Përmendja e emrit Ramush Haradinaj ka pasur kurdoherë konotacionin e një burri me të gjitha epitetet vlerësuese që e karakterizojnë këtë term për shqipfolësit, i luftës, i fjalës, i besës. Dhe nuk habitemi sot që, pikërisht në ditën e dorëheqjes nga posti i Kryeministrit të Kosovës, e thërresim të gjithë natyrshëm burrë shteti.

E kjo nuk vjen thjesht nga fjala e tij e dorëheqjes apo motivimi i saj, për t’u përballur me drejtësinë si qytetar i zakonshëm e pa asnjë pushtet, qëndrim absolutisht i vlerësuar për një politikan në detyrë, aq më tepër në postin e Kryeministrit të vendit. Është edhe më e thellë, lidhet me qëndrimet e tij politike në vijimësi, por veçanërisht për linjën e zgjedhur për t’u përballur me problematikën, apo situatat delikate që ai ka kaluar kohëve të fundit në krye të qeverisë së Kosovës.

Linja e tij e fortë për të imponuar njohjen e Kosovës, karshi Serbisë që luftonte për ta penguar atë në çdo institucion ndërkombëtar, kulmoi me mjetin ekonomik të përfaqësuar nga një taksë 100% për mallrat nga Serbia, të cilat vinin në kufi të Kosovës pa shënuar si destinacion Republikën e Kosovës, u vlerësua si dinjitoze dhe pati përkrahje të gjerë, pavarësisht efekteve jo aq të favorshme për ekonominë dhe qytetarët e Kosovës.

Për më tepër, kjo ndodhte në momentin kur “aleati” i tij, Presidenti Thaçi (të cilin sigurisht e kish mbështetur me votat e partisë së tij për këtë post) ishte angazhuar në një veprimtari të hapur, në bashkëpunim me homologun serb Vuçiç, për të konsideruar rishikimin e kufijve ende pa pasur një njohje më parë të Republikës së Kosovës, si shtet në kufijtë aktualë.

Në një botë si e sotmja, gjithmonë më e hapur, më e ndërlidhur dhe e ndërvarur, që Shqipëria e Kosova e përkatësisht qeveritarët e të dy vendeve tona të ndodhen para presioneve të ndryshme ndërkombëtare, është më se normale. Ngandonjëherë, këto presione apo shtysa bëhen nën petkun e mikut apo në të mirë të vendeve tona dhe nuk është e lehtë të dallohet qartë se cila është lëvizja më e mirë për t’u ndërmarrë, që do të garantonte në afatgjatë interesin tonë kombëtar. Në këtë prizëm, ajo që mund të themi për veprimet e qëndrimet e Kryeministrit Haradinaj është se nuk hezitoi të përballojë me dinjitet e burrëri këto presione, duke theksuar se ai ka një mandat kushtetues për të mbrojtur interesat e Republikës së Kosovës. Qëndrimet në arenën ndërkombëtare, në emër të saj, e veçanërisht në emër të shqiptarëve të Kosovës, do të duhet të bëhen pas një unifikimi të qëndrimit nga aktorët kombëtarë dhe palëve e përfaqësive politike.

Si qytetarë të Republikës së Shqipërisë i kemi ndjekur me interes jo të zakonshëm zhvillimet në Kosovë dhe për Kosovën, si brenda rajonit edhe në arenën europiane e më gjerë. E, sigurisht që kemi vërejtur dallimet mes qeveritarëve e liderëve tanë lokalë dhe etiketimet aspak civile për njëri- tjetrin, të mjaftueshme për të kuptuar që ata nuk kanë qëndrime të unifikuara. Këto qëndrime mund të jenë të tyret personale, po aq sa mund t’i vlerësonim edhe të influencuara nga pole interesash tërësisht të ndryshme e mbase, edhe të kundërta, por mjaftueshëm të dukshme që nuk arrinin të përmbushnin kushtin e të garantonin mbështetjen e gjerë e të unifikuar për të hedhur hapa që preknin identitetin aktual kushtetues të Kosovës.

Nuk është e panjohur për historinë e dy vendeve tona që, influencat e miqve apo armiqve strategjikë të kombit tonë, të kenë përcaktuar nëpërmjet udhëheqësve e qeveritarëve tanë të momentit, rrugë të cilat kanë shpënë në progres apo regres në ecurinë tonë të zhvillimit.

Në këtë moment, mbase ne nuk kemi mjaftueshëm elemente për të gjykuar se cila palë po mbizotëron në Ballkanin Perëndimor. Një gjë mund ta themi me siguri se, nëse tentativa për të shmangur nga tapeti i ndeshjes së interesave, përfshirë edhe të atyre shqiptare, të Kryeministrit të Kosovës Ramush Haradinajn me një gjuajtje të ulët poshtë brezit, sikurse të lë shijen kjo thirrje për ballafaqim në gjykatë, duke parë mbështetjen që po gjen masivisht në trojet shqipfolëse luftëtari Ramush Haradinaj, do të mund të themi pa hezitim se rezultati do të jetë krejtësisht i kundërt nga ai që iniciuesit kanë parashikuar.

Qëndrimi i shpallur hapur nga Kryeministri Haradinaj për mosprekje të kufijve të Republikës së Kosovës dhe njohje të saj në kufijtë aktualë kushtetues ka shumë më tepër mundësi të përbëjë linjën predominuese e me të cilën të identifikohen e të unifikohen shqiptarët në të dy anët e kufirit. Për ta, dorëheqja dinjitoze e Ramush Haradinajt do të shërbejë thjesht si katalizatori për ta afirmuar, me një mbështetje mbarëpopullore, sikurse duket në formë emblematike nga shpërthimi i tyre në rrjetet sociale me thirrjen

“Je suis Ramush Haradinaj”.

Kole Mokra