Një rini nga ku nuk do të donin të ndryshonin asgjë: pasione të vrullshme dhe eksperienca të papërsëritshme.

Ai një tip impulsiv, i zhurmshëm, hokatar, energjik. Ajo një vajzë e tërhequr, e mbyllur, që shkonte me qetësi në rrugën e saj. Ndërsa ai shfaqej si artist mjaft interesant, që nuk hezitonte të provonte gjithçka, që nga kënga, kompozimi, dj, apo imitimi, ajo një vajzë e shtruar, e përqëndruar tek baleti dhe televizioni. Ajo marramendase në bukurinë e saj, ai simpatik në spontanitetin e tij. Ajo e adhuruar nga të gjithë meshkujt, ai i lakmuar mjaft nga femrat.

Dhe mes tyre, një “love story”, që i bëri të ndihen me fat. Këta dy të rinj artistë, një ditë të bukur u takuan nëpër studiot televizive, dhe si në një përrallë me princ dhe princeshë, ranë në dashuri e tani kanë vendosur të martohen.

Dasma nuk është larg, fundi verës që vjen a fillimi vjeshtës, do t’i gjejë të martuar. Ndërkohë pesë vite dashuri, përveçse kanë forcuar lidhjen, i ka bërë më të vetëdijshëm për rëndësinë që ka prania e njëri-tjetrin në jetën e tyre.

“Me Ermalin kemi ndërtuar shumë gjëra, thotë Ami. Ne kemi projektuar jetën, të ardhmen tonë bashkë. Ardhja e Ermalit, sigurisht ma ndryshoi jetën dhe m’i bëri ditët më të gëzuara. Është në parimet e mia që nuk jepem shumë pas bukurisë. Ermali është një djalë mjaft i këndshëm. Kjo do të thotë se ne të dy e balancojmë shumë mirë njeri-tjetrin. Jemi tipa, për disa gjëra të kundërt, dhe për shumë të tjera të përafërt”.

Nga ana tjetër Ermali, e quan veten me fat që ka njohur dhe është dashuruar me Amin. Thotë se ajo është 100 për qind e rëndësishme për të. “Është ajo që më ka shtyrë të bëj shumë gjëra. Që nga momenti kur u takuam deri më sot, jeta ime ka ndryshuar dhe kjo ka ndodhur si pasojë e Amit. Kjo femër nuk është thjesht e bukur, ose e njohur në televizion, por di të jetë edhe një njeri i dashur, një shoqe e mirë dhe bashkëshorte e denjë”.

Takimi me ta në agjencinë që prej tre vitesh drejtojnë zgjat më shumë nga ç’është programuar, ndaj ata me vështirësi arrijnë të shkëputen nga klientët që gjithmonë kanë nevojë për praninë e tyre. “Megjithëse vajzat e sallonit janë të gatshme gjithmonë për të shërbyer, unë duhet të jem aty përherë prezente, sepse klientet ndihen më të sigurta për zgjedhjet e tyre kur jam aty”, tregon Ami. Ajo ka veshur një komplet sporti të zi, ka lidhur flokët me një llastik,  dhe me atletet në këmbë dhe pa grim në fytyrë, duket e re si një vajzë shkolle. Ami dhe Ermali u duhet të mendojnë për dasmat e klientëve. Dasma e tyre?! Thonë se vërtet nuk i kanë qartësuar idetë. Mjaft të jetë një festë që të përmbushë dëshirat e tyre dhe të gjithë të ndihen të kënaqur.

Biseda i përfshin të gjitha, dashurinë, bashkëjetesën shtëpinë e re, të cilën po e kompletojnë me shumë kujdes, biznesin që kanë ngritur, martesën, fëmijët. Ai do djalë, ndërsa Ami vajzë, madje kanë gati edhe  këshillat që do u japin atyre gjatë jetës. Por deri tek fëmijët, ka ende kohë.

I pyesim se si ndihen në pragmartesën e tyre, dhe ata janë përgjigjur pa rezervë, sepse siç thotë Ami: “A duhen thënë tani të vërtetat siç janë, a s’duhen thënë kurrë më! Dasma është një eveniment që i ndodh çdo njeriu në jetë. Edhe ne do të planifikojmë dasmën tonë sipas ëndrrave tona.”

“Love story” nga një “sms”

Është e natyrshme, që kur dy njerëz të njohur vendosin të martohen, e gjithë vëmendja të shkojë tek historia e tyre e dashurisë. Kështu po ndodh edhe me çiftin më të lakmuar të momentit, Ami dhe Ermali, të cilët kanë pranuar të rrëfejnë detajet e lidhjes së tyre.

Si ka nisur historia juaj?

Ami: Ka nisur shumë natyrshëm, nuk ka qenë dashuri me shikim të parë. Ka qenë pa paramendim, shumë e shpejtë si fazë e parë e lidhjes dhe shumë spontane. Mbaj mend se dy tre kafet e para i kemi pirë si shokë dhe pastaj menjëherë e kuptuam se do ndryshonim status.

Ermali: Mbaj mend që kemi bashkëpunuar në Portokalli për shumë kohë. Më pas, një ditë unë i dërgova Amardës një mesazh ku e pyesja “Do të pimë kafe”?

Ami: Unë nuk ia kisha numrin Ermalit dhe nuk e dija se kush ma dërgoi këtë sms. Ndërkohë që ishim të dy në të njëjtën tavolinë, pune, ballë për ballë.

Ermali: Unë shihja mimikën e fytyrës së Amardës ndërsa ajo lexonte sms-në dhe pashë se ajo u çudit. Duke parë reagimin e saj, unë i dërgova një sms tjetër ku shkruaja: “Unë jam, unë” dhe qesha. Pastaj pimë një kafe.(qesh)

Ami: Ishte viti 2005, sezoni i pranverës së “Portokallisë”. Unë në muajin mars, pak kohë nga historia e këtij mesazhi, kisha ditëlindjen dhe Ermali atë ditë më thotë: “Më jep pak çelësat e makinës! Ashtu kam një punë, të lë diçka që të mos e mbaj në dorë”. Unë sigurisht ia dhashë, pa menduar dhe pyetur për asgjë. Kur mbaroi shfaqja, secili shkoi në punën e tij. Kur, hipa në makinë pashë një tufë të madhe me lule, bashkë me një dedikim. Prej këtu filloi gjithçka.

Po puthja e parë?

Ermali: E rrëmbeva, mund të them. Po dëgjonim një këngë. Ishim te studioja ime. Ami kishte disa ditë që vinte aty dhe dëgjonte këngët e mia. Puthja ndodhi nga të dyja palët.

Si ndryshoi sjellja juaj kur filluat dashurinë?

Ermali: Unë e lëshova veten fare. Nuk më vjen turp ta pranoj që isha gjithë kohës në ajër. Nuk pyesja për njerëzit përreth, rrija gjithë kohës tek prehri, ose shpatulla e saj. Nuk lejoja të rrinte asnjë minutë vetëm.

E kishe të shkruar në ballë se kishe rënë në dashuri?

Ermali: Jo në ballë, por unë kisha një re që më ndiqte nga lart ku shkruhej: “Ky është Ermali, që është i dashuruar”.

Është e vërtetë ajo, që njeriu dashuron vetëm një herë në jetë.

Ami: Dhe në atë kohë Ermali u bë më i bukur se kurrë, filloi palestrën, filloi ta mbante veten shumë më tepër, bënte trajtime estetike. (qesh)

Ermali: …Elektroda për barkun, madje bleva edhe makinën e re… (qesh)

Pra është e vërtetë se ke blerë makinë të re me kredi për t’i fituar zemrën Amit?

Ermali: Me kredi asnjëherë. Është e vërtetë se kam blerë makinë, por e zgjodhi vetë Ami, më saktë ndërrova makinën ekzistuese, me një tjetër më komode. Nuk jemi tipa që na bën përshtypje ana materiale për t’i fituar zemrën dikujt.

Ami: Jemi të dy tipa romantikë. Mua më shumë më bëjnë përshtypje, lulet dhe sms-të, sesa le të themi, makinat.

Po ti Ami, çfarë ndryshimesh ke pësuar?

Sigurisht që kam qenë shumë e lumtur. Ka qenë një ndër fazat më të lumtura të jetës sime. Edhe unë në atë fazë kam kaluar jo pak situata, nuk pyesja më për njeri. Shumë shpejt koha tregoi se gjërat ecën me ritëm. Lidhjen e bëmë shumë shpejt publike, rrinim gjithë kohës bashkë, u fejuam, nisëm biznesin e shumë gjëra të tjera.

Në mars na bëhen pesë vite që jemi bashkë, ndërkohë që mua më duken shumë më tepër. Fatmirësisht kemi një jetë aspak monotone dhe shumë në lëvizje. Jemi dy njerëz të lumtur.

Martesa është lumturi apo frikë?

Ami: Lumturi, kënaqësi për të provuar gjëra të reja, ditë pas dite. Aq më tepër që çiftet bashkëjetojnë para martese. Ne bashkëjetojmë prej më shumë se një viti dhe nuk ka asgjë për tu trembur.

Ermali: Unë nga martesa kam vetëm një frikë. Uroj që fëmija ynë t’i ngjajë Amardës. Uroj të mos më ngjajë mua, kjo është frika.

Ami: (qesh) Nëse është vajzë, uroj të mos i ngjajë, por nëse është djalë atëherë po, t’i ngjajë Ermalit.

Si mendoni, përse martohen njerëzit?

Ami: Martesa vjen si rrjedhojë e dashurisë, por bota është krijuar e tillë, që dy njerëz duhet të martohen që të kalojnë në një stad tjetër. Pavarësisht se mosha mesatare e martesës po rritet.

Ermali: Është ligj i shkruar nga zoti, është i shkruar në librin e shenjtë, në Bibël. Njerëzit duhet të martohen. Megjithëse sot po shohim forma të reja të martesës, si martesa mes homoseksualëve, martesa me kontratë, etj. Ndërsa ne të dy martohemi vetëm për dashuri.

Gratë e nisin martesën me idenë që t’i ndryshojnë burrat, ndërsa burrat me idenë që e dashura e tyre të mos ndryshojë kurrë. Po me ju si ndodh?

Ami: Sinqerisht nuk kam në mendje diçka që të dua ta ndryshoj tek Ernali, ose të jetë deri në atë pikë, sa mua të më prishë punë në hapësirën time individuale. Çdo njeri ka individualitetin e tij dhe si i tillë duhet të ngelet. Që të mos i lesh tjetrit të kuptojë që po jetove me mua do të jetosh me frikë, atëherë më mirë lëre të lirë dhe mos vër kushte.

Ermali: E vetmja gjë që dua të ndryshojë Ami është që, kur ajo të mbushë 30 vjeç, të presë flokët. Kështu e kemi lënë. Ndërkohë që dua të mos humbë elegancën që Ami ka.

Ermal Mamaqi është një ndër personazhet televiziv mjaft të dashur për publikun. Me Amarda Toskën, partneren e tij të jetës, janë njohur në një nga sezonet e “Portokallisë”, në Top Channel ku ai aktronte si pjesë e grupit “The Shblsh”. Tani Ermali është përfshirë me të njëjtin grup në një produksion tjetër të humorit, që mban titullin “Apartamenti 2XL”, nË Vizion Plus.

Ermali: “Jam pak xheloz”

Ami: “zënkat  na pëlqejnë”

Cili është më xheloz?

Ermali: Unë jam më xheloz.

Ami: Ermali.

Për cilin argument ziheni më shpesh?

Ermali: Për gjumin dhe korrektësinë. Amarda fle gjumë dhe vonohet shumë në një takim.

Ami: Janë zënka që na pëlqen t’i bëjmë. Për gjumin, unë fle deri në orën 9 çdo mëngjes, si çdo femër tjetër, që nuk punon në bankë. Fle normal si të gjithë. Por Ermali do që unë të zgjohem më herët.

Kush është i pari që pajtohet?

Ermali: Unë.

Ami: Ermali.

Ju ka shkuar ndër mend të ndaheni, në një moment të caktuar?

Ermali: Jo, asnjëherë.

Ami: Jo, jo. Është shumë herët për ta menduar këtë. Maksimumi që mund të bëj është që të mos i kthej mesazhin dhe jo të ndahem. (qesh)

Në një qendër tregtare ngeleni para vitrinës së një dyqani elektronik, veshjesh, apo orendish shtëpiake?

Ermali: Nëse do isha vetëm, para një dyqani elektronik, ndërsa me Amin, para një dyqani veshjesh.

Ami: Ermali është shumë i dhënë pas elektronikës, kurse mua si femër, për veshjet. Këtë periudhë jemi përqrndruar edhe tek orenditë shtëpiake, pasi po kompletojmë shtëpinë  e re. Gjatë dy rrugëve të fundit në Itali, kam marrë mjaft të tilla.

Tirana është qytet i zhurmshëm, qyteti ku bëni biznes, apo jetoni këtu se këtu i keni mundësitë?

Ermali: Tirana është shumë e zhurmshme, por ç’të bëjmë se këtu kemi biznesin, sepse do të doja të jetonim, përshëmbull në Madrid.

Ami: Tirana është qyteti im, kam provuar të jetoj jashtë, qoftë edhe për periudha të vogla dhe gjithmonë kam qenë me kokën pas. Nuk jam nga ato tipa që jeton jashtë. Mbase vetë jeta ime e krijuar deri tani këtu, nuk ma krijon kënaqësinë e të ndenjurit jashtë.

Cilat janë pushimet ideale?

Ermali: Në mal, borë, ski, verë pranë zjarrit.

Ami: Duke qenë të impenjuar, nuk kemi shumë kohë për pushime të gjata, vetëm në dimër. Më pëlqejnë ato pushimet e shkurtëra me nga 2-3 ditë.

Cili është filmi që preferon?

Ermali: Rocky.

Ami: “Brave heart”. Më ka ngelur në mendje që kur e kam parë për herë të parë dhe nuk më mërzitet.

Muzika që preferon?

Ermali: Rrok.

Ami: Muzika dance. Nuk më pëlqen muzika e shtruar, melankolike.

Fudjavat si të pëlqen ti kalosh?

Ermali: Duke shkuar për peshkim.

Ami: Prej dy vitesh, në dy muajt e parë të vitit ne gjithmonë shkojmë për ski. Shkojmë në Maqedoni, Itali, Greqi.

Cili është sporti që të pëlqen?

Ermali: Futbolli.

Ami: Tenisi.

Do futeshe në një reality show?

Ermali: Po të mos isha i famshëm, po.

Ami: Jo.

Po nëse do bëhej për njerëzit e famshëm?

Ermali: Jo, sepse duhej të lija Amardën jashtë dhe nuk e lija dot vetëm.

Ami: Jo, në asnjë rrethanë, nuk më pëlqen të jem nën vëzhgimin e të tjerëve dhe të më komentojnë.

Më mirë artist apo biznesmen?

Ermali: Më mirë njeri i artit.

Ami: Të them të drejtën nuk i ndaj dot. Jeta e artit është me të vërtetë e bukur. Bën një punë shumë të bukur, të njohin e të vlerësojnë të gjithë. Ndërsa biznesi është pak më i egër, më i fortë. Nuk do i ndaja dot, edhe për vetë faktin se prej tre vitesh unë jetoj mes këtyre të dyjave, artit dhe biznesit.