Studiuesit janë duke bërë “përparim të mirë” në zhvillimin e vaksinave kundër Covid-19, por përdorimi i tyre i parë nuk mund të pritet deri në fillim të vitit 2021, tha të mërkurën një ekspert i Organizatës Botërore të Shëndetësisë (WHO).

OBSH po punon për të siguruar shpërndarjen e drejtë të vaksinave, por ndërkohë është thelbësore për të frenuar përhapjen e virusit, tha Mike Ryan, kreu i programit të urgjencave të OBSH-së, pasi rastet e reja në të gjithë botën janë gati në nivele rekord.

“Ne po bëjmë përparim të mirë,” tha Ryan, duke vënë në dukje se disa vaksina tani janë në fazën e tretë të testimit dhe asnjëra nuk ka dështuar në aspektin e sigurisë ose aftësisë për të nxitur reagimin e sistemit imunitar.

“Realisht do të jetë pjesa e parë e vitit të ardhshëm, kur do të fillojmë të shohim njerëz që vaksinohen”.

OBSH po punon për të zgjeruar aksesin në vaksinat e mundshme dhe për të ndihmuar kapacitetin e prodhimit në shkallë të lartë.

“Dhe ne duhet të jemi të drejtë për këtë, sepse kjo është një e mirë globale. Vaksinat për këtë pandemi nuk janë për të pasurit, ato nuk janë as për të varfërit, ato janë për të gjithë”.

Qeveria amerikane do të paguajë 1.95 miliardë dollarë për të blerë 100 milionë doza të një vaksine Covid-19 që po zhvillohet nga Pfizer Inc dhe kompania gjermane BioNTech nëse provon se ka efekt të sigurt./Reuters