Nga Kole Mokra

 

 

Në një nga përrallat e tij, La Fonteni i famshëm, tregon shkëmbimin e ftesave për darkë mes Dhelprës e Lejlekut. Pas ftesës së dredharakes, që e ofroi supën në pjatë të sheshtë e ku ajo vetë lëpinte pjatën, ndërsa të dytit i mbetej të çukiste pjatën e sheshtë, pa prekur gjë në darkën ku ish ftuar, për t’ia kthyer reston, nuk mungoi ftesa e sqepgjatit për dhelprën, në një darkë të shtruar prej tij. Gjetja e lejlekut, për t’ia ofruar darkën në një qyp me qafë të ngushtë e ku turiri i dhelprës nuk arriti të prekte ushqimin e servirur, ishte një përgjigje e merituar për trajtimin jo dinjitoz që ju bë pas ftesës pompoze. Kjo, për të marrë hakun, por edhe për t’i bërë të qartë të ftuarit se nderimi i mikut nuk mbaron me ftesën, por fillon aty dhe nuk bëhet pa dëshirë e respekt për partnerin apo mikun që fton.

 La Fonteni ka mbi tre shekuj që i ka shkruar përrallat, por morali i tyre i qëndron kohës, e mua më erdhi ndër mend kur dëgjova që KM Rama i kish kërkuar Bashës, opozitës domethënë, që të uleshin në tavolinë tani, pas Tërmetit. Timonieri i madh, tani po dërgon sinjale paqeje e marrëveshje.

 Në kohë normale, në një situatë kur Republika të ishte duke funksionuar normalisht, kjo do të ishte absolutisht e pranueshme dhe nuk do të kish nevojë që ne qytetarët të diskutonim këtë takim të tyre dhe ftesa, në fakt, nuk do të ishte as nëpër faqe rrjetesh sociale në formë fletërrufeje publike, por në sallën e Parlamentit, ku shefi i opozitës është i ulur në bankën përballë e ku kjo thirrje bashkëpunimi, për një rast të tillë fatkeqësie, nuk do t’i vriste veshin as atij e askujt në Shqipëri.

 Por ne, sot, jemi dëshmitarë kur tërmeti i parë ka kohë që i ka rënë Republikës dhe është shkërmoqja e institucioneve që e përbëjnë atë, ku më themelorja është shkelmimi i Parlamentit Republikan, me kolonën e Opozitës, përfaqësuese të popullit opozitar. Themeli demokratik i Republikës ka rënë nga momenti kur Opozita, që është kolona më e rëndësishme për të ashtuquajturin Check and Balance të pushteteve, është jashtë aulës dhe kur në vend të saj, brenda një Parlamenti të cunguar e jokushtetues, ndodhen individë me të cilët as Rama vetë nuk denjon të komunikojë (imagjinoni një interpelancë të deputetit Gjuzi për Kryeministrin-Mbret për çështjen e Tërmetit, ndjesë për shembullin e zgjedhur në këtë situatë dramatike ku ndodhemi).

 Më tej akoma, pushteti lokal pas votimeve farsë është absolutisht jopërfaqësues dhe këtë nuk e mbulon dot as media e kontrolluar e as ambasadorët hyzmeqarë, por e vërtetoi dorëheqja e kryebashkiakes, e cila edhe vetë nuk e ka besuar asnjë ditë se ka qenë e zgjedhur e ka mbështetje nga populli që e ka votuar dhe prandaj, nuk ka asnjë dyzim për të dhënë dorëheqjen, qoftë edhe për një fjalë goje.

 Si të mos mjaftojë kjo, mazhoranca parlamentare i ka hyrë procesit të shkarkimit të Presidentit, e që Presidenti e Kryeministri nuk janë ulur bashkë zyrtarisht prej shumë kohësh, bile as tani pas Tërmetit, e këtu nuk flasim për drekat apo darkat e fshehta, për të cilat mund të bisedohet për shumëçka, por jo për çështje të interesit të Republikës.

 E si për ta përmbyllur, dy gjykatat kryesore, ajo Kushtetuese dhe e Lartë nuk ekzistojnë, mbase edhe qëllimisht për t’i lënë dorë të lirë KM-Mbret.

Sigurisht, kjo derisa bie Tërmeti, ai i vërteti, natyrori, që për fatkeqësitë që sjell dhe dëmet që shkakton mund të tundë nga themelet një shtet e republikë normale e jo këtë tonën, krejtësisht të telendisur.

Për t’iu rikthyer edhe një herë ftesës së KM, nëse do të kishte sadopak synim pozitiv, largpamës e në interes të publikut, do të kishte vlerë nëse kreu i opozitës reale do të ftohej në një takim të përgatitur mirë, për të biseduar shtruar lidhur me ringritjen e shtetit, pra për të rindërtuar themelet e dëmtuara rëndë të Republikës e për të cilat, presupozohet se ka kompetencë dhe jo për të larguar e për të pastruar rrënojat e tërmetit, ku kompetenca e agjencive administrative të shtetit është dhe duhet të jetë ku e ku më lartë.

E kur nuk vëren as në këto momente që Timonieri të lëshojë timonin e tepsinë nga dora, të shkon ndër mend që po fton lejlekun për t’i servirur mbase supën në tepsi.

Ne qytetarëve na mbetet shpresa që lejleku të ketë lexuar përrallën e La Fontenit.