor dhe nuk rregullohen/mbikëqyren nga bankat qendrore. Forma më e njohur sot e kriptomonedhave është Bitcoin (me një vlerë tregu të raportuar mbi $200 miliardë), lloje të tjera janë Ripple, Litecoin, Ethereum, etj.. Çmimi i tyre mund të variojë në mënyrë domethënëse nga një ditë në tjetrën dhe brenda një dite.

 

Monedhat dixhitale të emetuara nga bankat qendrore

Por le të kthehemi te thelbi i këtij artikulli që janë monedhat dixhitale të emetuara nga bankat qendrore për përdorim të gjerë. Bankat qendrore veçanërisht, të cilat kanë në objektivat e tyre ligjore stabilitetin monetar dhe financiar, duhet të tregohen të kujdesshme në vlerësimin e mundësive për të ruajtur dhe pse jo, për të rritur besimin e publikut te përdorimi i monedhës vendase, në çfarëdo forme qoftë ajo.

Nisur nga studimi i FMN, dy janë kategoritë e shteteve të angazhuara në këtë drejtim: së pari, shtetet ku përdorimi i parasë fizike nga popullata ka pasur një rënie domethënëse, si Suedia apo Norvegjia; dhe së dyti, shtetet më pak të zhvilluara, të cilat kanë nivele të ulëta të përfshirjes financiare të popullatës dhe duan të përdorin avancimin teknologjik si një mënyrë për të lehtësuar qasjen e popullatës te shërbimet financiare, duke eliminuar distancat dhe pse jo, duke reduktuar kostot e përdorimit të tyre.

Banka për Rregullim Ndërkombëtar, në raportin ekonomik të saj, ka evidentuar edhe rritjen e eficencës dhe të sigurisë së kryerjes së pagesave, përfshirë pagesat përtej kufijve, si dy motivet kryesore për emetimin e monedhës dixhitale nga bankat qendrore, si në ekonomitë në zhvillim, ashtu edhe në ekonomitë më pak të zhvilluara.
Megjithatë ka edhe një arsye tjetër, megjithëse ende jo në përmasa domethënëse, që po i shtyn bankat qendrore të shohin “kërcënim” në atë që deri më sot e kanë quajtur monopol të tyre.

Ajo është zbehja e sovranitetit ndaj monedhës vendase, si pasojë e konkurrueshmërisë nga monedhat e tjera virtuale në treg, si për shembull monedha Libra apo kriptomonedhat e tjera në treg. Ndaj nevojitet domosdoshmërisht që bankat qendrore të përfshihen në procesin e njohjes, vlerësimit dhe rregullimit të formës dixhitale të monedhës, jo vetëm për të ndjekur hapin e inovacionit të sektorit privat, por mbi të gjitha, për të ruajtur stabilitetin monetar dhe financiar të vendit.

Ky i fundit mund të kërcënohet nëse depozitat bankare të klientëve transferohen pranë kompanive që ofrojnë monedha të qëndrueshme, apo monedha virtuale. Bilancet e bankave do të reduktoheshin dhe po kështu, edhe niveli i tyre i kreditimit. Efektet zinxhir janë të kuptueshme!

Situata globale mbi emetimin e monedhave dixhitale. Sot janë të paktën shtatë banka qendrore në botë që kanë filluar ose përfunduar testimin pilot të monedhave dixhitale si Kina, Suedia, Ukraina, Afrika e Jugut, Bahamas, Karaibet Lindore dhe Uruguai, rreth 30 banka të tjera qendrore që kanë përfunduar ose janë në proces hulumtimi, ku përfshihen Eurozona, SHBA, Japonia, Kanadaja, Mbretëria e Bashkuar, Rusia, Brazili, Australia etj., si dhe disa shtete të tjera si Egjipti, Pakistani, Ruanda etj., të cilat mendohet se janë në proces kërkimor.

Në rajonin e Ballkanit, vetëm Banka Kombëtare e Republikës së Maqedonisë së Veriut ka krijuar një zyrë inovacioni dhe ka deklaruar se një nga objektivat është edhe hulumtimi për monedhën dixhitale , por ende nuk ka një informacion konkret mbi ecurinë e këtij projekti.

Për nga pikëpamja teknologjike, bankat qendrore mund të vijojnë të përdorin sistemet e qendërzuara tradicionale, apo të aplikojnë si risi librat e teknologjisë së shpërndarë. Adresimi i rreziqeve kibernetike, por jo vetëm, mbetet thelbësor, për rrjedhojë bankat qendrore do të duhet të përforcojnë apo zgjerojnë sistemet e tyre të teknologjisë së informacionit, si dhe sistemin e sigurisë mbi të cilin do të ndërtohet emetimi i monedhës dixhitale prej saj. Megjithatë, lloji i teknologjisë së përdorur apo përmirësimi i saj, nuk mund të përbëjë motivin përse bankat qendrore do të duhet të bazojnë vendimmarrjen për emetimin e monedhave dixhitale. Teknologjia është mjeti, por jo qëllimi!

Për nga pikëpamja kontabël, është shumë e rëndësishme të sqarohet fakti që paraja e emetuar përbën një detyrim ndaj mbajtësit të saj, rrjedhimisht duhet të mbështetet nga një mjet (aset) në bilancin e institucionit që e krijon atë, qoftë një bankë qendrore, bankë tregtare, apo një krijues tjetër i parasë si mjet pagese. Konkretisht, çdo bankë qendrore që emeton para cash, për çdo vlerë monetare të krijuar rishtazi, ka të regjistruar në bilancin e saj një detyrim ndaj publikut (e njohur si paraja në qarkullim) dhe një portofol mjetesh në aktive, që garantojnë në çdo moment përmbushjen e detyrimit ndaj mbajtësit të monedhës/kartëmonedhës (e njohur ndryshe si letër me vlerë).

Monedhat dixhitale, pavarësisht llojit dhe formës së emetimit, duhet të respektojnë të njëjtin parim: çdo monedhë e emetuar në formë dixhitale parimisht përbën një të drejtë për mbajtësin e saj dhe një detyrim respektiv për institucionin që e krijon atë. Përtej rregullimit ligjor, ky është parimi bazë mbi të cilin krijohet besueshmëria ndaj parasë si mjet pagese, matëse dhe ruajtëse e vlerës. Pavarësisht se bankat qendrore nuk kanë qëllim në vetvete fitimin, ato kanë nevojë për të ardhura që të mbulojnë shpenzimet e tyre.

Ndaj, një ndikim tjetër që duhet të merret në konsideratë është edhe aftësia e bankës qendrore për të kontrolluar ofertën monetare, si dhe njëkohësisht për të krijuar të ardhura. E ardhura që krijon banka qendrore nga emetimi i parasë në qarkullim (si diferenca midis përftimit që merr banka nga investimi i vlerës nominale të parasë në qarkullim dhe kostos reale të printimit dhe emetimit të parasë), që njihet me termin senjorazh, është e drejta ekskluzive e këtij institucioni . Çdo tkurrje e parasë në qarkullim, apo zëvendësim i saj me formë dixhitale, mund të ketë ndikim negativ në të ardhurat e krijuara nga vetë banka qendrore.

Për nga pikëpamja operacionale, shpërndarja e monedhës dixhitale tek publiku mund të realizohet në disa mënyra: (a) direkt nga banka qendrore pa ndërmjetësinë e bankave tregtare; (b) nëpërmjet institucioneve bankare, siç edhe funksionon aktualisht shpërndarja e parasë fizike; apo (c) nëpërmjet institucioneve të tjera private, duke i dhënë akses për të depozituar në rezervat e bankës qendrore.

Secila nga skemat potenciale të vlerësuara për emetimin dhe shpërndarjen e monedhës dixhitale, vlerësohet të ketë ndikime krejtësisht të ndryshme në rezervat e sistemit bankar, rrjedhimisht dhe në multiplikatorin monetar të krijimit të depozitave dhe kredive në ekonomi, pasi përdoruesit e parasë dixhitale do të duhet të konvertonin paratë e vendosura depozitë pranë këtyre bankave në token dixhitalë, ose portofola dixhitalë.

Kjo përkthehet në një tkurrje të bilanceve të bankave tregtare, duke nënkuptuar më tej edhe kufizim të procesit të ndërmjetësimit. Pra, pavarësisht efekteve pozitive që mund të ketë emetimi i monedhës dixhitale nga banka qendrore, me rëndësi është edhe vlerësimi i ndikimeve negative për sa i përket stabilitetit financiar.

Një çështje tjetër, e cila është ende në diskutim e sipër mes autoriteteve është edhe ajo e anonimatit të pronësisë së monedhave dixhitale të emetuara nga bankat qendrore, si dhe transaksioneve të kryera me to. Sot, paraja fizike në qarkullim është anonime, ndërkohë që transaksionet që kryhen në rrugë bankare janë të gjurmueshme. Synimi është gjetja e një ekuilibri mes mbrojtjes së të dhënave personale të qytetarëve (këtu përfshihet grupi i shteteve që kërkojnë anonimitet të plotë) dhe kërkesave të rrepta të identifikimit të qytetarëve për ruajtjen e integritetit të sistemit financiar (ku përfshihet grupi i shteteve që kërkojnë transparencë maksimale në kryerjen e transaksioneve).

Nisur nga sa më lart, gjetja e një ekuilibri nënkupton që monedha dixhitale e emetuar nga bankat qendrore nuk do të ketë funksion të plotë anonimati, ku të paktën kërkesa minimale e identifikimit në fazën fillestare do të jetë e aplikueshme. Për shkak të ndjeshmërisë që ka tek qytetarët, qasja që çdo shtet do të ndjekë në lidhje me këtë çështje, do të ketë edhe implikime politike dhe do të kërkojë koordinim të vendimmarrjes mes autoriteteve ligjvënëse, ekzekutive dhe rregullatore, me qëllim garantimin e suksesit të përdorimit të këtyre monedhave nga qytetarët.

Gjithë sa më lart, nuk mund të kryhet pa një vlerësim dhe rishikim të bazës ekzistuese ligjore dhe më tej rregullative, për të reflektuar qoftë modelin e një tranzicioni tërësor drejt parasë dixhitale, apo edhe paraqitjen e saj, si një mundësi alternative ose plotësuese të parasë fizike.

Pra, emetimi i një monedhe dixhitale nuk është vetëm një projekt me natyrë teknologjike brenda bankës qendrore, por një sipërmarrje shumëdimensionale, e cila synon rritjen e efektivitetit të politikave të bankave qendrore dhe të ekonomisë së një vendi në tërësi. Si e tillë, kërkon analizë dhe vlerësim të kujdesshëm, si dhe bashkëpunim të të gjithë aktorëve si qeveria, sistemi bankar dhe financiar, subjektet private, si dhe vetë publiku, si përdorues dhe pranues potencial i parasë dixhitale.

 

 

Qasja e Shqipërisë ndaj monedhave dixhitale

Shqipëria bën pjesë në grupin e dytë të shteteve të përmendur më lart, ku vetëm 39% e popullatës ka llogari bankare, më i ulëti në rajon dhe shumë larg mesatares botërore (67%). Ekonomia funksionon kryesisht mbi baza cash-i. Sipas raportimeve zyrtare, rreth 96% e pagesave të iniciuara nga individët dhe 60% e pagesave të kryera nga bizneset vijojnë të jenë pagesa cash .

Nga ana tjetër, kostoja e përdorimit të parasë cash në Shqipëri përbën rreth 1% të GDP-së , për rrjedhojë dixhitalizimi i shërbimeve financiare dhe përdorimi i monedhave dixhitale, mund të ndikojë në reduktimin e kostove të lidhura me emetimin, administrimin dhe transferimin e parasë cash. Shpërndarja e parasë në formë dixhitale mund të ndihmonte kategorinë e popullsisë që jeton në zona të largëta dhe pa akses bankar, apo atë kategori të popullsisë, e cila vlerëson se shërbimet tradicionale bankare janë të shtrenjta apo jo të shpejta.

Pavarësisht se Banka e Shqipërisë, në kuadër edhe të Komitetit Kombëtar të Sistemit të Pagesave në Shqipëri, është e angazhuar aktivisht në rritjen e përfshirjes financiare të popullatës, ky fakt nuk përbën objektiv formal ligjor të saj për të mbështetur më tej ndërmarrjen e një hapi të tillë. Në kushtet aktuale, motivimet e mundshme për emetimin potencial të një Leku dixhital nga Banka e Shqipërisë, mund të jenë (i) rritja e efektivitetit dhe koordinimit të politikave ekonomike, (ii) ruajtja e besimit të publikut tek monedha jonë si dhe (iii) përdorimi i inovacionit, si një katalizator i zhvillimeve të sistemeve dhe instrumenteve të pagesave.

Rritja e efektivitetit së politikave ekonomike. Studimi i FMN tregon pikërisht se monedhat dixhitale të emetuara nga bankat qendrore mund të rrisin eficencën e politikës monetare. Kjo lidhet me mundësinë e mbledhjes së më shumë të dhënave dhe në mënyrë më granulare, mbi flukset e pagesave, për të përforcuar formulimin e politikës monetare, si dhe ndërtimin e projeksioneve makroekonomike.

Veç sa më lart, monedha digjitale vlerësohet si një instrument lehtësues për të zbatuar politika fiskale jolineare, të transfertave kredituese direkt në llogaritë e përfituesve. Kjo mund të jetë e nevojshme veçanërisht në situatat e menaxhimit të krizave, siç ishte rasti i pandemisë COVID-19, për të nxitur dhe/ose përshpejtuar rritjen e konsumit në ekonomi.

Ruajtja e sovranitetit të monedhës kombëtare. Në kontekstin shqiptar, në kuadër të politikave të de-euroizimit të ndërmarra nga Banka e Shqipërisë , emetimi dhe më tej përdorimi i Lekut digjital mund të kishte një ndikim pozitiv në përforcimin e sovranitetit monetar. Monedhat dixhitale të emetuara nga bankat qendrore mund të rrisin interesin e publikut për përdorimin e monedhës vendase si mjet pagese, duke ndikuar kështu edhe në reduktimin e përdorimit të monedhave të huaja në një shtet të caktuar.

Çështja mund të bëhet edhe më sfiduese meqenëse së fundmi, Kuvendi i Shqipërisë ka miratuar një ligj, i cili ka në objektin e tij rregullimin dhe licencimin e aktiviteteve të emetimit të monedhave virtuale apo tokenëve dixhitalë, bazuar në teknologjinë e librave të shpërndarë, duke e listuar Shqipërinë midis vendeve që e kanë formalizuar përdorimin e kriptomonedhave. Në një të ardhme, këto monedha mund të jenë konkurruese të drejtpërdrejta të monedhës sonë, e për rrjedhojë, emetimi i një Leku dixhital do të përforconte sovranitetin monetar në momentin që përdorimi i kriptomonedhave do të rritej në vend.

Rritja e eficencës së sistemeve të pagesave. Përtej lidhjes me politikën monetare, emetimi i Lekut dixhital nga Banka e Shqipërisë, për përdorim të gjerë nga publiku, do të ndikonte edhe zhvillimin e sistemeve të pagesave. Kjo infrastrukturë do të duhej të zhvillohej më tej, për t’ju përshtatur inovacionit dhe të krijojë mundësinë e rritjes së interoperabilitetit dhe konkurrueshmërisë, ku shpërndarja e parasë dixhitale të mundësohet jo vetëm te klientët e sistemit bankar, por edhe atyre të institucioneve e tjera të pagesave që do të krijohen në treg në përputhje me Ligjin e ri “Për shërbimet e pagesave”. Një qasje më e madhe e ofruesve të shërbimeve të pagesave në sistemet e pagesave do të rriste konkurrencën dhe reduktonte kostot.

Ky fakt, i kombinuar edhe me përdorimin e monedhës dixhitale të emetuar nga banka qendrore në kryerjen e transaksioneve, do të mundësonte qasjen në shërbimet e pagesave edhe të asaj pjese të popullatës, e cila jeton në zona të largëta apo që për arsye të ndryshme nuk kanë pasur një llogari bankare, por kanë akses në internet dhe përdorin shërbimet e komunikimit në distancë.

Një qasje e tillë takohet natyrshëm edhe me objektivat matëse të Strategjisë Kombëtare të Pagesave me Vlerë të Vogël në Shqipëri, ku synohet rritja e numrit të pagesave jo cash për frymë me 130% deri në fund të vitit 2022 dhe arritja e nivelit 70% të popullsisë së përfshirë financiarisht po në vitin 2022 .

Në një kontekst më global, një përfitim që vjen nga përdorimi i teknologjisë në kryerjen e transaksioneve me monedha dixhitale të emetuara nga bankat qendrore, lidhet edhe me lehtësimin e kryerjes së transfertave ndërkufitare dhe reduktimin e kostove të tyre. Kjo e lidhur veçanërisht me eliminimin e kostove që shoqërojnë lëvizjen e cash-it fizik. Veçanërisht në rastin e Shqipërisë, ku dërgesat e emigrantëve ose remitancat përbëjnë rreth 9% të Produktit të Brendshëm Bruto , ky përfitim ka një rëndësi të lartë, pasi të dhënat tregojnë se kostoja mesatare e transferimit të tyre është në nivelin 8.3% të vlerës, më e larta në rajon dhe larg mesatares botërore (6.6%) .

Thënë sa më lart, Banka e Shqipërisë mund të kombinojë objektivat e saj ligjorë dhe rolin e saj si operator, katalizator dhe mbikëqyrës i sistemeve të pagesave, për të hulumtuar mbi zhvillimin dhe më tej, emetimin e një Leku dixhital. Ashtu si edhe bankat e tjera qendrore në botë, Banka e Shqipërisë, në një periudhë afatshkurtër apo afatmesme, do të duhet të alokojë burimet e nevojshme dhe të fillojë vlerësimin e kostove dhe përfitimeve të aplikimit të një mundësie të tillë.

Emetimi i një Leku dixhital, nuk nënkupton thjesht zëvendësimin e parasë fizike, me një alternativë elektronike, por nënkupton modernizimin e vendimmarrjes së bankës qendrore në funksion të objektivave të saj ligjore dhe përdorimin e përfitimeve që sjell inovacioni teknologjik në rritjen e efektivitetit të politikave të saj.

 

*Opinionet janë personale të autorëve dhe nuk përbëjnë qëndrim të revistës

 

[1] “A Survey of Research on Retail Central Bank Digital Currency”, IMF, June 2020

[2] BIS Annual Economic Report, chapter 3. June 2020

[3] Fintech Innovations in Western Balkans 2020 – box 2

[4] Robin Darbyshire, 2019 – https://www.longfinance.net/news/pamphleteers/thoughts-on-digital-fiat-currencies-from-an-accountants-perspective/

[5] Global Findex 2017, World Bank

[6]https://www.bankofalbania.org/rc/doc/STRATEGJIA_KOMB_TARE_P_R_PAGESAT_ME_VLER_T_VOG_L_N_SHQIP_RI_2018_12125.pdf

[7] https://www.bankofalbania.org/rc/doc/WB_RetailPmt_Abania_shqip_12354_1_12371.pdf

[8] https://www.bankofalbania.org/Stabiliteti_Financiar/Paketa_e_deeuroizimit/

[9]https://www.bankofalbania.org/rc/doc/STRATEGJIA_KOMB_TARE_P_R_PAGESAT_ME_VLER_T_VOG_L

Monitor.al