Skuadra blu ishte pothuaj perfekte në këtë sezon, duke bërë një diferencë absolute me të gjitha rivalet: një lojë e bukur, shumë gola dhe një titull i merituar. Por çdo gjë e bukur përfundon shpejt dhe destinacioni i Dinamos kampione duket se po shkon drejt shpërbërjes

Nga Elert Yzeiri

Nëse vlerësimi për një skuadër kampione do të bëhej për kohën në të cilën u arrit suksesi, Dinamo pavarësisht koeficientit të ulët që ka kampionati ynë ka në klasifikimin e kampionateve europiane të futbollit, do të ishte skuadra e parë në Europë pa asnjë dyshim, por nëse vlerësimi do të bëhej për zemërgjerësinë ndaj skuadrave të tjera rivale, Dinamo do të fitonte absolutisht jo vetëm në të gjithë botën, por nëse do të ishte e mundur edhe në ndonjë një planet. Ndoshta nuk është nisja më e mirë për të bërë analizën e një skuadre kampione, në një kampionat që ka vijuar në mënyrë linare, me një skuadër që fitoi gjithçka, por pothuaj humbi po aq sa edhe rivalet direkte, ndaj edhe balanca duket sikur anon më shumë nga ana e errët e saj. Është historia e Dinamos, skuadrës më të mirë të sezonit 2009-2010, që është shpallur kampione e vendit për të18 ën herë, pas një sezoni që pati shumë dritë-hije. Një triumf i realizuar falë një skuadre shumë të bukur, një skuadre të kompletuar dhe me një futboll shumë modern, ashtu sikundër edhe falë një trajneri me ide dhe qëllime të qarta. Një investim prej dy sezonesh i drejtuesve të klubit, por edhe një paraqitje shumë serioze të të gjithë futbollistëve që u bënë pjesë e kësaj skuadre. Këtij vlerësimi profesional i është mbështjellë si një shall pas fytit edhe pjesa e fundit e sezonit, që e pa skuadrën më të mirë të vitit të toleronte pafundësisht duke prishur njëkohësisht edhe agonizmin, ‘fair play’ për garën dhe motivimin për një rivalitet gjithëpërfshirës.

Shumëkush mund të ketë aluduar mungesën e rivalitetit, me një Besë të pakolauduar dhe shumë forcë për të arritur nivelin e Dinamos, Tiranën pothuaj inekzistente përgjatë gjithë sezonit, si edhe të tjerat që asnjëherë nuk iu afruan standardit për një rivalitet mes kundërshtarëve. Por nuk ka as më të voglin dyshim që është shumë i rëndësishëm, që absolutisht është edhe faktori kryesor, është investimi serioz që u bë për ndërtimin e kësaj skuadre, që nga përzgjedhja e trajnerit, futbollistët, si edhe paracaktimi i objektivave dhe realizimi i tyre.

Sezoni linear

Mund të thuhet me plot gojë që sezoni i Dinamos ka qenë vërtetë linear, pasi përgjatë dy fazave të para skuadra blu ruajti një paraqitje shumë konstante, duke mos toleruar pothuajse për asnjë moment kundërshtarët. Ato pak pikë të lëna rrugës, ishin pothuaj rastësore, pasi skuadra përveç se nuk la asnjë ndeshje, edhe në ato barazime ishte shumë superiore ndaj kundërshtarit, por edhe zhvilloi një lojë shumë të mirë. Të rëndësishme ishin përballjet direkte, me Besën dhe Tiranën, që skuadra blu i zgjidhi në mënyrën më të thjeshtë duke i fituar të gjitha përballjet. Diferenca këtu u konsolidua, duke bërë që diferencat në pikë në klasifikim të ndikonin shumë pozitivisht në moralin e skuadrës dhe superioritetin ndaj kundërshtarëve.

Dinamo dorëlëshuar

Nëse në pjesën e parë dhe pothuaj në gjithë të dytën Dinamo ishte skuadra që nuk linte asnjë shans për të kërkuar pikë, në pjesën e fundit të sezonit, madje në ekstremin e saj, skuadra blu u bë shumë zemërgjerë, aq sa mund të thuhet se nuk i la asnjë skuadre pishaman, duke i falur pikët e nevojshme për mos rrezikuar rënien nga kategoria, apo ndonjërës edhe më shumë pikë për të arritur një pozicion europian në klasifikimin e përgjithshëm. Një kompromis i heshtur i drejtuesve për të ruajtur aleanca të ndërsjella, bëri që skuadra e shpallur kampione tre muaj para përfundimit të sezonit të toleronte aq shumë, sa rekordi pa humbje në dy fazat e para u zhvleftësua krejtësisht. E gjithë kjo situatë bëri që të zbehej edhe më shumë bukuria e një kampionati pa shumë protagonistë, të zvogëlohej agonizmi sportiv dhe të zhvleftësohej krejtësisht termi ‘fair play’.


Skuadra perfekte

Të thuash skuadra perfekte në një kampionat si yni është një fjalë e madhe, pasi epitetime të tilla janë të vështira t’u vihen skuadrave më të mëdha të Europës, si Interi që fitoi Champions League apo Barcelona, por e krahasuar me rivalet e tjera ishte një skuadër vërtetë shumë e mirë. E marrë në duar që një vit më parë nga Shkëlqim Muça, skuadra pati disa rregullime të rëndësishme në fillim të sezonit, ku ardhja e futbollistëve argjentinas, përshtatja më e mirë e Bakajt me grupin, afrimi i Vilës, por edhe përzgjedhja tekniko-taktike e trajnerit prodhuan një lojë shumë të mirë. Vetë Muça preferoi që skuadra të luajë një futboll modern, shumë ofensivë dhe shumë të disiplinuar taktikisht dhe gjithçka u reflektua në rezultate: Dinamo ishte skuadra që shënoi më shumë, por edhe skuadra që pësoi më pak gola nga të gjitha kundërshtaret.

Filozofia e trajnerit
Duke qenë se Shkëlqim Muça ka qenë vetë një futbollist shumë i talentuar dhe me lojë spektakolare, atë kërkoi t’i injektojë edhe skuadrës që pati në dispozicion, shumë i favorizuar edhe nga elementët që kishte në dispozicion. Klasi i lartë i Bakajt, Kulit, Sozës, Vilës dhe shumë futbollistëve të tjerë u lidhën në mënyrë shumë perfekte dhe Muça arriti që të harmonizonte një grup shumë të mirë. Muça shpesh preferoi të luajë me tre sulmues, duke qenë shumë superior ndaj kundërshtarëve të sezonit dhe interpretimi nga skuadra u bë shumë mirë. Në fakt provat gjenerale trajneri dinamovit i kish bërë që një vit më parë, kur skuadra ishte jashtë të gjitha objektivave dhe punonte për përgatitjen e sezonit pasardhës.


Kapiteni dhe forca e grupit

Që Dinamo ka qenë gjithnjë skuadër shumë kompakte kjo nuk është diçka e re, por kësaj skuadre i është shtuar gjithashtu edhe roli i padiskutueshëm i një kapiteni në fushën e lojës. Dikur thuhej se një kapiten si Redi Jupi ishte i pazëvendësueshëm te Dinamo, por këtë gjë duket se e ka bërë shkëlqyeshëm Arjan Pisha, që ndryshe nga paraardhësi i tij ka fituar dy tituj kampionë me këtë skuadër. Pisha është natyralizuar tanimë me këtë skuadër, teksa numëron më shumë se një dekadë aktivizim dhe ai është njëhësuar me filozofinë origjinale të kësaj skuadre, grindën dhe klasin e lartë që ka treguar në çdo kohë. Edhe në këtë sezon Pisha arriti të harmonizonte grupin, të vendoste urat e nevojshme lidhëse me trajnerin dhe të emetonte të gjithë elementët e nevojshëm për lidhjen e grupit, te futbollistët e huaj dhe te të gjithë elementët e rinj të skuadrës.

Një Bakaj më shumë
Nuk është shumë e vështirë të evidentosh futbollistin më të mirë të sezonit, në një kampionat ku ka pak klas, por që gjithsesi edhe që është prodhuar ka qenë i një niveli të lartë. E ka bërë këtë në mënyrën më të mirë të mundshme Elis Bakaj, që i mbështetur nga një skuadër shumë harmonike u vu në lëvizje vertikale, duke qene lider i golit të sezonit. Përveç lukut të ri, që Bakaj e mori nga sezoni i shkuar, ai u shfaq në këtë sezon me një tjetër prezencë, shumë më të rritur, më i përgjegjshëm dhe profesionist, ndryshe nga ‘talenti grindavec’ që kishim parë në kohën e Partizanit. Është padyshim futbollisti më cilësor i kampionatit dhe do të ishte humbja më e madhe për Dinamon dhe vetë kampionatin, emigrimi i tij në një tjetër kampionat.

Dinamo që rikthen tifozët
Si rrallëherë më parë në këtë sezon Dinamo ishte më e plotësuar edhe me tifozët e saj. Për çdo ndeshje në shkallët e stadiumit kishte edhe më shumë tifozë, të cilët në shumë mënyra kanë mbështetur skuadrën e tyre. Forumet e ndryshme në internet kanë ndikuar pozitivisht në afrimin e shumë tifozëve, ndërkohë që edhe falë mbështetjes që kanë pasur edhe drejtuesit e klubit u janë krijuar kushtet që tifozët të bëhen pjesë e skuadrës përgjatë gjithë këtij sezoni. Ky është një ogur i mirë për futbollin shqiptar, pasi ka shpresa që edhe sezonin tjetër të kemi më shumë tifozë në stadiume.

E ardhmja e paqartë
Thonë që gjërat e bukura zgjasin pak, ndaj edhe bukuria e kësaj Dinamo është shumë në rrezik. Në fakt ky është film i riparë, pasi këtë produkt e kemi shijuar edhe dy vjet më parë, ashtu sikundër edhe tetë vjet më parë, kohë në të cilat janë regjistruar edhe trofetë e fundit të kësaj skuadre. Zërat spekulativë paralajmërojnë shpërndarjen e këtij grupi, ndoshta ende pa filluar grumbullimi për edicionin europian. Thashethemet ja kanë prerë kokën trajnerit, edhe pse ende nuk ka asgjë zyrtare. Shumë futbollistë nuk do të kenë mundësinë e rinovimit, ndërkohë që grupi i ri që pritet të ndërtohet është në duar të menaxherëve bastardë, që kërkojnë të këmbejnë skarcitetet e tyre në kurriz të futbollit të bukur që dinamovitët shijuan në këtë sezon.