Si në çdo film hollywood-ian, në këtë rrëfim ka pasion, aventura dhe mjaft dashuri, ku pasioni më i madh është ai për aktrimin. Aktori Blerim Destani, pas filmit “Koha e kometës”, përjeton kohën e suksesit, që si i tillë, ka sjellë mjaft ndryshime në jetën e aktorit të ri. Tetë filma për aktorin 29 vjeçar, një karrierë e nisur bukur dhe që parashikohet të ecë gjatë, derisa talenti dhe ambicia nuk mungojnë…

 

Nga Neritana Kraja

Emri i tij ka mbërritur edhe në Hollywood, vendin ku ëndrrat e artistëve bëhen reale. U bë i njohur për publikun shqiptar me filmin “Koha e kometës”, të regjisorit Fatmir Koçi, ku ai interpretonte rolin e Shestanit. Para këtij filmi ai ishte një aktor i ri me shumë dashuri për profesionin e aktrimit, që po kërkonte vendin e tij në arenën e kinematografisë botërore. Menjëherë pas suksesit të filmit “Koha e kometës”, jeta e tij ndryshoi tërësisht. Filmat e realizuar dhe ofertat joshëse e kanë shndërruar atë në një aktor me përvojë.

 

Duket se periudha më delikate e një aktori, është ajo që ndan suksesin e një filmi me  pritjen e produktit të ardhshëm. Si është për ju kjo periudhë, pas suksesit të “Kohës së  kometës”?

Është e vërtetë se te secili artist pas përfundimit të një projekti pason një fazë kohore ku ai ndjen një zbrazëtirë pasi nga vetja ka zbrazur një sasi të madhe emocionesh dhe energjie. Dhe kjo fazë zakonisht kalohet duke tentuar të rimbushësh bateritë. Një fazë të tillë kisha pas përfundimit të “Koha e kometës”. Mund të them se unë isha me fat, dhe pas filmit “Koha e kometës” më vërshuan oferta të tjera dhe projekte shumë të rëndësishme. “Koha e kometës” ishte filmi im i tretë, ndërsa unë tani kam realizuar filmin tim të tetë. Kështu që tani edhe kohën mes projekteve e kam plotësisht të programuar dhe më duhet që atë ta shfrytëzoj maksimalisht për tu përgatitur për projektin e radhës.

Si e pritët suksesin dhe vëmendjen ndaj jush si aktor, pas “Koha e kometës”?

Kuptohet që e prisja një gjë të tillë, pasi të gjithë treguesit për produksionin tregonin qartë se filmi do ishte i suksesshëm, dhe gjithë investimi në film ishte i qëlluar. Unë nga ana ime për rolin e Shestanit u përgatita maksimalisht duke u përkujdesur për çdo detaj të rolit.

 

Cili ishte Blerimi para “Kohës së kometës”?

Para “Koha e kometës” isha një aktor i ri, me shumë dashuri për profesionin e aktrimit, një aktor që kërkon vendin e vet të merituar në arenën e kinematografisë kombëtare dhe ndërkombëtare. Pas “Koha e kometës” isha një aktor i ri, me një përvojë të suksesshme pas vetes dhe me dashuri edhe më të madhe për profesionin e aktrimit. Tani jam një aktor me shumë përvojë në arenën ndërkombëtare të kinemasë.

Sa ishte e vështirë të kapërceje kohërat, e të futeshe në rrobat e një personazhi të Shqipërisë të 1914-ës, kur ti i përket një të riu europian të 2010-ës?

Sa ishte e vështirë, aq ishte edhe kënaqësi. Ky është edhe një nga dimensionet e këtij profesioni që të jep kënaqësi më të madhe – mundësia të udhëtosh në kohë. Unë jam një i ri europian dhe bashkëkohor, por nëse bazohesh në energji dhe emocione, ato aspak nuk kanë ndryshuar. Ndjeshmëria është e njëjtë, kanë ndryshuar vetëm rrethanat.

Titulli:

“Dua një pasaportë shqiptare”

Somario:

Aktori Blerim Destani tregon se ndihet me fat që ka zgjedhur si profesion të bëhet aktor. Në çdo kinoprovë ai deklaron se është shqiptar. Ndërsa tani thotë se dëshiron të aplikojë edhe për pasaportën shqiptare

 

Po, si ndodhi që u bëre aktor? Si lindi dëshira, në cilat rrethana, kush ju nxiti dhe kur ndodhi kjo?

Që kur di për veten, jam gjendur para syrit të kamerës. Imazhet e para të fëmijërisë që më kujtohen janë skenat që babai im i xhironte me kamerën e tij, më pas ky pasion i tij tek unë filloi të formësohet dhe kamera u bë një nga lodrat e mia të preferuara. Sot jam shumë i lumtur që e kam të njëjtin pasion ndaj atij syri magjik të kamerës.

 

E deklaroni vazhdimisht në kinoprova se jeni aktor shqiptar?

Vazhdimisht. Dhe kjo më bën të ndjehem krenar. Në rastin e parë kur do të jem në Tiranë do të doja të aplikoj edhe për pasaportë shqiptare. Besoj se ky është një obligim i të gjithë personave që janë të njohur dhe kanë kontakte me njerëz dhe institucione të rëndësishëm ndërkombëtare te kenë pasaportën shqiptare.

 

E quan veten aktor me fat?

Pa tjetër. Jam me shumë fat pasi mu dha rasti të shoh nga afër dhe të përjetoj proceset krijuese të aktorëve më të mëdhenj të kohës si dhe të jem pjesë e produksioneve të mëdha hollywood-iane.

 

Beson se pamja e jashtme të ka ndihmuar për tu bërë aktor? Sa e rëndësishme është për ty?

Ndoshta pamja e jashtme mund të ndihmoj për fazën e parë të prezantimit, por më pas të nevojiten të gjitha elementet tjera që janë të domosdoshme në këtë profesion.

 

Blerim, sa e vështirë është të kesh sukses në kinema?

Është e vështirë. Por kur njeriu e orienton qartë energjinë e tij, ka përkushtim ndaj punës dhe i parashtron qartë prioritete edhe arrihet suksesi.

 

Kemi mësuar së fundmi për ju lajme shumë të mira…. Konkretisht për çfarë bëhet fjalë?

Vitin e kaluar pata angazhim në filmin “Get loë” në SHBA ku luajta përkrah ikonës së aktrimit Robert Duvall, më pas në filmin belg “Dossier K”, realizova një nga rolet kryesore. Ky film pati një sukses të jashtëzakonshëm në Belgjikë dhe pas prezantimit në “Marketin e Berlinales” me shumë sukses, po shfaqet nëpër botë. Po ashtu realizova edhe një film gjerman “Die Ëanderhure”. Përveç kënaqësive që përjetova nga rolet që i kam interpretuar, nëpërmjet  të cilëve isha në udhëtim në kohë dhe në hapësira të ndryshme, kisha edhe kënaqësinë të bashkëpunoj me produksione të ndryshme, që nga produksionet hollivudiane e deri në produksionet bashkëkohore europiane.

Cilët janë emrat e disa prej aktorëve të mëdhenj me të cilët ke pasur fatin të interpretosh?

Robert Duvall, Bill Murray, Sissy Spacek, Rhona Mitra, Scot Cooper, Lucas Black,  Bill Cobbs… etj.

Dimë se zotëron një kompani tënden për filmin. Si guxuat të investoni në këtë industri?

Po, është e vërtetë. Ndërsa “guximin për të investuar në këtë industri” siç thoni ju, e kam në besimin që kam në vetveten dhe në potencialin tim që të krijoj dhe zhvilloj në këtë industri.

 

Cilën aktore shqiptare do të dëshiroja ta kishe si partnere në një film?

Nuk dua të përmend emra, pasi nuk dua të krijohen shtigje për keqkuptime. Unë i dua dhe i respektoj të gjithë aktoret. Për fat të mirë kemi aktore me potencial të  madh.

Po nga partneret e huaja, cilën do të pëlqeje?

Më pëlqen shumë Naomi Watts

Si ishte Masiela Lusha si partnere?

Masiela ishte një partnere shumë e mirë, patëm një bashkëpunim të frytshëm.

 

Cili është roli që do të doje të interpretoje?

Shpresoj që në fund të këtij viti para publikut do të prezantohem pikërisht me rolin që vërtetë dua ta realizoj. Le të ngelë kjo një befasi për publikun, besoj se ata vet do përgjigjen në këtë pyetja pasi ta shohin filmin.

 

Titulli:

“Në dashuri jam maksimalist”

Somario:

Blerim Destani, aktori i mikluar nga femrat tregon dashuritë e tij. Nuk preferon të japë detaje, por një gjë e thotë me siguri: se akoma brenda tij ka mjaft dashuri që pret ta ndajë me dikë që ta absorbojë plotësisht

 

Që kur jeni bërë i famshëm prej “Kohës së kometës”, flitet shumë për jetën private. Përfundimisht je vetëm apo i dashuruara?

Preferoj që jeta ime private të ngelet vetëm private. Të jesh vetëm nënkupton të jesh i vetmuar, unë nëse them se jam i vetmuar do të gënjeja. Dhe nuk preferoj gënjeshtrat. Të jesh i dashuruar nënkupton që dashurinë tënde ta fokusosh drejt një personi që do të mundte ta absorbonte atë, në këtë rast unë kam ende shumë dashuri brenda meje që është ende e pa absorbuar e plotësisht.

Sidomos nga femrat po diskutohet mjaft statusi yt. Si ndihesh nga kjo gjë?

Kur kjo gjë bëhet në mënyrë të sinqertë, më pëlqen.

A ka ndodhur që të ketë refuzuar ndonjë femër, përpara se të fitojë famë?

Jeta të mundëson të kalosh shumë e shumë situata nga të cilat njeriu vjel përvojë jetësore. Në këtë dimension unë kam një jetë të pasur dhe me përvojë, po ashtu, shumë të pasur.

Si duhet të jetë një femër që të fitojë zemrën tënde?

Me shumë dashuri brenda vetes. Kjo është e domosdoshme, pasi do duhet proces i gjatë i djegies së dashurisë, që për mua është festë e jetës.

 

Je besnik, apo flirtues në dashuri?

Në dashuri jam maksimalist. Dua ta shijoj në mënyrë maksimale, dhuroj shumë dashuri, me të njëjtin intensitet dua që të më ofrohet dashuri.

 

Te “Koha e kometës”, në fund martoheni dhe kërceni mjaft bukur. Kur do të martoheni ju vetë dhe a do të kërceni po aq bukur sa në film?

Hahaha. Kuptohet. Martesa është një fazë shumë e rëndësishme në jetë dhe si e tillë duhet të festohet me tamam.

 

 

Aventura & Pasione

Titulli:

“Makinat janë pasioni im”

 

Somario:

I pëlqejnë aventurat, i pëlqen shpejtësia, i pëlqen të japë e marrë miqësi. Një mashkull pasional që nuk e njeh pendimin.

 

Vazhdon të ndjekësh Formula One?

Pa tjetër. Makinat e shpejta janë një  pasion i imi. Por unë kam pasion edhe për motorat. Ashtu si  makinat e shpejta edhe motorët më pëlqejnë pasi më mundësojnë një ndjenjë të fuqishme, të lëvizësh i lirë në hapësirë.

Po miqësia me Shumakerin është e vërtetë apo trillim?

Është shumë e vërtetë.

Si e ndan jetën mes Tetovës, Gjermanisë, Prishtinës dhe Tiranës?

Njeriu jeton atje ku edhe punon. Kohëve të fundit shumë pak kam qenë në vendet që i përmendni ju e që janë si emblema të miat. Por ç’ti bësh! Puna ime është e tillë që kërkon vazhdimisht lëvizje dhe udhëtime të shumta. Por, Tetova, Prishtina dhe Tirana janë vendet ku me shumë dëshirë shkoj pasi atje kam shumë miq, që në disa raste më mungojnë.

 

Cila është aventura më e madhe që ke bërë ndonjëherë?

Janë shumë. Nuk dua t’i përmend pasi disa ngjajnë me filmat fantashkencë dhe mund të ma marrin për mendjemadhësi.

 

Cili është thashethemi më i madh që ke dëgjuar për veten?

Hahaha. Edhe thashethemet janë të shumta. Nuk i komentoj ato.

 

Cila është filozofia e jetës tënde?

Ta jetoj jetën duke e shijuar maksimalisht duke dhuruar dhe pranuar shumë dashuri.

 

Ke ndonjë pendim të jetës së deritanishme për ta ndarë me ne?

Për fat të mirë pendimet i kam të pakta.

 

Për çfarë ëndërron çdo natë para se të flesh?

Para se të fle, nuk ëndërroj. Zakonisht në gjumë, shoh ëndrra ku dominojnë motive nga gjërat që i kam të planifikuara dhe që më presion ditën e ardhshme. Kuptohet që më paraqiten edhe shumë persona me të cilët kam interaksione të fuqishme emocionale.

 

Blerim Destani ka lindur më 12 prill 1981 në Stolberg të Aachen-it (Gjermani). Fëmijërinë e kaloi në Tetovë (Maqedoni). Në moshën 14 vjeçare ka bërë sprovën e parë në botën e aktrimit duke luajtur në filmin “Atje ku nuk lind dielli”. Krahas prodhimit të metrazheve të shkurtra dokumentare, filloi edhe shkollimin e mjeshtërisë së aktorit në Kelln dhe në Londër.

 

Filmat e aktorit:

Në vitin 2004, filmi televiziv “Metropolet”, 2005 filmi artistik “Kosova  – Desperate Search”. Në vitin 2007 Blerimi u angazhua në rolin kryesor në filmin “Koha e kometës” me skenar dhe regji të Fatmir Koçi. Në vitin 2008 interpreton nw filmin “At World´s End” si dhe në filmin “Separation City” ku bashkëpunoi me yjet e kinematografisë botërore siç janë: Rhona Mitra, Thomas Kretchman dhe Joel Edgerton. Në vitin 2009 u angazhua në filmin holivudian “Get Low” ku  luajti  përkrah ikonës së aktrimit Robert Duvall si dhe yjeve të kinematografisë siç janë Bill Murray, Sissy Spacek, Scot Cooper, Lucas Black dhe Bill Gobbs. Nw tw njwjtin vit luan nw filmat “Dossier K” përkrah yjeve të kinemasë belge dhe në filmin gjerman “Die Wanderhure”.