Një nga regjisorët më të famshëm të kinematografisë shqiptare që kanë lënë gjurmë të thella në historinë e filmit tonë. Kristaq Mitro në një bisedë kujtimesh sjell për lexuesin atmosferën e artit të shtatë nën diktaturë. Emocione, pasione, por edhe shumë dhimbje dhe zhgënjime kur metra të tëra filmi duheshin prerë për arsye absurde.

Pse filmi i tij “Përpara ligjit” nuk u shfaq kurrë për publikun?

Si funksiononte vlerësimi i kinematografisë në atë kohë?

Një rrëfim i rrallë për të mësuar dhe kuptuar atë periudhë

 

Me pamjen e një kineasti europian, tërheq veten ndër kujtimesh për t’i sjellë në tavolinën e të sotmes duke qeshur me dhembje. Kristaq Mitro, fatit të filmave që prodhoheshin në Kinostudion e Diktaturës, i ka gjetur një metaforë rrëngjethëse; filmat na ‘pushkatoheshin’.

Ai kujton me brengë ‘pushkatimin’ e filmit që nuk u shfaq kurrë “Përpara Ligjit”. “Ne e filluam me shumë entuziazëm dhe pasion. Morëm romanin e Shefqet Musarait “Para ligjit”. Ai flet për konflikte mes partish, Parti Socialdemokrate, etj, për dashurinë, për shtetin, për gjithçka ndodh në shoqërinë e një vendi. Por në të njëjtën kohë  u treguam shumë naiv. Këtu qëndronte gabimi ynë. “Ndërtuam një skenar shumë të mirë, në fakt, por ramë në një lloj gracke të vetëbesimit. Donim të ndërtonim një skenar që pasqyronte kohën, shtetin me të gjitha komponentët, jetën politike, dashurinë, etj.

Por harruam që dikatura do të na qëndronte si shpata e demokleut prapa koke. Ishte moderne për kohën. Filmi u pushkatua. U vu në mur dhe u pushkatua. Kush ta gjuante më përpara. Nuk lanë gjë pa i bërë filmit, e masakruan. I kishin marrë të gjitha mjetet që nga helmi, pushkët, kamat. E vdiqën. Filmi është në arshivë. Kur ishte Ibrahimi gjallë (bashkëregjisori) shkuam në arshivën e Kinostudios  e pamë dhe thamë; si e katandisën këtë film kështu? Nëqoftëse dikush do të kishte kurajon ta niste nga e para, po, mund të rikonceptohet. Por unë jam kundër rikonstruksionit, është e pamundur. Nuk janë aktorët. Ishte Agim Qiriaqi, Sulejman Pitarka. Me fatin mos bëj luftë.”- kujton i mallëngjyer regjisori Kristaq Mitro.

Por ky film rrëfen ai, pati një kapitull të tërë peripecish dhe fati të keq. “Një vajzë që e gjetëm jashtë aktorëve dhe e përzgjodhëm për talentin që kishte, luajti në film. Ishte marrë nga ansambli. Pas dy ditësh asaj i arratisen dy vëllezërit dhe filmi bllokohet në gjithë Shqipërinë. Kjo ishte diktatura. Mbeti pa u shfaqur. Po ta shfaqësh tani, ai është një film premierë. Por mua, më bren ajo, se ju do ta shikoni si është jo si ka qenë. U pushkatua. I shkuan njëra pas tjetrës fate të këqia.”- rrëfen regjisori. Në atë kohë, thotë, ai e ndjenim veten përballë vetes, duhet të mendoheshim shumë për ato që do të flisnim dhe bënim.

Megjithatë, regjisori Mitro e kujton me një nostalgi të jashtëzakonshme Kinostudion. “Ka qenë akademia e filmit. Do doja të flisja me gjuhën e kohës së filmit. E tashme e shkuar, e tashme e tanishme dhe e tashme e ardhme. Kinostudio është e tashme e shkuar që nuk kthehet më. Ka qenë një kohë e ndërthurrur. Në atë kohë thurej ëndrra, pasioni, diktati, vullneti, mosbërja, por duhej të vendosje çfarë do bëje. Ne një pjesë të energjisë e shpenzonim duke luajtur shah. Pra t’i shpëtonim diktatit. Që të mos na pengonte rrugën. Ishim të detyruar.

Ashtu si në çdo profesion, puna e parë shënon gurin e themelit të karrierës, qoftë pozitiv apo negative. Edhe regjisori Kristaq Mitro e konfirmon këtë duke mbajtur mbi shpatulla një eksperiencë shumë pozitive nga filmi i tij i parë Dimri i Fundit.

“Filmi i parë është regjisori, guri i themelit. Edhe për mua kështu ndodhi. Në atë melodi që krijon, pastaj bën lodrat e tua. Atë kishim për të treguar me emocione, atë bëmë. Doli mirë, funksionoi për mrekulli. Kinemaja është e pabesë, të lë në baltë, ndodh. Edhe kolegëve tanë në kinostudio u ka ndodhur.

Bën gjëra shumë të mira, por edhe gjëra jo të mira. Ndoshta gjetja e një teme që nuk di ta zgjedhësh, aktori i keq, të papërshtatshëm, ndoshta një vetëbesim i tepruar tek vetja. Mbaj mend kur filluam xhirimet e Tokë e përgjakur kishim marrë si rol kryesor ish profesorin tonë, Kadri Roshin. Ai ishte tek mulliri dhe kishte përballë atë djalin e vogël të filmit dhe i shkoj aty afër. “Profesor, i thashë. Jo profesor, tha. Profesorin e kemi lënë në klasë. Unë tani jam nxënësi juaj tha. Çfarë kam bërë i kam harruar të gjitha. Këtu është radha nji, karrigja nji.”- kujton regjisori Mitro me nostalgji sukseset e tij dhe bashkëpunimet me aktorin e madh Kadri Roshin.

Por edhe Dimri i Fundit kaloi në sitën e vërejtjeve të diktaturës. Mitro kujton se edhe për këtë film erdhën vërejtjet nga ministria. “Vjen më takon shefi i kinemasë në ministri. Ishte nga klasa punëtore, vinte nga uzina e instrumentave në Korçë dhe e kishin punësuar në Ministri. “Kam një mendim”, thotë. Unë nuk e njihja fare. Ndoshta prandaj i fola pa ndrojtje. “Këto gratë në fund t’i marrin automatikun gjermanëve, t’i vrasin e të çlirojnë fshatin”. Kur tha atë, u nervozova jashtëmase e i thashë: “Ky është një budallallëk. dhe ika.”-thotë regjisori.

Si shkurtoheshin filmat

Mendimi i të gjithëve ishte se kinostudio ishte si një oaz, si një ishull. Kur ishim jashtë vraponim për tek ajo, sikur e ndjenim veten më mirë, më të mbrojtur, më komod. Një kishë. Ishim më të qetë. Shpenzonim energji për të menduar se çfarë pjesësh nuk duheshin dhe mund të na ndaloheshin. Përshembull tek ‘Duaje emrin tënd’ me Rajmonda Bulkun. Kishim regjistruar një pjesë me puthje, një miku im, Luan Rama që shkruante edhe në gazetën ‘Milosao’, më tha se do të kalojë kjo pjesë, nuk do të pritet.

Ai ishte optimist, ndërsa unë kisha eksperienca të ngjashme dhe isha i bindur që ajo pjesë do të urdhërohej të pritej. Kur u shfaq filmi, erdhi ministri, binte shi. Ne nuk qëndruam në sallë. Kështu ndodhte përherë. Regjisori nuk duhet të qëndronte. Rrinim tek stolat të urdhëruar. Unë ju thashë që pjesa do hiqet. Kështu ndodhi. Ne jemi pak virtual në këtë drejtim. Ëndërrojmë, por… ashtu ndodhi. Ishim të përgatitur. Na ndodhte përherë. Ishte eksperiencë, metodë. Ishte koha që pritej, koha e humbur.”- tregon i përlotur regjisori Mitro.

Ai thotë se kështu ndodhte me të gjithë dhe përmend emrat e regjisorëve me radhë, Piro Milkanin, Dhimitër Anagnostin, Kumbaron, etj. “Dhembja është sepse prerjet e dëmtonin filmin. Ne e shohim nga një distancë, por në atë kohë ishte bërë rrugë. Tek filmi Telefoni i një mëngjesi kemi hequr disa pjesë, 200 m film, Një konflikt mes Bujar Lakos dhe Marjeta Larjës. Ne donim të tregonim kalbësirën e shtetit që kamuflohej. Vjen Viktor Gjika dhe më thotë:  Unë e dua vajzën time dhe për atë punoj, nëqoftëse ju i doni fëmijët tuaj, hiqeni atë pjesë. Ju mund ta lini është e drejta juaj, por do ta përballoni vetë. Ne kthehemi në montazh, pastaj ikim. E lamë punën për dy ditë, pastaj e premë. Dhe kjo ishte një dhembje shumë e madhe”- kujton Mitro.

Kështu kishte ndodhur edhe me Duaje emrin tënd. “Kur shkuam në festival me “Duaje emrin tënd”, erdhën letrat kur do jepej çmimi. Letrat vinin nga një kooperativë e Krutjes ku ishte Lenka Çuko. Dhe letra lexohet në sallën ku po zhvillohej festivali i ndarjes së çmimeve. Në letër përmendeshin ankesa nga fshatarët për filmin. Duaje emrin tënd mori çmim të tretë. E kujt i vajti mendja nga fshatarët për filmin që të bëhej letra?!  Filmi është i ndërtuar mirë, ka metaforë, simbole, filozofinë e një filmi.”- vazhdon të sjellë ndërmend pushkatime të tjera që i janë bërë filmave në atë kohë. “Kjo ishte e vërteta në Kinostudio”- rrëfen Mitro.

Ai tregon se artistët e Kinostudios mundoheshin të gjenim disa rrugë të vërteta. Sipas tij, ajo që ndodhte aty, është se diktohej e pabesueshmja dhe asaj duhej t’i bëje ballë. “Ne harxhonim gjithë ato energji dhe kohë që një gjë që ishte e pabesueshme ta bënim të besueshme. Aq shtigje sa kishte, dritaret ishin të mbyllura, nuk kishim dritare. “- tregon ai.

 

Përzgjedhja e aktorëve

Përsa i përket përzgjedhjes së aktorëve, Mitro i përket neorealizmit italian. Ku aktorët nuk përzgjidhen nga shkolla e aktrimit, por kudo dhe dërgohen më pas në shkollë. “Gjejmë aktorë dhe i fusim në kinema. Kështu ka ndodhur me Rajmonda Bulkun, Ema Andrean, Eva Alikajn, etj.  Kujtoj përzgjedhjen e aktores së shkëlyer Eva Alikaj. E kishim marrë nga bankat e shkollës, ishte në vitin e dytë. Vajzë e  vogël, e imët. I bëmë konoprovën. E pamë. Kishte mendime të ndryshme. Unë isha pro, më pëlqeu shumë si aktore ajo vajzë. Në fakt në atë kohë nuk kishte interesa të tjera veçse filmi të dilte mirë. Diskutuam. Shikohej në disa pika. Si aktore ishte mirë. Bëhej fjalë për staturën, ishte e imët. Por unë thoja që për kinemanë nuk është problem. Për teatrin po. Unë u thashë që do bëjmë kinoprovë tjetër. I thashë Bardhyl Markarinianit që merr aparatin 600. E xhiruam në një rrugë të gjatë tek kinostudio.  E morëm. Ajo vajzë përballoi në sheshxhirim në mënyrë të shkëlqyer Vangjush Furxhiun.

Madje, ai trembej shpesh përballë Evës si për tekstin e gjatë dhe mizanskenat dhe e diskutonte me ne”- thotë Mitro.

 

Mito-Muça,

vëllezërit siamezë

Vëllezërit siamezë, kështu e thërrisnin çiftin e rrallë që kanë bashkëpunuar gjithë jetën në sheshxhirimet e filmave shqiptarë; Kristaq Mitro e Ibrahim Muça. “Nuk kishim viza të bardha. Një njeri që e kuptova dhe më kuptoi gjithë kohën. Kishte raste që në sheshin e xhirimit kishte shumë vështirësi, por ne kuptoheshim për mrekulli. Zoti e kishte dërguar që të merreshim vesh shumë mirë. Vetëm me një shenjë kuptoheshim. Një herë e bija e tij, Albana po u thoshte disa miqëve, vetëm për një batutë këta diskutonin për orë të tëra. Duhej të përballoheshe edhe nga aktorët. Ata sot thonë se kur bisedonim secili me aktorët veç, thoshim të njëjtat gjëra. Një dyshe e tillë nuk është parë.

Kadri Roshi,  kur kishte ato entuziazmet e veta  nuk dinte çfarë bënte, na drejtohej dhe thoshte; “Dëgjoni vëllezër siamezë! Këtë nder që më keni bërë ju që më keni dhënë këto role, nuk ma ka bërë njeri. Ne e pëlqenim, ai na pëlqente dhe bashkëpunonim mirë”. – kujton regjisori Kristaq Mitro ato kohë të arta pasioni dhe entuziazmi por edhe zhgënjimi.

Kinostudio tani

Për regjisorin Mitro jeta ka qenë kinema. Kinostudio ka qenë shtëpia e tij.  “Jeta ime ka qenë kinema dhe besimi tek Zoti. Në kinostudio punohej me shpirt. Kishte shpirt, pasion, vetëmohim. Nuk punonim për lekë. Edhe kur vinte dita e rrogës e merrnim atë viheshim në radhë dhe e prishnim kur shkonim me shërbim. Kam punuar me operatorë mjeshtra, Saimir Kokonën, Ilia Tërpinin, Bardhyl Markarianin. Kur flas për shpirtin këta ishin shpirti i imazhit. Ai që më bëri kineast ishte Kristaq Dhamo. Ai ishte regjisor që sakrifikoi veten. Ishte regjisor i madh, studiuar në Budapest”- kujton regjisori.

Një kohë ikën, një kohë vjen. Ndarja, si lumi gërryen. Atë kohë e ka gërryer lumi. Por Mitro është regjisor i të dy kohërave. Ndërsa kujton me nostalgji atë kohë, pavarësisht pushkatimit të filmave, hidhërohet me këtë kohë. Ndërsa në diktaturë pushkatonin filmat, tani kanë shkatërruar shtëpinë e filmit. “Tani Kinostudio është bërë një shtëpi e pabanuar nga të gjithë. Madje e kanë ndryshuar, e kanë shkatërruar shtëpinë, në të gjitha llojet e mënyrave dhe sipas interesave. Duhej të mbetej një pjesë e Kinostudios që të shërbente për filmin sot, në kuptimin e një prapavije. Do ishte rekuizita, dhomat e montazhit, laboratori, etj. Nuk ka mbetur gjë. Deri tek parku i makinave . Kishte makina shumë me vlerë për xhirim, që nga koha e Viktor Emanuelit. Këto mund të ruheshin shumë mirë. U prish garderoba që mund të vishej një Tiranë e tërë. Ashtu siç u ruajt arkivi. Sot shkohet për të larë filmin në Bullgari, për të bërë miksazhin në Rumani. Shumë mirë me pak kujdes nëse do të ruhej Kinostudioja, do të punonim këtu”- vëren regjisori.