Shoqëria piramidale, po ashtu sikurse edhe shoqëria periferike, nuk ka as dinamizmin dhe as kapacitetet që nevojiten për t’a integruar fuqishëm dhe me shpejtësi Shqipërinë në Bashkimin Europian.

Dhe këtu nuk është fjala thjesht që Shqipëria të pranohet si partnere në hapjen e negociatave të integrimit europian, por në atë që vendi të ketë një sistem politik, një shtet, një ekonomi, pra një model social që të jetë në përputhje me vlerat më të rëndësishme të qytetërimit europian.

Integrimi në Europë nuk barazohet as nuk thjeshtëzohet në integrimin në Bashkimin europian.

Integrimi europian nuk është një pasojë e thjeshtë e disa vendimeve politike.

Kanë rëndësi dy faktorë kryesorë që përbëjnë kritere për vlerësimin e kapaciteteve integruese të modelit shoqëror.

I pari lidhet me atë sesa modeli shoqëror i Shqipërisë u përmbahet vlerave europiane. Shoqëria piramidale është një shoqëri në thelb autoritare prandaj nuk e përmbush dot këtë kriter.

Demokracia ka në themel veprimin qytetar, kurse shoqëria piramidale e përjashton qytetarin nga çdo vendim-marrje e rëndësishme.

Sipas modelit politik të vendosur, në Shqipëri ka një devijim kushtetues nga demokracia. Kryeministri shqiptar me kushtetutë dhe me statute partish politike të pranuara nga gjykatat e vendit është edhe kryetar i partisë që qeveris vendin, edhe kryeministër, si kryetar partie kontrollon edhe të gjithë kryetarët e bashkive që janë të ngjyrës së tij politike, si kryeministër drejton prefektët që kontrollojnë pushtetin lokal, është në fakt edhe drejtuesi real i Kuvendit të Shqipërisë sepse politikisht kontrollon shumicën parlamentare, është kryetari de facto i grupit të tij parlamentar, është si kontrollues i Kuvendit edhe kontrolluesi i të gjitha pushteteve ekzekutive dhe juridike që dalin prej andej, është ministër i cdo ministrie, është përfaqësuesi i Shqipërisë me jashtë, me anë të tenderave kontrollon ekonominë, median, gjithçka.

Ky status kryeministror nuk lidhet me personalitetin psikologjik të një njeriu që e ka pasur atë post gjatë dekadave të ndryshme. Ai rrjedh nga statusi që ka marrë kryeministri pas ndryshimeve kushtetuese të ndodhura në vitet 2000 e në vazhdim, kur ai as mund të bëhet fjalë të tronditet nga ndonjë mocion mosbesimi në Kuvend.

Këto ndryshime e nxorrën jashtë loje opozitën në Shqipëri, së cilës nuk i ka mbetur veçse të shijë e mos lidhë në Kuvend, të flasë e mos të dëgjohet atje.

Kryeministri i Republikës të Shqipërisë është shumë më tepër sesa edhe Presidenti, madje sa edhe sesa presidenti i një republike presidenciale me ndarje pushtetetesh. Madje ka pushtet edhe më shumë se një mbretëreshë ta zemë e Anglisë apo e ndonjë vendi nordik, pa folur për shefa principatash si ajo e Monakos, e Luksemburgut, etj. Më tepër i ngjan një mbreti absolutist.

Eshtë më shumë një “prijës”, një “komandant suprem”, një “hero legjendar” sesa një nëpunës i shtetit, një qytetar që ka një mandat të thjeshtë për t’i shërbyer kombit ca muaj ose ca vite, me pushtet të kufizuar dhe të përkohshëm.

Shqipëria me këtë sistem piramidal të shtetit nuk është realisht as republikë, dhe as monarki kushtetuese. Eshtë një formë shteti shumë më e personalizuar. Sikurse shkruante Gustav Le Bon, i cituar në këtë libër, fjala “republikë” nuk është thjesht veçse një etiketë, kurse thelbi i pushtetit është krejt tjetër. Ndofta vetëm sekretari i parë i partisë të punës të Shqipërisë mund të kishte pasur në duar kaq pushtet sa ka kryeministri shqiptar. Madje edhe ai nuk e kishte këtë pushtet për të pasur influencë dhe marrëdhënie me një botë private ekonomie që lëviz miliarda euro në vit.

Në Shqipëri nuk ka funksionuar dhe as po funksionon si duhet ndarja e pushteteve që është guri themeltar i një shoqërie demokratike europiane.

Veç modeli të shoqërisë, ka edhe një faktor të dytë që e vështirëson dhe e vonon integrimin europian të vendit. Kjo është një situatë që lidhet me atë osmozë, me atë ndërthurje që duhet të kishin krijuar në këto dekada shoqëria shqiptare dhe shoqëria europiane.

Thelbi i këtyre shkëmbimeve është se shqiptarët ikin nga sytë këmbët në vende europiane për të nisur atje një jetë të duke e braktisur vendin. Integrohen shqiptarët dhe jo Shqipëria. Sa më shumë që shqiptarët integrohen në Europë me anë të emigrimit, aq më vështirë e ka të integrohet Shqipëria.

Shqipëria realisht është e izoluar nga Europa, si mund të integrohet ajo me një vendim politik në Bashkimin europian?

Shihni shkëmbimet tregtare! Ne e thellojmë për vit defiçitin tregtar në vlerat e veta absoulte. Shihni sa të mjera dhe periferike janë investimet direkte europiane në industrinë e mediave, në shkolla, në industritë inovative, në strat up – e, në energji, në bujqësi, në hoteleri, e kudo.

Le të shohim sesa artistë, grupe këngëtarësh, sa politikanë europioanë vinë në një vit në Shqipëri, dhe e vlerësojmë. Sa parlamentarë? Sa profesorë?

Filozofia, sociologjia, poezia, dramaturgjia, muzika e sotme europiane as aromat më të sipërfaqshme nuk sjell në Shqipëri.

Monopoli ekonomik vendas nuk e duron dot konkurrencën e kapitalit europian. Politika shqiptare nuk ka asnjë interes të ketë një faktor si ky i fundit që t’i kundërqendrojë përballë.
Shqipëria ka mbetur e izoluar nga Europa si shoqëri me vlerat e veta.

Si mund të merret me mend që të ndodhi që shoqëria piramidale ta izolojë realisht vendin nga Europa kurse politika të marrë vendime politike që t’a përshpejtojnë integrimin europian të vendit?

Me ose pa negociata të hapura, kjo nuk ka asnjë rëndësi. Realisht ne jemi vonuar.