Sporti i parketit, dikur shumë i suksesshëm në vendin tonë ka humbur krejt shkëlqimin, edhe pse pas disa vitesh janë kthyer në atdhe, emra të rëndësishëm si Kuqo e Bushati. Shteti i ka kthyer krahët prej vitesh, tifozët e kanë bojkotuar, ndërsa gazetarët nuk e përdorin në fjalorin e tyre fjalën basketboll

Nëse futbolli ka mundur të mbijetojë në agoni të tejzgjatur në 20 vitet e fundit në Shqipëri, disa sporteve të tjera u ka mbetur tek tuk ndonjë trashgimtar rëndom, ndërsa disa të tjerë janë shuar krejt.

Por edhe ata që kanë një trashgimtar të largët të mbijetuar, por trajtohen në mënyrën më të keqe të mundshme, duke ia bërë shumë të vështirë rrugën e mbijetesës. Më e qartë kjo histori është bërë me basketbollin, një nga sportet që në vitet e arta ishte ndër më të adhuruarit në Shqipëri.

Një sport që, edhe pse ishte i ndaluar të praktikohej përtej kufijve të Shqipërisë shumë vite me radhë nga sistemi komunist, qëndronte në elitë, duke u përballur me dinjitet të plotë me rivalët më të fortë të kohës, siç ishte shkolla e Ish-Jugosllavisë, që në atë kohë mbizotëronte në basketbollin shqiptar.

Emrat e Agim Fagut, Vaso Shakës, Renato Radojës, Piro Kolekës, Pjerin Bushatit, Ilir Trebicka, Fatmir Cukës, Gazmend Çaçit dhe shumë e shumë të tjerë, kanë shkruajtur një histori të shkëlqyer të sportit të parketit, duke lënë gjurmë të shënuara në librin e artë të këtij sporti, por ndër të tjera duke lënë një “mall” të pashlyeshëm në zemrat e tifozëve.

Sot ky sport lëngon. Po vërtetë që lëngon. Edhe pse disa dashamirës prej kohësh po tentojnë ta mbajnë në jetë me shumë sforco, rrahjet e zemrës nuk dëgjohen, tensioni është i ulët dhë mungon frymëmarrja.

I larguar në mërgim prej vitesh Ermal Kuqo u riatdhesua me dëshirën për të mbështetur Shqipërinë. Bashkë me të nuk munguan të vijnë edhe Bushati, Cuka, Aliaj, e shumë të tjerë, që edhe emri i Shqipërisë të fillojë të lakohet në sportin e parketit.

Shqipëria i humbi sërish të gjitha takimet e saj eliminatore. Në ndryshim nga herët e tjera, këto ishin humbje dinjitoze, me diferencë shumë të vogël dhe me kundërshtarë që kanë triumfuar vetëm falë eksperiencës.

Më e trishtueshme situata për këtë sport bëhet kur shikojmë faktin se ky sport tanimë është i braktisur: i braktisur nga tifozët, por më shumë nga media, që pothuaj nuk pasqyron asgjë nga sporti i parketit.

Kampionati kombëtar

Që niveli i kampionatit kombëtar të basketbollit shqiptar është ndër më të ulëtit në të gjithë Europën, kjo nuk do shumë të kuptohet, por më e dobët nga të gjitha është padyshim mënyra e organizimit. Një fakt të tillë e ka pohuar edhe kapiteni i ekipit kombëtar, Ermal Kuqo, gjatë intervistës së tij në emisionin “Proces Sportiv”, në Top Channel. “Më vjen të konstatoj – thotë Kuqo – që një skuadër basketbolli në Shqipëri nuk bën më shumë se 20 ndeshje në vit, kur në çdo vend tjetër të Europës, sigurisht edhe më gjerë, numri i ndeshjeve është disa herë më i lartë. Unë personalisht, duke përfshirë kampionatin turk dhe ndeshjet europiane arrij të luaj rreth 70 ndeshje në një sezon. Ndërkohë në ekipin kombëtar ka lojtarë që nuk e kanë mbushur numrin 20 të ndeshje në harkun e një sezoni”, deklaroi Kuqo. Dhe ky aspekt që zbulon Kuqo është shumë i rëndësishëm. Një lojtar basketbolli, në ndryshim nga një sportist tjetër, i sporteve kolektive, e ka shumë të rëndësishëm aktivizimin në sa më shumë aktivitete përgjatë një sezoni. Por kur shikon strukturën e kampionatit tonë kombëtar, përfshirë këtu edhe aktivizimet në Kupën e Shqipërisë, si aktivteti i dytë në vend, e kupton më së miri, se ndeshjet janë krejtësisht të limituara. Nëse një kampionat tjetër analog, kudo qoftë, një skuadër është në aktivitet çdo tre ditë, përgjatë gjithë vitit, në Shqipëri një skuadër basketbolli nuk arrin të bëjë më shumë se një ndeshje në javë, në mos më pak. Në këto kushte mund të thuhet se edhe për vetë basketbollistët, basketbolli është një lëndë fakultative.

Shkollat Sportive

“Një i çmendur” që drejtoi arsimin shqiptar në epokën post-kumuniste i ka bërë një dëm jashtëzakonisht shumë të madh sportit shqiptar. Një reformë e pamenduar mirë për të shkurtuar apo zhdukur fare klasat sportive në sistemet arsimore ka bërë që bashkë me këto klasa të humbasin rrugën e tyre edhe ato pak talente që prodhon sporti shqiptar. Nëse do të pyesësh specialistët të gjithë pohojnë njëzëri se heqja dorë nga sistemet e klasave sportive kanë zvogëluar në masë evidentimin e elementëve të spikatur në moshat e vogla, e aq më pak kultivimin e talenteve në disiplina të ndryshme. Vetë trajneri i ekipit kom bëtar, Fatmir Cuka e pohon një fakt të tillë: “Zhdukja e sistemit të klasave sportive dhe zvogëlimi i masivitetit në disiplina të ndryshme ka zvogëluar edhe mundësinë për të evidentuar më shumë talente dhe elementë të spikatur në disiplina të ndryshme sportive. Veçanërisht sportistët e lojërave me dorë, mund të evidentohen pikërisht në këto mosha. Më vjen vërtetë keq që është neglizhuar një aspekt kaq i rëndësishëm. Sporti ka nevojë për masivitet dhe më pas të kërkojmë kualitetet. Shumë nga emrat e mëdhenj të sporteve, veçanërisht të lojërave me dorë kanë ardhur nga këto klasa sportive”, deklaroi Cuka. Pak kohë më parë federata e baskebollit hodhi idenë e rikthimit të klasave sportive, por askush në qeveri nuk e ka ngritur zërin, e aq më pak të bëjë ndonjë hap për të vënë në lëvizje këtë mekanizëm. Ndërkohë ata fëmijë apo të rinj që duken më të hedhur, apo kanë të fshehur talentin, e humbin atë me vitet, ashtu sikundër sporti shqiptar mbetet i ushqyer. Jemi vërtetë mbrapa, por asnjëherë vonë për të ndrequr një gabim, prej të cilit kemi marrë këto ndëshkime kaq të rënda.

Masiviteti i basketbollit

Kur Greqia u shpall kampione e Europës në basketboll për herë të parë në vietet ’80, sporti i baskebollit nuk ishte aq i përhapur në shtetin helen, por që nga ajo kohë, një projekt i fuqishëm amerikan vuri në lëvizje të gjithë shtetin, duke imponuar masivizimin e këtij sporti. Dhe ashtu si shteti më i fuqishëm i botës, edhe grekët menduan masivizimin e sportit, me fusha basketbolli publike, klasat sportive, si edhe aktivitetet e ndryshme në sistemin universitar. Një gjë e tillë fillon edhe në vendin tonë, duke filluar nga mesi i viteve ’90 me një seri kampionatesh shkollash (veçanërisht në shkollat e mesme, ku për të thënë të vërtetën pati edhe disa të rinj të spikatur, që sot janë pjesë e skuadrave të basketbollit), por ato shumë shpejt u harruan dhe pasioni i të rinjve u shua shumë shpejt. Nëse kampionatet e shkollave, veçanërisht i atyre të mesme do të rriste ndjeshëm masivizimin në shumë prej sporteve të ndryshme dhe më pas do të krijohej mundësia për të përzgjedhur më të evidentuarit. Edhe “basketbolli i rrugës” (veçanërisht në Tiranë, ku janë ndërtuar disa fusha publike për të rinjtë) nuk pati shumë zhvillim, sepse ndër të tjera edhe organizimi ka qenë shumë i dobët. Në shtetet e bashkuara të Amerikës, emra të mëdhenj të sportit, veçanërisht të basketbollit, kanë dalë pikërisht nga basketbolli i rrugës.

Kualifikimet e trajnerëve

Një tjetër aspekt shumë i rëndësishëm që është evidentuar në vitet e fundit është padyshim edhe kualifikimi i trajnimeve, veçanërisht për njerëzit që më afër skuadrave sportive. Ndryshe nga futbolli, basketbolli ka mbetur pak mbrapa, veçanërisht në fushën e trajnimit. Nëse bashkëpunimi që ka patur federata e futbollit për të rritur profesionalizimin e trajnerëve, duke i licencuar me patentat më të mira të mundshme nga UEFA, sipas standardeve europiane, basketbolli në këtë aspekt është shumë më mbrapa. Përveç disa kurseve fakultative të kryera rishtazi. Këtë aspekt e ka evidentuar edhe trajneri Cuka, që mendon se nëse do të rritet niveli i trajnimeve në kampionatin kombëtar, atëherë do të kemi edhe më shumë sportistë cilësorë për të ardhmen. Një prej emrave më të mëdhenj të basketbollit, Pjerin Bushati, pohon se është shumë e rëndësishme, që niveli i trajnimit do të ndihmonte ndjeshëm ekipin kombëtar, madje ai shkon më tej duke thënë se do të ishte shumë e rëndësishme që disa prej këtyre trajnerëve, të ishin edhe asistentët e trajnerit të ekipit kombëtar, për të evidentuar apo përzgjedhur emrat më të mirë të mundshëm në grumbullimet e ekipit kombëtar.

Braktisja e basketbollit nga të gjithë

Më e trishtueshme bëhet situata në sportin e parketit kur shikon që askush nuk interesohet më për të. Nëse shteti ja ka kthyer kurrizin që kurse u ndryshuan sistemet, tani ky sport është bojkotuar nga tifozët, ndërsa për gazetarët ky sport nuk bën pjesë në fjalorin e përditshëm. Ato pak rreshta që i kushtohen basketbollit, janë vetëm  për ekipin kombëtar, madje edhe atëherë mungon informacioni i nevojshëm. “Është për të ardhur keq që kur luan ekipi kombëtar në pallatin e sportit nuk ka tifozë – deklaron kapiteni Kuqo – Mbaj mend kur ndiqja xhaxhain tim të luante me Partizanin, në pallatin e sportit nuk kishte vende të lira, sot askush nuk shkel atje, veç vetë sportistëve të ekipeve zinxhir. Më e rëndë është situata, kur media nuk bën as pasqyrimin minimal. Ky sport ka nevojën e të gjithëve, jo vetëm të ne sportistëve që djersisim çdo ditë”, deklaroi Kuqo.

Optimizmi për të ardhmen

Edhe faza e fundit eliminatore e ka parë Shqipërinë sërish të fundit, madje duke mos fituar asnjë ndeshje, duket se një farë optimizmi ka filluar të ndihet. Vetë protagonistët shikojnë progres nga viti në vit dhe kjo është e pasqyruar edhe në rezultate. Vërtetë në klasifikim nuk ka asnjë fitore, por rezultatet tregojnë, se skuadra jonë tani ka filluar të bëhet shumë më konkurruese dhe për të na mundur kundërshtarët duhet të djersisin shumë. “Ka ikur koha kur skuadra jonë mundej me diferenca të frikshme nga kundërshtarët, tani për të mbyllur një ndeshje rezultatet janë shumë të ngushta. Ritmi i lojës është ndryshe, edhe pse duhet të pranojmë që ka shumë probleme veçanërisht në organizimin e lojës. Mendoj se me ndihmën e një organizatori, që mund edhe të huazohet nga Shba, ne mund të rrisim akoma edhe më shumë cilësinë e lojës sonë”, pohon kapiteni Kuqo.