Jeta e tij i ngjan një filmi.

I lindur dhe rritur në Tropojë nisi rrugën e emigracionit, pa dokumente por me shumë shpresë dhe ëndrra, shumë prej të cilave i realizoi. Njohu suksesin në fushën e modës, një mirëqenie ekonomike, zuri kopertinat e revistave prestigjioze botërore dhe bën një punë që të gjithë do ta kishin zili. Organizon në Sidnej festat e Vip-ve më të famshëm të botës në muzikë, nga Beyonce, Lady Gaga te U2.

 

Ëndërron kinemanë dhe nuk na fsheh dashurinë e tij me modelen australiane të cilën e solli edhe në Tropojë
Afrim Alia është modeli shqiptar i cili prej vitesh tashmë jeton në Australi.

Edhe pse emri i tij i artit i përdorur prej kohësh është Alessio, për fansat dhe miqtë e tij shqiptarë ai kujtohet me shumë simpati si Afrimi, djali i gjatë me trupin e bukur nga Tropoja. Ka fizikun dhe parametrat tipikë të një modeli që vjen nga veriu i Shqipërisë. Por ndërsa flet me të, ai është krejt ndryshe nga ç’mund ta kesh imagjinuar. Pas një trupi muskulor dhe një pamjeje përsosmërisht burrërore dhe djali verior, fshihet shpirti i butë e i ëmbël i një modeli Australian por me një karakter shqiptar e të vendosur.

Është i thjeshtë, pa asnjë kompleks dhe flet shumë çlirët për jetën e tij. Moda tashmë është bërë jeta e tij. Dikur një ëndërr që lindi papritur e u realizua rastësisht si një shaka, ndërsa sot ai vazhdon të thurë e realizojë projekte për të. Por edhe Hollivudi, vazhdon të jetë një ëndërr që e guxon. Madje Afrimi ka hedhur disa projekte të para të cilat shpreson t’i realizojë.

Megjithatë nuk dëshiron të flasë për të, pasi vetëm koha do e zbulojë vërtetësinë e saj.
Kohët e fundit, modelin shqiptar do e shohim më shpesh në Shqipëri e sidomos në Tiranë, vendin që ai e do aq shumë e mezi pret ta vizitojë. Përveç disa angazhimeve të tij në lidhje me modelingun, një tjetër arsye shumë domethënëse për ardhjen e tij të fundit është ftesa që ai i ka bërë të dashurës së tij.

Katerinës, vajzës së bukur me sytë blu, që do të ngjasonte dhe me një shqiptare në pamje të parë, për shkak të afrimitetit e buzëqeshjes që falë, por që vjen nga Australia. Është ajo që ia ka ndryshuar mendjen Afrimit përfundimisht, për sa i përket ndjenjave, duke e goditur atë që në momentet e para të njohjes së tyre. Kupidi i tyre po funksionon mrekullisht dhe pse kjo lidhje ka vetëm katër muaj që zgjat.

I dashuruar dhe i sigurt, modeli ynë shpreson që kjo histori e bukur të vijojë në po të njëjtën mënyrë. Në fund të fundit ka gjetur shumë gjëra te kjo vajzë. Pasi kanë shijuar ditët e pushimit në Shqipëri e sidomos janë argëtuar me jetën e Tiranës, ai bashkë me Katerinën janë larguar duke premtuar se do të rikthehet shumë shpejt. Dhe ndoshta i martuar!

 

 

Intervista

Tashmë u bënë vite që jetoni në Australi, por vini shpesh në Shqipëri. Cila është arsyeja e ardhjes suaj kësaj radhe?
-Është hera e dytë që vij brenda këtij viti. Shqipëria është vendi im, dhe nëse do të kisha më shumë mundësi do të vija më shpesh. Këtu kam miqtë e mi, kam shumë njerëz që i dua, Tirana është vendi ku jeta kalohet vërtet bukur. Arsyeja e ardhjes sime kësaj radhe është për një projekt mode me të cilin po merrem seriozisht. Uroj që të më realizohet dhe nëse gjërat shkojnë mbarë, them se do më shihni më shpesh këtu.

Mund t’ia kujtoni edhe një herë lexuesve se si ka nisur rruga juaj si model?
-Ah, kur e kujtoj qesh gjithmonë sepse ka lindur si një shaka. Ndonjëherë kur gjërat nuk i merr seriozisht ia arrin, (qesh). Kur rastësisht u bëra model, ëndërroja të bëhesha futbollist. Luaja gjithë kohës futboll dhe stërvitesha për këtë sport. Por një ditë mora pjesë në një kompeticion ku kërkoheshin model meshkuj, aty fitova dhe ja ku jam sot.

Cilat mendoni se janë elementët që ju kanë ndihmuar në këtë rrugë?
-Mendoj se moda është një art. Për t’ia arritur duhet vullnet, të duhet të ulësh kokën, të punosh fort. Por jo vetëm, duhet të kesh pasion dhe të bësh çdo gjë me dashuri. Për të qenë model nuk të duhet të merresh tërë kohën me modë. E rëndësishme është të jesh efektiv atëherë kur duhet.

Po pengesat? A ka pasur?
-Ka pasur shumë. Ka pasur shumë xhelozi dhe kjo shpesh të pengon, pasi të tjerët flasin për ty, përpjekjet bëhen më të vështira. Bukuria është një universitet më vete, do të thoja, por edhe në rastin për t’u bërë model ajo nuk të ndihmon. Menaxhimi i vetes në mënyrën më të mirë të mundshme, të dish të prezantohesh ndihmon. Fakti i të qenit i gjykuar më ka bezdisur gjithmonë dhe kjo ndodh shpesh e më tepër kur të tjerët nuk të njohin.

Mund të na tregoni për pushimet, si vajtën ato?
-Vajtën shumë bukur. Kam shëtitur në disa vende të Europës, si në Itali, Francë, Sardenjë. Kam lidhje të forta me Italinë ndaj kthehem herë pas herë atje. Gjithashtu qëndrova në disa vende të Shqipërisë duke filluar nga veriu e deri në jug. Kanë qenë pushime fantastike.

Përveç modës me çfarë po merreni tjetër në Australi?
-U bë kohë tashmë që merrem me organizime “After Party”, që me pak fjalë ka të bëjë me prenotimin e këngëtarëve më të mirë amerikanë në diskoteka të ndryshme që organizojnë festa dhe party, duke përfshirë në mënyrë të veçantë elementët spektakolarë. Punoj me ta dhe shumë prej tyre janë bërë tanimë edhe miqtë e mi më të mirë.

Cilët prej tyre?
-Këngëtarët më të njohur të momentit. Nga Beyonce, Lady Gaga, deri te Bono i U2. Bëj tërë organizimin e qëndrimit të tyre në Australi kur vijnë për turne apo për koncert. Puna ime është si ajo e një agjencie. Por vetëm me anën argëtuese të qëndrimit të tyre. Pas koncerteve, këngëtarët apo grupet kanë dëshirë të dalin e të dëfrejnë, për të harruar edhe stresin e koncertit që sapo kanë përfunduar. Unë merrem me tërë këtë organizim. Ku do shkojnë, çfarë feste do të bëhet, cilët do të jenë të ftuarit, çfarë do të ketë të veçantë mbrëmja, etj. Kam vite që e bëj këtë punë dhe në
Australi, në Sidnej dhe në Melburn.

Ka dhe kërkesa të veçanta?
-(Qesh), mund edhe të ndodhë por raporti ynë është profesional, pavarësisht se duke ndenjur gjatë me ta fillon krijohet një raport miqësie i vërtetë. Po marr një rast. Beyonce më merr në telefon njëherë dhe më porosit për një shampanjë të rrallë. Duhet patjetër ta gjesh. Pra, duhet t’i kesh marrë masat që më parë sepse çdo dëshirë e tyre duhet të plotësohet. Do të ishte shumë keq nëse ndodhte e kundërta. Eksperienca në këtë punë më ka bërë që të kem mundësinë të plotësoj çdo kapriço të tyre. Dhe pikërisht për këtë ato krijojnë respekt dhe miqësi.

Të ka ndodhur që të të ftojnë edhe në shtrat?
-(Qesh), tani nuk ndodh sepse jam i dashuruar.

A janë të sjellshëm Vip-at e këtij niveli botëror?
-Mund të them që janë shumë të thjeshtë. Biles është e çuditshme sa më të famshëm e të pasur të jenë aq edhe më të thjeshtë janë. Ndodh që diçka që kërkojnë nuk gjendet. Nuk nervozohen dhe nuk bëjnë kapriçozen. Të respektojnë dhe të trajtojnë si mik. Ndodh që kthehen në Australi jo për koncert por për pushime dhe më kontaktojnë për të më pyetur apo për të më kërkuar që t’u organizoj vajtjen në ndonjë lokal të njohur, ku të priten e të kenë privatësinë e tyre. Në një farë mënyre jam edhe i domosdoshëm sepse do ta kishin të vështirë të shkonin direkt në një klub apo restorant pa ditur asnjë për vajtjen e tyre.

Dikur keni deklaruar publikisht se një nga synimet tuaja ishte Hollivudi? A vazhdon ta ëndërrosh ende?
-Sigurisht, aktrimi është bërë një ëndërr e imja dhe mund të them se rritet çdo ditë. Aktualisht po merrem me një kurs për të përvetësuar gjuhën letrare, atë që duhet për të interpretuar në role. Kam disa plane të cilat shpresoj t’i realizoj, por nuk dua të flas para kohe. Megjithatë duhet të theksoj se moda po më ndihmon edhe në këtë drejtim, për të takuar njerëzit e duhur.

Nëse do të interpretonit, cilat do të ishin zhanret që do t’ju pëlqenin?

-Më pëlqejnë filmat komedi dhe ato që tregojnë historitë e jetës. Ne shqiptarët kemi bërë një jetë të vuajtur dhe kemi bërë shumë sakrifica për të realizuar ëndrrat tona. Do më pëlqente të interpretoja në role që do të pasqyronin realitetin shqiptar, i vështirë dhe i dhimbshëm ashtu siç është ai.

Si është dita e një modeli?
-Në mëngjes ngrihem herët vetëm në rastet kur kam ndonjë punë të rëndësishme për të bërë. Marr proteinat e duhura, dhe kujdesem për zgjedhjen e ushqimit. Pasdite merrem me aktivitete sportive si me vrap, stretching, apo joga. Më ndihmojnë të ndihem i relaksuar.

Ushqimi i preferuar?
-Si shqiptarët edhe unë pëlqej të konsumoj mishin. Kështu që në vaktet e mia do ketë gjithmonë mish viçi, ose fileto pule ose peshk, një nga këto të tria.

Modelet apo aktorët e preferuar?
-Do të veçoja Gisele Bundchen për karakterin që ka, Angelina Jolie për personalitetin e veçantë, apo Will Smith më duket shumë i talentuar. Ka dhe të tjerë por këta janë disa nga emrat që më vijnë të parët ndërmend.

Jeta emocionale si shkon? Mund të na tregoni diçka për lidhjen tuaj të fundit?
-Po, jam i lumtur pasi po shkon shumë mirë. Kam katër muaj që po jetoj një histori të bukur dashurie me Katerinën, e cila jeton në Australi gjithashtu por është me origjinë greke.

Si u njohët?
-Jemi njohur në diskotekë. Lindi si shaka në fillim por ja që gjërat po shkojnë shumë mirë. Ishte një “feeling” i fortë që e ndjeva që në momentin që e pashë.

Ishte dashuri me shikim të parë domethënë?
-Po, mund ta them me plotë gojën, pasi që në momentin e parë kishte diçka që më goditi prej saj. Ishte shumë emocionuese.

Sa vjeç është Katerina? Me çfarë merret ajo?
-Katerina është 23 vjeç dhe ka studiuar për psikologji. Por në jetën e përditshme edhe ajo merret me modeling dhe ky është një tjetër aspekt që na ka bashkuar më shumë.

Mendon se kjo histori do të jetë ndryshe? Çfarë të pëlqen më shumë te Katerina?
-Them se kjo histori është ndryshe. Katerina është një vajzë e thjeshtë, ka shumë karizëm dhe ajo që më pëlqen tek ajo është fakti që është shumë e çiltër. Jemi bashkë çdo ditë, qëndrojmë për disa orë me radhë dhe këtë nuk e kisha planifikuar se mund të ndodhte kështu. Kjo histori ka nisur seriozisht dhe shpresoj të mbarojë e tillë.

Ka xhelozi mes jush?
-Jemi të dy njëlloj. Jo vetëm në aspektin e xhelozisë por në çdo aspekt tjetër. Kemi shumë mendime të përbashkëta, jemi njëlloj qoftë në karakter apo kokëfortësi. Kjo na ka lidhur më tepër besoj.

Ndodh të rrini larg njëri tjetrit?
-Edhe ka ndodhur por flasim të paktën katër ose pesë herë në ditë.

Çfarë mendon ajo për Tiranën? I pëlqen?
-Po shumë. E kam çuar në vende të ndryshme por më tepër i ka pëlqyer Dajti si dhe jeta e natës. Thotë që njerëzit këtu bëjnë shumë qejf, argëtohen pa fund. Madje herën e fundit që vajtëm të kërcenim në një pub të Tiranës ajo filloi të kërcente dhe këndonte si të tjerët dhe shpesh më thoshte “beautiful” këtu. I pëlqeu atmosfera elektrizuese dhe besoj se do vijmë përsëri.

Atëherë ka mbetur martesa?
-Po pse jo, nëse gjërat vazhdojnë kështu mes nesh dera tjetër është martesa, (qesh).

Na bëhet vërtet qejfi. Për ta mbyllur diçka për lexuesit e revistës Shqip?
-I uroj të gjithëve pushime sa më të mira e të bukura.