Këtë javë, qendrat tregtare hapën dyert së bashku me disa kategori të tjera biznesesh si berberët, parukeritë, dentistët, të gjithë nën protokolle të veçanta rast pas rasti. “Monitor” kreu një vëzhgim për mënyrën sesi respektohen masat e vendosura në qendrat tregtare, ku numri i atyre që i vizitojnë është më i lartë dhe zbatimi i masave mbetet më shumë në ndërgjegjen e qytetarëve sesa te detyrimi.

Ashtu sikurse ishte parashikuar në protokoll, në hyrje të qendrave janë të hapura vetëm dy dyer, një për hyrjen dhe një për daljen. Në krahun e hyrjes ndodhet një përfaqësues i qendrës që mat temperaturën e çdo individi që tenton të hyjë. Po kështu në hyrje kërkohet që qytetarët të jenë të pajisur me dorashka dhe maska. Jo të paktë ishin ata që u ndaluan në hyrje pasi nuk kishin këto mjete pavarësisht se kjo është një kërkesë që lakohet prej ditësh. Në asnjë rast qytetarët pa këto mjete mbrojtëse nuk u lanë të hyjnë në qendër.

Sfida e vërtetë fillon sapo hyn në qendër. Brenda hapësirat e kafeneve janë të rrethuara me shirit duke mos lënë mundësi që të ulesh. Përfaqësuesit e sigurisë së qendrave monitorojnë hapësirat brenda qendrës dhe respektimin e sinjalistikës së vendosur, por një pjesë e mirë e qytetarëve e neglizhojnë.

Dyshemetë e qendrave janë pajisur me sinjalistikë ku në njërën anë, me një ngjyrë specifike tregohet rruga që duhet të ndjekë një qytetar për hyrje dhe qarkullim në qendër deri tek dyqani më i fundit, ndërsa paralel me këtë në distancë 2 metra është vijëzuar me një ngjyrë tjetër qarkullimi në të kundërt që të çon drejt daljes. Jo të pakta ishin rastet kur qytetarët për dy ose tre bënin daljen krejt në të kundërt të asaj që tregon sinjalistika. Brenda dyqaneve të mëdha apo supermarketeve një pjesë e qytetarëve mbajnë dorezat, por ulin në pjesën e qafës maskën duke qenë në shkelje të plotë të kërkesave.

Dyqanet janë të pajisur të gjithë me alkool dhe xhel dezinfektues, si dhe kanë shënjuar distancën nga kasa tek blerësi në momentin e pagesës. Brenda dyqaneve të vogla (dyqane ku tregtohen çanta në këtë rast ku ne ishim të pranishëm) edhe pse mund të ketë dy individë që janë duke parë artikujt, klientë të tjerë hyjnë lirisht duke mos respektuar kërkesat e distancës, duke vënë disi në siklet edhe stafin që nuk di sesi të veprojë.

Për një pjesë kthimi për të bërë pazare brenda qendrave ka qenë njëlloj si para COVID-19 dhe duket se protokollet edhe pse mund të zbatohen nga njëra palë, neglizhohen nga tjetra. Funksionimi i skemës ka nevojë që të dyja palët të respektojnë me përpikëri rregullat dhe ndërgjegjësim me të lartë qytetar.

Masat që duhet të zbatojnë qendrat e vizitorët

Në qendra tregtare nuk do të kemi luksin që të kalojmë një paradite apo pasdite të gjatë. Koha do të jetë e kufizuar, në mënyrë që të mos krijohen grumbullime. Shkoni në qendra vetëm kur është e nevojshme, thuhet në rregullore.

Rregullat kryesore janë:

-Një vizitor mund të qëndrojë vetëm për maksimum 2 orë dhe në qendër nuk mund të lejohen më shumë se 50% e kapacitetit të saj në të njëjtën kohë.

-Qendra tregtare duhet të informojë paraprakisht vizitorët për limitin e fashës orare dhe kapacitetet që qendra tregtare duhet të ketë gjatë kësaj periudhe.

-Qendra tregtare duhet të ketë dyer elektrike, duhet të përcaktojë vetëm një hyrje dhe një dalje, pra lëvizje e vizitorëve vetëm në një drejtim.

-Të gjitha pikat e hyrjes në qendër duhet të jenë të hapura për të siguruar kalimin e vizitorëve në korridorin e sigurisë, i cili duhet të jetë me shenja të dukshme në dysheme.

-Qendrat tregtare do të kenë një plan veprimi për higjienën dhe dezinfektimin.

-Të gjitha qendrat tregtare do të kenë një dhomë izolimi mjekësor për qëllime urgjente në rast se dikush në qendër dyshohet se është i infektuar nga virusi.

-Sipërfaqet me nivel ndotje apo prekje të lartë duhet të pastrohen shpesh me dezinfektues (shkallët elektrike, butoni ashensorit, tualetet etj.)

-Të përdoret ashensori por jo më shumë se 30% e kapaciteteve të tij

Qendra tregtare dhe dyqanet të promovojnë pagesat me kartë por nuk përjashtohet pagesa “cash”.

Shërbimet tregtare me tavolina apo shërbim në këmbë, nuk lejohen gjatë kësaj periudhe në ambientet e brendshme të qendrës tregtare.

-Subjekti shërben vetëm një klienti në ambient, ndërkohë që të tjerët presin jashtë në radhë me distancë 2 metra nga njëri-tjetri. Në ambientet me hapësirë mbi 30 metra katrorë mund të lejohet proporcionalisht një klient tepër për çdo 10 metra katrorë shtesë ambienti, duke orientuar klientët në ruajtjen e distancës. Jashtë vendosen shenjat identifikuese të radhës për hyrje në ambient ose mund të vendoset një punonjës për të drejtuar hyrje-daljen e klientëve. Në arkë vendoset shenja identifikuese e distancës klient-arkë.

Monitor.al