Juli Krisafi

“Spikeri? Duhet të jetë një gazetar i mirë”

Elegante, e sigurt, bukuroshe, e hijshme dhe me një zë sa të ëmbël dhe imponues… Kjo është ajo çfarë Juli Krisafi, spikerja e njohur që vjen aktualisht në ekranin e televizionit më të ndjekur në vend, Top Channel, përcjell në çdo takim të saj me audiencën. Por përmes kësaj interviste, ashtu sikurse unë, do të zbuloni dhe njiheni me atë pjesë të panjohur të saj, që nga momenti kur la gazetarinë e shkruar pa dëshirë për t’u bërë pjesë e pandarë e edicioneve të lajmeve.

 

Cila është ndjesia e të qenurit pjesë dhe një nga imazhet kryesore të lajmeve në televizionin më të madh në vend?

Po është e vërtetë, u bë më shumë se një vit që unë jam pjesë e stafit të Top Channel. Ndjesia është mjaft pozitive, pavarësisht se është televizioni më i madh në vend, dhe ka një staf vërtetë shumë të madh në krahasim me të tjerët, unë jam ndjerë dhe ndihem vërtetë si në shtëpinë time. Por nga ana tjetër të qenit pjesë e këtij televizioni, dhe për më tepër pjesë e edicioneve më të rëndësishme të tij, është një përgjegjësi e madhe, por edhe një vlerësim shumë i madh. Për të mos folur pastaj për kënaqësinë që të jep puna që unë e dua shumë dhe kontakti i përditshëm e i përnatshëm me audiencën shumë të madhe që ka ky televizion.

Për ju cilat janë pikat e forta që ju bëjnë një imazh të dashur në ekran, apo jeni dakord me dy të lartpërmendurat?

Elokuenca, pamja, janë dy pika të forta vërtetë, por mendoj se mbeten dy pika pak sipërfaqësore. Mendoj se një spiker i mirë duhet të jetë një gazetar i mirë, duhet të jetë në brendësi të gjithçkaje që ndodh në vend dhe jashtë tij, të ketë një bagazh të përditshëm informativ, dhe të mos humbasë asgjë nga zhvillimet madje dhe ato më të parëndësishmet. Këto të bëjnë më të mprehtë dhe më të dashur për publikun. Sepse në këtë mënyrë do të mund të serviret lajmi ashtu siç duhet, që gjithkush ta kuptojë.

Ekrani dhe prezantimi i lajmeve kanë qenë synimi juaj gjithmonë?

Ekrani dhe prezantimi i lajmeve nuk kanë qenë synimi im gjithmonë. Fillimet e mia datojnë rreth 10 -11 vjet më parë me shtypin e shkruar, dhe dukej se në atë kohë gjeta veten në atë mënyrë të të shprehurit, por nuk zgjati shumë pasi më bënë një ofertë për në televizion dhe pavarësisht hezitimit tim shumë të madh, por edhe këshillave të kolegëve se do të humbisja përfundimisht privatësinë, unë pranova dhe nisa këtë rrugë në të cilën jam edhe sot.

Keni pasur modele të preferuara në këtë drejtim?

Modele të preferuara sigurisht që të gjithë ne kemi, jo idhuj, por njerëz të cilët mund t’i marrësh në referencë. Kam dashur të shkëpus karakteristikat më të mira të atyre që kam parë gjatë gjithë jetës sime në ekran. Lajmet kanë qenë një program i preferuar i imi që në fëmijërinë time e kushtëzuar edhe nga preferencat e më të rriturve por edhe nga varfëria e programeve të televizionit shqiptar në atë kohë, lajmet më dukeshin më interesantet sidomos ato nga bota. Megjithatë ishte shumë herët atëherë për të krijuar modele. Më është fiksuar në mendje Vjollca Vokshi, ka qenë një risi në ekranin e TVSH, për sa i përket edicioneve të lajmeve. Dhe ajo ishte padyshim shembulli i gazetares spikere.

E mendoni sërish të keni një program tuajin apo pas kësaj sprove nuk e shihni veten të përshtatshme në atë terren?

Unë kam bërë në Alsat për rreth dy vjet emisionin “Almanak”, të cilin e konceptuam së bashku me drejtoreshën e ALSAT-it në atë kohë Mira Meksin. Ishte një emision që e bënim me shumë dashuri se mua vërtetë më intereson kultura, sidomos letërsia dhe ishte një eksperiencë shumë pozitive. Do ta bëja me shumë shumë qejf një emision të tillë.

Çfarë formati spektaklesh do të dëshironit të prezantonit?

Spektaklet janë evente të mëdha por afatshkurtra, nuk mund të them se e kam ëndërr apo diçka të shumë dëshiruar. Nuk e kam bërë kurrë më parë. Por nëse do të më jepej rasti përse jo, (qesh). Por formati në të cilin vërtet e gjej veten është ‘talk-shoë’.

Si i kujton sot fillimet e karrierës suaj si spikere?

Fillimet e karrierës sime si spikere lidhen me tv Koha, fillim i vështirë, dilematik, amatoresk. Ishin edhe kohëra të tilla që televizioni në Shqipëri ishte mbrapa në shumë fusha, në teknologji, por edhe në të bërit gazetari. Megjithatë fillimet shërbejnë për të hedhur hapat e parë, mirë, keq, me emocione dhe ankth. Shërbejnë për të mësuar nga ata që të rrethojnë. Unë kam pasur fatin të punoj gjithmonë me profesionistë. Spikerimi nuk ka qenë ëndrra ime në sirtar, madje në fillim nuk doja të dilja në ekran, por gradualisht më pëlqeu, sa herë dilja përmirësoja diçka e kështu me radhë.

A është e vështirë për një femër të bëjë një karrierë televizive dhe të jetë edhe një nënë e mirë?

Nuk dua të flas për heroizma por është e vështirë. Sepse gazetaria në përgjithësi është një profesion të cilit duhet t’i përkushtohesh orë e pa kohë. Por pavarësisht se themi që është e vështirë, përsëri unë mendoj se është e mundur të bësh karrierë në televizion por njëkohësisht të jesh edhe një nënë e mirë.

Sot sa vjeç është djali dhe si e ndan kohën mes tij dhe televizionit?

Djali im është dy vjeç e gjysmë. Kemi gjetur një konsensus familjar në ndarjen e kohës. Duket sikur e ndaj për gjysmë. Gjysmën e kohës mes punës dhe tjetrën mes bashkëshortit dhe djalit. Im bir është rritur me të dy prindërit shumë afër. Edhe kur s’jam unë, është im shoq dhe anasjelltas. Ai, asnjëherë mendoj unë, nuk e ka ndjerë mungesën tonë.

Cilat kanë qenë vendet ku keni pushuar, që ju kanë lënë më shumë mbresë?

Meqë po flasim për Greqinë, dua të them se është një nga vendet më të bukura dhe më mbresëlënëse. Greqia ka vende shumë të bukura dhe tërheqëse për të bërë pushimet. Nuk ngelet pas Italia, me historinë por edhe natyrën e saj. Mua, për shembull, më ka mahnitur Roma me madhështinë e saj. Të kthehesh në Romë është një kënaqësi më vete, edhe pse unë herën e fundit kur kam qenë nuk hodha monedhë ne Fontana Dei Trevi, (qesh). Më intrigojnë në vijim vende që nuk kam mundur t’i vizitoj, si për shembull Amerika Latine apo Afrika Veriore dhe bota arabe e India. Por sa të rrosh mund të udhëtosh apo jo, (qesh)!

Juli, çfarë natyre do ta përshkruanit veten?

Juli është natyrë energjike, impulsive, dhe e fortë!

Merreni me ndonjë sport ose palestër?

Për momentin nuk merrem me asnjë lloj sporti për shkak të angazhimeve që kam. Do doja shumë të nisja diçka në të ardhmen. Falë nënës natyrë deri tani nuk kam pasur nevojë për fitness.

Cila është muzika juaj e preferuar?

Unë dëgjoj shumë muzikë, më pëlqen pop-i, më pëlqejnë të gjithë grupet e shkëlqyer të viteve ‘70, ‘80, ‘90.  Fatkeqësisht nuk dëgjoj muzikë aktuale.Sot ne nuk emocionohemi më siç ndodh me këngët e të mëdhenjve, Queen, Deep Purple, Pink Floyd, Led Zeppelin, Michael Jackson etj. Por më pëlqen pa masë edhe muzika italiane, dhe ajo franceze.

Librat? Autorët e preferuar?

Librat janë të shumtë. Unë lexoj shumë, aq shumë saqë shpesh herë mbi komodinën time sheh disa libra të stivosur të cilët kam nisur t’i lexoj njëkohësisht. Së fundi më magjepsi Orhan Pamuk me librin e tij “Muzeu i Pafajësisë”, por edhe Amos Oz me rrëfimin e tij “Për dashurinë dhe errësirën”. Shkrimtarë të preferuar kam disa, por do të veçoja Jose Saramangon.Parfumi i preferuar?

Nuk kam një parfum të preferuar, kam disa. Por më pëlqejnë parfumet e fortë, të kadifenjtë, antikë.  Për momentin po përdor “Sun Delight” nga Jill Sanders, meqë jemi në verë, (qesh)!

Çfarë marrëdhënie keni me celularin?

Celularin tani e ka zëvendësuar iphone, (qesh), dhe me këtë të fundit kam një marrëdhënie dashurie. Të rejat e teknologjisë na e kanë bërë jetën më të thjeshtë por edhe na kanë bërë të varur disi. Më pëlqen kjo lloj varësie gjithsesi.

Po me internetin?

Pasi i dhashë duart facebook-ut të cilin e përdorja prej 3 vitesh, interneti tani për mua është vetëm informacion dhe e-mail. Facebook-u më bënte të harxhoja shumë-shumë kohë të padobishme. Ndihem vërtet rehat pa të.

Ju ka ndodhur ndonjëherë të dilni nga shtëpia pa portofol? Ka qenë shqetësuese situata?

Po më ka ndodhur. Por ka pasur raste edhe më shqetësuese, si për shembull, kur njëherë e harrova portofolin në Arkivën e Shtetit, apo një herë tjetër në një librari, por isha me fat sepse ma kthyen përsëri bashkë me kartat e patentën që kisha në të.

Stina e preferuar dhe përse?

Stina e preferuar është pranvera dhe vjeshta sepse janë me temperaturë optimale këtu në Shqipëri. Vera ka filluar të bëhet shumë e nxehtë dhe shpesh herë e padurueshme. Edhe dimri më pëlqen me festat e fundvitit të cilat sjellin gjallëri.

Emisioni që ndiqni në televizion?

Filma kryesisht por edhe debate politike e sociale.

Fundjava është çlodhëse apo impenjuese për ju si nënë?

Fundjava është çlodhëse në shumicën e rasteve.

Nga cilat gjëra keni hequr dorë që kur jeni bërë nënë?

Kam hequr dorë plotësisht nga dalja natën, nga pub-et, apo lokalet me muzikë. Nuk është se më mungojnë shumë në fakt. Por ajo që më mungon është një lloj pavarësie për të dalë me miqtë e mi, apo për të bëra gjëra atëherë kur dua unë. Tani çdo gjë është e llogaritur. Megjithatë mësohesh.

Do ta konsideronit veten një femër të suksesshme?

Suksesi është i pafund, dhe sa më shumë kemi aq më shumë kërkojmë. Por unë kënaqem me këtë që kam, kjo nuk do të thotë që nuk do të doja më shumë.

Çfarë është lumturia për ju?

Jeta ime me gjithë të mirat dhe të këqijat e saj, (qesh)