Një rikujtim i roleve më të njohura të aktorit, guximit, talentit dhe gjithçka që bëri artin e tij  Një jetë plot humor por me shumë pengje në fund….

 Ka dhënë lamtumirën e fundit aktori i shkëlqyer i humorit shqiptar Vasillaq Vangjeli. Sëmundja e tij ka bërë që aktori të ndahet më shpejt nga një jetë e mbushur me humor, pasion për estradën, por me shumë dhembje në fund.

Nuk e dinte se më shpejt seç duhej do t’i bashkohej “panteonit të të ikurve”. Aktori i njohur i humorit shqiptar, Vasillaq Vangjeli është ndarë nga jeta vetëm pak ditë më parë. Ishte 63 vjeç aktori i dashur për publikun, i cili i tha lamtumirë jetës për shkak të gjendjes së rënduar shëndetësore, krijuar nga sëmundja e azotemisë në veshka dhe ajo e diabetit. Largimi i tij më shumë i papritur se i parashikuar do të trondiste jo vetëm familjarët, por edhe miqtë dhe kolegët e tij, që ndanë jo vetëm skenën me të, por edhe momente gëzimi e vështirësish në një jetë të tërë krijimtarie.  Emri i tij do të jetë vështirë të harrohet, pasi rolet që ka interpretuar i madhi Vangjeli janë nga më të larmishmet. I pari që të vjen ndërmend është ai i Koçit, i prodhuar me aq talent në filmin “Zonja nga qyteti”. Një personazh i veçantë si në karakter ashtu edhe lëvizje, ky rol ka mbetur në mendjet e gjithë shqiptarëve dhe duket se Vangjli do na kujtojë me këtë rol figurën e tij të re e të pavdekshme. Për të mos harruar pastaj role të tjerë që ndryshojnë, tërësisht nga njëri tjetri. Ai që do ta bënte atë edhe më të dashur për publikun, ishte ai i Enver Hoxhës në serialin televiziv “Gjuetia e fundit”, ku interpretonte në krah të aktorëve Koço Devole, Agim Bajko, Mariana Kondi e shumë të tjerëve. Në këtë rol aktori kollos, ka thyer për herë të parë mitin e diktatorit në mënyrë ironike, duke përcjellë kështu të vërtetat e një diktatori tipik.

Për një kohë të gjatë ai interpretoi jo më pak se 100 role, duke bërë kështu spektatorin të qeshë për vite me radhë. Ai ishte njeriu që sillte gaz në çdo tavolinë. Ishte njeriu që diti të interpretonte parodinë, këngën humoristike me zërin e tij të mrekullueshëm, por mbi të gjitha do të mbetet një aktor i madh i skenës dhe ekranit.

 

Fillimet

Nëse do të kujtonim fillimet e tij si aktor ato janë shumë interesante. Pasi Vangjeli, që në kohën e gjimnazit, bënte për të qeshur të gjithë shokët e tij, duke penalizuar dhe veten në rast teprimi. Audiencën e kish fituar që atëherë. Ja si do të fliste aktori për fillimet e tij:

“Ndërsa isha 14 vjeç, kur im atë më futi në shkollën Skënderbej, bëja kaq humor sa arritën e më përjashtuan në vit të tretë. Të dhënat e aktorit i kisha që atëherë, madje arrita që 14 vjeç të transmetoja në gjuhën angleze ndeshjen imagjinare “Angli- Shkolla Skënderbej”. Dhe vija në formacion të gjithë oficerët e shkollës me lojtarët e Anglisë. E gjithë shkolla qeshte me lot.

Gjithmonë kur vinte inspektimi mua më çonin në një dhomë kulture, më izolonin aty, deri sa të ikte kontrolli i Ministrisë së Mbrojtjes. Krijoja ilaritet dhe këtë gjë ato nuk e donin sepse isha në një shkollë ushtarake dhe duhej disilpinë”, do të shprehej aktori. Të gjitha këto ngjarje të jetës shkollore, bënë që në vitin e tretë të përjashtohej si “skënderbegas” dhe të vazhdonte dy vitet që pasuan si civil për ndihmës mjek.

Fillimet e punës ishin si ndihmësmjek në Spitalin ushtarak, por si gjithmonë në raste të tilla, talenti e ka të pamundur t’i nënshtrohet rutinës dhe përherë dikush bëhet shkas që diçka të ndodhë. “Një mik i imi, një mjek që e kam shumë për zemër më thotë: “Oh, Vaso, ç’e vazhdon kot mjekësinë, këtu ka vetëm vuajtje. Ik, ti je për art. Shko vazhdo dramatikun dhe bëhu aktor”, thoshte aktori teksa dikur na rrëfente për rrugën e artit që nisi. Talenti i tij ishte shumë i dukshëm por dalëngadalë kuptoi që ajo ishte jo vetëm ëndërr e tij por edhe të tjerëve për ta parë atë si një debutues të shkëlqyer të humorit.

 

Në estradën e Tiranës

Ndonëse e ka nisur punën i detyruar, ajo çfarë i ka dhuruar skenës së humorit ka qenë dhe është vërtet e mrekullueshme.

Puna në estradë ishte e madhe. Kishte 5 premiera që jepeshin në vit dhe shfaqjet bëheshin nga e marta në të dielë. Punoi me një kolektiv që do e cilësonte i shkëlqyer që nga Skënder Sallaku, babai i humorit të Estradës së Tiranës, Vegim Xhani, Behar Mera, partneret e mia në role, si Maxhide Pici, një aktore e shkëlqyer e estradës, Shpresa Bërdëllima, Rabije Hyka, Marjana Kondi, Rita Lati, Vera Veizi, Natasha Sela, etj. Aktori ka luajtur një mori parodish, kupletesh, skeçesh, pavarësisht se ajo çfarë ka pasur më shumë për zemër ishte interpretimi në komedi të gjata, prej 2-3 aktesh, si dhe në komedi muzikore, që ndryshe quhen “vodevil“. Përmendim këtu komedinë “Mimoza pyeti zemrën”, “3 dhëndurrët”, “Mirela”, “Trimi”, “Revolveri”, “Oreksi i madh”, etj.

     

“Koçi”, një nga takimet më të bukura të jetës!

Edhe pse filmin “Zonja nga qyteti”, e kemi parë me dhjetëra herë në ekranet tona dhe kemi qeshur aq shumë me të, personazhi i “Koçit” vazhdon të ngelet ndër më simbolikët e kinemasë shqiptare. I papërsëritshëm, grotesk, tipik dhe i paharruar. Ja se si aktori Vasillaq Vangjeli na tregonte të gjithë rrugën e procesit të tij krijues për të ardhur tek ky rol.

“Aktori që kur merr rolin do fillojë e të mendojë, të kërkojë në kujtesën e tij emocionale se ku e ka parë këtë figurë, ose nëse nuk e ka parë asnjëherë në jetën e tij, duhet të fillojë ta kërkojë në jetë. Për fatin tim të mirë kam ndenjur shumë në popull. Roli i  Koçit ishte gati një rol “jashtëtokësor”.

Në ato vite një skulptor bënte breshka me allçi, kuaj me çizme meksikane. M’u kujtua një personazh pak a shumë i tillë që e kisha takuar dikur dhe fillova ta kërkoj, të jetoj e të pi kafe përditë. Kam ndenjur rreth dy muaj me të, nga mëngjesi deri në darkë. Në çdo moment shikoja se si ai fliste, hante, ecte, mendonte, marrëdhëniet me të tjerët, karakterin e tij në thellësi. Ky “Koçi” që kisha gjetur, edhe fizikisht dukej “sikur kishte gëlltitur okllainë”. Ai është personazh i gjallë sot. Pasi doli shfaqja në teatër, kur ai kalonte në lagje të gjithë e thërrisnin “Koçi”. Edhe mua më thërrisnin “Koçi”, por unë gëzohesha sepse kisha luajtur një personazh. Pasi nisën ta shqetësonin shumë me këtë emër, më tha: “Ore maskara, prandaj ke ndenjur ti me mua? Çfarë më paske bërë? Ti më paske kopjuar mua një për një që më thërrasin “Koçi”.

Edhe sot kur e shoh filmin qesh, sidomos kur dëgjoj të qeshurën e “Koçit”, një e qeshur kali dhe jo e natyrës njerëzore. Mbaj mend kur bëhej montazhi në Kinostudio, qeshte i gjithë laboratori”,- na tregonte aktori me shumë nostalgji për kohën e tij me “Koçin” dhe për këtë eksperiencë të paharrueshme të jetës së tij.

 

Guximi për të sjellë figurën e diktatorit

Nëse ekziston një aktor që ka interpretuar karakterin e diktatorit shqiptar në të gjitha detajet dhe grimasat e tij, nëse është dikush që ka pasur guximin që në vitin 1992 për ta bërë këtë, aq më tepër në një komedi demaskuese, kur era e ndryshimit frynte ende e turbullt, ky është aktori Vasillaq Vangjeli.

Ja se si do të na rrëfente aktori për këtë rol sa të vërtetë aq edhe të guximshëm: “Roli ishte me shumë guxim për momentin. I mendova gjërat të gjitha.Thashë me vete: në fund të fundit një herë lind njeriu dhe një herë vdes. Kisha presione nga më të ndryshmet që të mos e luaja rolin. Për ndërtimin e kësaj figure më është dashur shumë punë. Nga ana vizive e njihnim, por nuk dinim thellësinë dhe poshtërësinë e tij. Ishte nga ato që të vriste natën dhe të qante ditën.

Duhet të dilnin në pah vetë veset e këtij njeriu. Mënyra se si sillej me popullin, se si tallej me popullin. Të gjitha këto duhej të dilnin përmes batutës, përmes humorit, fjalës. Pastaj m’u desh të punoja shumë me dialektin gjirokastrit. I gjithë teksti u shkrua edhe një herë gërmë për gërmë në dialekt.

Unë shkova në Gjirokastër, ndenja një muaj aty dhe mora shprehje dialektore të asaj kohe, të cilat i kam futur në rol. Kur doli filmi, ishte viti i ri i 1993, ai u prit jashtëzakonisht mirë nga i gjithë populli, por nuk u prit mirë nga patologjikët e tij. Kishte një reaksion të tmerrshëm të tyre që më shikonin në sy gjithë urrejtje”.

 

Nga kolosi i estradës në kamarierin e lokalit

Në vitin 2005, kur u shkri Estrada e Tiranës, Vasillaq Vangjeli u gjet i papunë. Megjithëqë merrte pjesë në projekte të ndryshme private, ishte e pamundur të plotësonte nevojat familjare, ndaj edhe kishte hapur një restorant modest pranë Medresesë, ku gjeje vazhdimisht miq edhe shokë. “Nuk është puna ime kjo. E bëj me qejf sepse mbaj fëmijët, por nuk është punë kjo”, thoshte Vaso, teksa shpresonte që shteti të mendonte më shumë për aktorët e humorit. “Më hanë duart për punë. Sepse jemi në pikun e pjekurisë artistike. Është një pozicion shumë i keq…

Dëshirën që kisha sa dola nga shkolla për të punuar në Teatrin Popullor, do të doja ta realizoja tani. Vitet e fundit t’i kaloja atje. Do të doja të realizoja disa figura, që nuk munda dot dhe të dal i qetë në pension. Nuk ka rëndësi se çfarë. Por i dua tre komedi të mirëfillta. Por të kemi jetë e shëndet. Nuk kam ngopur veten time akoma me art. Kam role pa realizuar”, do të thoshte ai dikur sikur ta ndiente që dëshirat e tij të fundit nuk do të realizoheshin kurrë.

Për aktorin e madh jeta në fund solli trishtim, pasi vetëm në lokalin e tij, vetëm pranë miqve ai kërkonte të gjente vetveten, të kujtonte humorin herë pas here apo të këndonte teksa i duhej të bënte kamarierin për të jetuar.

“Të jesh aktor i varietesë duhet të plotësosh shumë kushte. Duhet të dish të aktrosh, të këndosh, të bësh parodi, pantonimë, balet, recitim, valle, e shumë të tjera si këto”