Edicioni i katërt i Festivalit të Filmit në Durrës, “International Film Summer Fest Durrës”, e ka sjellë për të prezantuar filmin e saj të fundit “Të jesh italian me zonjën Enrika”, i cili u vlerësua me çmimin e Publikut. Claudia Cardinale,  aktorja e madhe italiane ka vizituar Shqipërinë dhe ka ndarë për të disa nga përshtypjet e saj. Ja se si rrëfehet në këtë intervistë për “Shqip” aktorja italiane, ikonë e kinemasë botërore

E vërtetë që e kam mbajtur të fshehtë, madje për jetën time personale, për të qenë më e sigurt, unë ika nga Italia për të jetuar në Francë, në Paris. Nuk kam dashur asnjëherë që njerëzit, gazetarët e paparacët të merreshin me jetën time personale. Gjithmonë kam dashur që të gjykohem për punën time dhe jo për jetën time.

Kishte dëshirë të bëhej mësuese, por ja që u bë yll i kinemasë italiane, e më tej asaj botërore. Claudia Cardinale, ikona e kinematografisë botërore, sot 72 vjeç shkëlqen po njësoj. Sigurisht që ndjen keqardhje për vitet që kanë ikur, por është e lumtur se çdo ditë e saj ka qenë e bukur, emocionuese, ka punuar me kryemjeshtërit e kinemasë italiane, si: Luchino Visconti, Federico Fellini, të cilët i besuan kryerole.

Role që ajo i interpretoi në krah të aktorëve të mëdhenj të kohës, si Marcello Mastroianni, që do të ishte një nga partnerët e saj më të shpeshtë apo Burt Lancaster e Alain Delon. Për Fellinin ajo ishte përfaqësuesja e bukurisë femërore dhe simboli i gruas ideale. Ndonëse jo shumë e gjatë, jehona e saj u përçua edhe në Hollywood.

Edicioni i katërt i Festivalit të Filmit në Durrës, “International Film Summer Fest Durrës”, e ka sjellë për të prezantuar filmin e saj të fundit “Të jesh italian me zonjën Enrika”, i cili u vlerësua me çmimin e Publikut. Gjatë qëndrimit të saj në Shqipëri ajo u takua edhe me personalitete të jetës së vendit, ndërsa u shfaq mjaft miqësore me të gjithë që takonte dhe pozonte në fotografi. E kujdesshme në çdo detaj të veshjes dhe performancës së saj,Claudia çdo ditë u shfaq elegante në takimet dhe projeksionet e filmave.

Me cigaren që nuk i ndahej nga dora (madje e ndërpreu edhe konferencën e saj të shtypit për të pirë një cigare), ajo në një bisedë që pata në mbrëmjen e fundit të saj në Durrës, ka treguar disa nga detajet e këtij udhëtimit, të mikëpritjes shqiptare, të shqiptarëve, që “e puthnin të gjithë”, siç tregon dhe vetë ajo…

 

Intervista

Zonja Cardinale, cilat janë përshtypjet në këtë vizitë të parë tuajën në Shqipëri?

Po, u kënaqa vërtetë. Dhe njëherazi jam çuditur jo pak. Kur më erdhi ftesa për të marrë pjesë në Festivalin e Filmit në Durrës “International Film SummerFest Durres”, nuk e mendova se do të gjeja këtë atmosferë në Shqipëri. Sigurisht e paramendova që do të kisha fansa, por tani mund ta them që jam habitur dhe mrekulluar. Kur mbërrita ditën e parë në Teatër për të prezantuar filmin tim të fundit “Të jesh italian me Zonjën Enrika” dhe pashë para teatrit aq shumë njerëz, aq shumë kamera dhe fotografë u përkëdhela. Dhe besoj, e patë edhe ju se çfarë atmosfere ishte. Sigurisht jam kënaqur me mikërpritjen tuaj. Shumë njerëz të dashur, edhe shumë të sinqertë. Madje-madje më dukej si e pabesueshme që të gjithë kishin nga një kujtim, nga një histori personale për të më treguar si ishin njohur e pastaj “dashuruar” me mua përmes filmave. Duke filluar që nga aktori juaj i madh Timo Flloko, me të cilin fola më gjatë, dhe siç e patë ai e tregoi njohjen me mua para gjithë njerëzve gjatë prezantimit të festivalit. Dhe tani më vjen për të qeshur, kur ai tha që më dashuronte që kur ishte 14 vjeç (qesh).

Patët mundësinë të shihnit edhe Tiranën. Si ju duk ajo?

Po, vizita në Tiranë ishte e shkurtër në fakt. Dhe madje ishte shumë vapë atë ditë kur shkuam. Po përveç takimit me presidentin tuaj, piva një kafe në një godinë të madhe me shumë kate.

Aba Center?

Eh, ju i dini emrat. Por prej katit të 20-ë të saj munda të shihja një pjesë të qytetit. Interesante. Dhe shumë ndryshe nga qytetet e tjerë europianë. Gjithsesi vizita ime në Tiranë ishte e shkurtër, disa orëshe, kështu që nuk kam një mendim të saktë dhe të përcaktuar për të.

Po në Durrës ndenjët disa ditë, për të e keni një mendim më të saktë?

Eh (qesh). Sigurisht mund të them më tepër. Atëherë, vendi ku qëndrova është shumë i bukur. Vila, pishina, atmosfera. Por nëse nuk do të ishte kaq vapë do të kisha shëtitur më tepër. Por më pëlqeu.

Çfarë do të veçonit nga takimi me fansat shqiptarë?

(haha). Sa shumë që puthni ju shqiptarët? Po të gjithë njerëzit i puthni?

Ju duket e tepruar?

Eh, zoti im sa puthje kam marrë sot. Të gjithë njerëzit që erdhën në skenë për të bërë fotografi me mua më puthnin, në faqe. Të gjithë ama… (qesh)

Ke të drejtë zonja Cardinale. Madje mund t’u them diçka, edhe vëllai im më ka dhënë një porosi, që “t’ju puth”.

Hahahaha. Vërtetë?! Shumë e bukur kjo.

Ju e keni mbajtur jetën tuaj private mjaft të fshehtë. Keni pasur ndonjë frikë… përse?

E vërtetë që e kam mbajtur të fshehtë, madje për jetën time personale, për të qenë më e sigurt, unë ika nga Italia për të jetuar në Francë, në Paris. Nuk kam dashur asnjëherë që njerëzit, gazetarët e paparacët të merreshin me jetën time personale. Gjithmonë kam dashur që të gjykohem për punën time dhe jo për jetën time.

Zonja Cardinale, cilësoheni si ikona e bukurisë kinematografike, madje një titull të tillë edhe “Pjatën e Argjendtë” e morët në Durrës nga Bashkia e qytetit. Cilat janë raportet tuaja sot me të bukurën?

Në fakt tani jam plakur. Por do t’ju tregoj diçka. Kur shkoj në Itali, por edhe në Paris, kur takoj gra të vjetra apo edhe të moshuara, më thonë gati-gati të gjitha të njëjtën gjë, “Kur kam qenë e re, më thoshin i ngjan Claudia Cardinale-s”. Dhe më beso, Ilda, ato nuk kishin asnjë tipar të ngjashëm me mua, (qesh).

Po me pasqyrën cilat janë raportet tuaja sot?

Jam kujdesur gjithmonë për veten. Kohën personale për grimin e kam pasur gjithmonë të rëndësishme. Në jetën time kam qenë gjithmonë korrekte me oraret, kështu që grimin e nisja edhe katër orë para ndonjëherë, që të isha korrekt. Ja për shembull, nesër unë do nisem për në aeroport në orën 11:00 të mëngjesit. Unë do zgjohem që në orën 08:00 për të bërë grimin, (qesh).

Zakonisht sa orë flini? Mbani një regjim të caktuar?

Po, sigurisht. Fle tetë orë gjumë. Ora 12:00 mua më gjen në krevat. Në mëngjes më pëlqen që në orën 8:00 të zgjohem dhe pas kësaj ore nuk rri asnjë moment në krevat.

Gjatë konferencës për shtyp treguat se e njihnit Shqipërinë, qoftë edhe prej emigrantëve, po për kinematografinë shqiptare a keni pasur ndonjë dijeni?

Në fakt nuk jam thelluar asnjëherë më parë në kinematografinë tuaj fatkeqësisht. Di që Michele Placido ka bërë një film këtu tek ju. Ndoshta edhe unë do të bëj ndonjë në të ardhmen. Ndoshta me Timo Fllokon… Gjithsesi, tani që do të kthehem në shtëpi do përpiqem të shoh dhe të mësoj diçka për kinemanë shqiptare.

Si pranuat të bënit film me një regjisor të ri?

Përveç filmit që u shfaq në teatrin “Aleksandër Moisiu” dje në mbrëmje, “Të jesh Italian me zonjën Enrika”, të regjisorit turk Ali Ilhan, unë kam edhe tre projekte të tjera me regjisorë të rinj. Gjëja e rëndësishme për mua është skenari. Nëse nuk e pëlqej, e mbyll dhe nuk merrem me të. Nëse më pëlqen, atëherë takoj regjisorin dhe kjo është shumë e rëndësishme se ne këtë takim të drejtpërdrejtë me regjisorin, unë mund të kuptoj ja vlen të punoj me të apo nuk ja vlen. Kjo është sepse unë jam e privilegjuar, pasi në vitet ‘70 unë kam punuar me regjisorët më të mëdhenj të kinemasë, kështu që unë tashmë e kam eksperiencën e nevojshme për të kuptuar nëse ky regjisor ia vlen për të punuar ose jo.

Zonja Cardinale, ju keni punuar edhe me të madhin Fellini, mund të na tregoni diçka?

Ka qenë një moment i madh pasi unë në atë kohë luaja “Leopardin” me Viskontin dhe isha një muaj në xhirime me të dhe një muaj në xhirime me Felinin për “Otto a mezzo”. Nuk mund të kishte më shumë se kaq, të punoje me dy emra kaq të mëdhenj njëkohësisht. Me Viskontin ishte si të luaje në teatër, me Viskontin ishte çdo gjë improvizim. Njëri më donte brune e tjetri më donte më të çelur, gështenjë. Kështu që më duhej të ndryshoja flokët sa herë shkoja në shesh xhirimi. Por atë që dua të them për Felinin është se unë bisedoja me të dhe ai më shikonte magjishëm. Nuk mund të ketë më mirë, unë isha muza e tij, frymëzimi i tij, unë flisja me të dhe pastaj Marcelo Mastroiani bënte çfarë i thoshte Felini. Më pas ne kishim ndër mend të bënim edhe një film tjetër me Marcelo, bëmë kinoprovat dhe dukej se çdo gjë do të shkonte mirë, por siç dihet jemi duke folur për të madhin Felini dhe ai pati vështirësi me producentët dhe filmi u la.

Në filmin “C’era una volta il West” Sergio Leono për 8 minuta rresht mban të fiksuar në veprim portretin tuaj, si mundi ai ta mbante kaq gjatë dhe të shprehte kaq shumë? Si punoi ai me ju, Claudia?

Sergio Leone punonte ndryshe nga gjithë të tjerët. Mënyra sesi ai punonte me kamerën, ishte që i shkonte sa më afër portretit tim dhe deri sa mbërrinte tek sytë e mi, ku aty kërkonte shpirtin. Ky film është i pari western ku mes burrave, mes të cilëve edhe Henri Fondës dhe Çarls Bronson interpreton një personazh femër, gjë që nuk kishte ndodhur kurrë më parë.

“Mua më pëlqen rreziku dhe prandaj i kam bërë vetë edhe skenat e rrezikshme, sepse nuk doja të merrnin dikë tjetër për t’i realizuar ato. Vetë i kam realizuar edhe skenat mbi kalë në filmin “Profesionisti”.

Ju keni pasur gjithashtu kënaqësinë të luani edhe me figura mashkullore profesioniste aktorësh. Ka pasur ndonjë që ke pasur marrëdhënie miqësore?

Eksperienca me Fellini-n ishte e jashtëzakonshme, sepse unë isha një muzë për të. Para së gjithash regjisorët janë mësuesit e mi. Në fillim unë as kam studiuar. Isha ende në Tunizi në moshën 15-16 dhe m’u desh të hyja në sheshxhirim përkrah aktorëve të njohur, siç ishte Marcello Mastroianni. Thuajse nuk kuptoja as gjë, sepse nuk flisja italisht, gjuha ime ishte frëngjishtja. Duhet të kemi parasysh që ne aktorët asnjëherë nuk jemi shumë të hapur me njëri-tjetrin. Madje e kundërta, jemi të mbyllur dhe kamera është ajo që njeriun e nxjerr nga bota e vet dhe e shfaq të plotë para të gjithëve. Unë isha e egër dhe do të thosha që ka qenë kinemaja ajo që më ka shpëtuar jetën. Shumë aktorë kanë qenë të tërhequr e të vetmuar në fakt. Por të them të vërtetën ashtu sikurse çdo artist kur nis një film le të ketë bërë sa të dojë në karrierën e vet, përherë ka emocione si të ishte hera e parë që ngjitej në set xhirimi apo në skenën e teatrit. Unë përsëri kam frikë kur nis një projekt. Dhe pikërisht nga kjo frikë që kam unë, përherë e kam bërë dhe vazhdoj ta bëj arrij në sheshin e xhirimit e para, jo vetëm para regjisorit, por edhe para teknikëve të ndriçimit, unë jam gjithmonë e para që mbërrij në xhirim dhe madje nuk ha asnjë gjë… (Qesh). Përsa i përket meshkujve Mastroiani ka pasur qejf që unë të lidhesha me Alain Delon, por unë kam qenë gjithmonë korrekte në punë dhe marrëdhënia jonë ishte vetëm profesionale.

Të jesh kaq profesioniste është njerëzore apo është qiellore?

Mamaja ime gjithmonë më thoshte që “ti ke një engjëll që të ndjek ty”.

Zonja Cardinale keni punuar me emra shumë të mëdhenj, diçka që ju ka mbetur në mendje dhe doni ta ndani me ne?

Gjëja më e rëndësishme është të jesh e fortë, të jesh e fortë përpara kamerës. Sepse përndryshe nuk mund të futesh në lëkurën e çdo lloj personazhi që merr përsipër të interpretosh. Dhe sigurisht duhet të japësh edhe pak nga vetvetja.

Për sa i përket fillimeve tuaja, a ka qenë e lehtë për ju?

Fillimi ka qenë mbresëlënës. Unë vija nga Tunizia dhe gjuha ime ishte frëngjisht dhe sa mbërrij në Itali futem në një shesh xhirimi me më të mirët artistë të Italisë dhe unë nuk dija të komunikoja italisht. E megjithatë ishin regjisorët ata që ishin mjeshtërit e mi.

Zonja Cardinale, ju keni punuar edhe me të madhin shqiptar Bekim Fehmiu. Mund të kujtoni diçka rreth punës me të?

Po, ka qenë filmi “Libera, amore mio”. Por më besoni kanë kaluar 31 vjet tashmë që nga ai film dhe unë nuk mund të them me saktësi ndonjë detaj. Por nëse do ta shihja filmin tani, sigurisht që do të shprehja shumë për të.

Së fundi ndonjë të pathënë mund të na zbuloni nga partnerët që keni pasur në film?

Po, do t’ju tregoj diçka që është edhe për të qeshur, edhe absurde. Tek filmi “Fitzcarraldo” fillimisht partneri im ka qenë Mike Jagger. Por ndërsa xhironim në xhungël, ai pësoi një krizë dhe hip në majën e një peme dhe qëndronte aty e nuk zbriste. Dhe thoshte nëse nuk më sillni një biftek amerikan, unë nuk zbres nga pema. U desh të merrnim një psikoanalist për të dhe më tej ai u hoq nga kasta e aktorëve. Rolin e tij e mori Klaus Kinski. Pastaj nuk mund të harroj kur pikërisht në xhungël u bë një festival filmi dhe aty mbërritën indianët, të cilët ishin lakuriq vetëm me një gjethe përpara tek organet dhe unë duhet të kërceja dy orë me ta, (qesh).

Tunizia, vendi juaj ka kaluar një periudhë të keqe kohët e fundit, si e keni përjetuar?

Unë kam lindur nga prindër siçilianë në Tunizi dhe kam jetuar deri në moshën 17 vjeç. Sigurisht që është vendi im. Ne kemi ngritur në Paris një komunitet për kauzën e vendit tonë. E dua Tunizinë time dhe shpresoj që në tetor demokracia do të triumfojë atje.