Brukseli po u bën thirrje vendeve të Bashkimit Europian që të hapin kufijtë për udhëtarët nga jashtë bllokut nga 1 korriku.

Komisioni Europian ka rekomanduar që të hiqen kufizimet e udhëtimit për Shqipërinë, Bosnjë dhe Hercegovinën, Kosovën, Malin e Zi, Maqedoninë e Veriut dhe Serbinë.

“Udhëtimet ndërkombëtare janë thelbësore për turizmin dhe biznesin, dhe për rilidhjet familjare dhe miqësore,” tha komisionerja e BE-së për Punët e Brendshme, Ylva Johansson.

Vendet europiane gradualisht kanë filluar të heqin kufizimet e kufijve të brendshëm, të vendosur për të ndaluar përhapjen e Covid-19. Heqja e kufizimeve të udhëtimeve varet nga vendet e BE-së që hapin kufijtë e tyre të brendshëm në 15 qershorit.

“Ju duhet të hapeni sa më shpejt të jetë e mundur,” tha Johansson.

Por jo të gjitha vendet planifikojnë të rihapin kufijtë për udhëtarët e BE-së javën e ardhshme. Spanja dhe Portugalia rihapen më vonë në qershor, ndërsa Danimarka planifikon të hapë kufijtë vetëm me Gjermaninë, Islandën dhe Norvegjinë.

Komisioni Europian u kërkon vendeve anëtare të bien dakord për një listë të vendeve jo-anëtare të BE-së ku udhëtarët mund të vijnë nga fillimi i korrikut.

Kushtet për heqjen e kufizimeve për vendet jashtë BE-së do të përfshijnë nivelin e infeksionit si dhe aftësinë e vendit për të trajtuar virusin. Kufizimet duhet të mbeten aktive për vendet që kanë ende një shpërthim të lartë të Covid-19.

“Do të zbatohet për të gjitha vendet në një situatë të ngjashme ose më të mirë me BE,” tha Johansson, duke sqaruar se jo të gjitha kufijtë e jashtëm duhet të hapen nga 1 korriku./Euronews