Si lindi ideja dhe si u realizua ky film, tërësisht iniciativë personale ku Elvisi është skenaristi, regjisori, producenti  si dhe aktori i  dy roleve?

Jeta e re e aktorit në Amerikë, pranë Belinës, bashkëshortes së tij që e ka ndihmuar shumë edhe për realizimin e filmit. Një jetë e re plot emocione dhe projekte për Elvis Pupën,

i cili po shijon tashmë suksesin e përpjekjes së parë të tij kinematografike. “Legjenda e fundit” solli publikun pas shumë kohësh të mbushte sallat për një film shqiptar.

Publiku e kishte ndjerë mungesën e tij në sezonet e fundit të Portokallisë. Por nuk i kishte vajtur mendja se aktori i talentuar me një gjenialitet të spikatur për të interpretuar në zhanrin e humorit, ishte në ethet e përgatitjes së një filmi me idetë dhe regjinë e tij.

“Legjenda e fundit” është filmi me të cilën është rikthyer i mirënjohuri Elvis Pupa, duke sjellë jo vetëm një histori interesante me personazhin popullor të Avdiut, por dhe me skena dhe dialogje për t’u kujtuar.

Ka qenë kjo një eksperiencë e re por e menduar më parë për aktorin, ka ndjerë ankth por ka qenë i sigurt në atë çka do të sillte. Tërë dinamikën dhe jetën e një personazhi që përfaqëson një shtresë tjetër të shoqërisë,

atë rome që mbetet e veçantë për nga komediciteti apo dramaticiteti i gjithçkaje që bëjnë. Ndaj dhe publiku e do aq shumë këtë personazh, ndaj dhe pritshmëritë e filmit arritën kulmin e suksesit.

Nga ana tjetër Elvisi i është shumë mirënjohës edhe Belinës, tashmë bashkëshortes së tij, e cila i qëndroi shumë pranë në realizmin e këtij filmi. Në Amerikë, atje ku mundësia për t’u shprehur është e pafund,

ashtu sikurse vështirësitë qëndrojnë të tilla, atje të dy së bashku realizuan filmin e parë. Pas tij do të ketë një film të dytë, një pasaportë, ndoshta dhe një shtëpi produksioni që do e mbështesë, pse jo! Ëndrrat amerikane sapo kanë nisur për aktorin.

 

Intervista

Si po e përjeton suksesin e filmit?

Tani që filmi po bëhet ditë që po shfaqet në kinema dhe publiku e ka pritur shumë mire, ndihem i kënaqur dhe i shpërblyer për punën që kam bërë. Por mund të them që kam patur shumë emocion kur do të shfaqej fillimisht.

Isha në sallë bashkë me publikun dhe kisha një lloj ankthi që më kishte përfshirë. Sepse puna ime ishte bërë. Nuk mund të ndryshoje më asgjë nëse publiku nuk do të kishte reagimin e duhur.

Është krejt ndryshe nga skena e cila të jep mundësinë që nëse publiku nuk ka atë reagim që ti pret mund edhe të ndryshosh diçka, të shtosh një batutë apo të ndryshosh plastikën e lëvizjet.

Në rastin e filmit këtë privilegj që të jep skena nuk e ke më. Por kur pashë që në fillim të shfaqjes reagimin shumë pozitiv të publikut dhe të qeshurat që mbushën sallën fillova të ngrohesha dhe të drejtohesha në kolltukun ku isha ulur, (qesh).

Suksesi mendon se vjen prej personazhit, apo prej realizimit artistik?

Janë shumë të lidhura bashkë dhe të dyja kanë rëndësinë e tyre. Personazhi i Avdiut është i njohur për publikun nga skena e Portokallisë. Mirëpo ky është një avantazh por edhe përgjegjësi për ta sjellë atë në një formë tjetër,

të pakonsumuar më parë, që të mbajë jo më një monolog në skenë por një film të tërë. Mungesa pak e gjatë nga ekrani i këtij personazhi kishte krijuar edhe një farë nostalgjie për humorin e tij.

Por edhe realizimi i cili kishte tërë pasionin jo vetëm timin por edhe të bashkëpunëtorëve të mi më ndihmuan ta realizonim atë. Është bërë një punë e përbashkët mes miqsh duke mos u nisur nga interesa,

pagesa apo përfitimi si ndodh në rastet e tjera. Ishte një ndërrmarje e përbashkët e realizuar me sakrifica, më mish e me shpirt dhe kur një realizim artistik e ka këtë pasion publiku e percepton dhe e shijon.

Si lindi ideja e këtij filmi?

Avdiu, një rom pa komplekse dhe origjinal deri në naivitet është personazh i dashur që shkakton humor. Njerëzit, pavarësisht humorit, e duan edhe për këto arsye që përmenda, ashtu si dhe në jetën e përditshme këta lloj njerëzish janë më të dashur nga shoqëria.

Shto këtu dhe humorin, bëhet një kombinim i saktë për të patur sukses. Unë kisha shkruar disa etyde që më pëlqenin dhe vështirësia ishte t’i lidhje ato me njëra tjetrën në mënyrë funksionale, gjë që e kërkon fillimi. E kisha dhe idenë për ta realizuar këtë lidhje, e përpunova më shumë derisa e solla skenarin të gatshëm për të nisur xhirimet.

Avdiu” është një imitim i një personazhi real apo një krijesë artistike?

Është i tëri i krijuar por i bazuar në copëza personash realë që e bëjnë atë të vërtetë dhe të besueshëm e të pranueshëm nga publiku.

Personalisht e njeh jetën rome?

Po kam njohur që fëmijë disa muzikantë që jetonin në Shijak në qytetin tim të lindjes, nga të cilët më lindi edhe pasioni për disa vegla muzikore dhe për muzikën në përgjithësi.

Çfarë ishte që të goditi në një rom për ta shndërruar në një personazh humori?

Unë i njoh romët mirë dhe më pëlqen si të thuash filozofia e jetës së tyre. Kanë një ndërthyrje midis komikes dhe dramatikes perfekte. Dinë të gëzojnë jetën sikur të ishte dita e fundit e jetës së tyre edhe pse mund të kenë shumë halle e probleme.

Ky vitalitet e energji në thjeshtësinë e të përditshmes së tyre më ka bërë shumë përshtypje. E vlerësoj kuptohet. Ne ballkanasit jemi pak të gjithë kështu. Edhe në vrazhdësinë e jetës, në varfëri dimë dhe të buzëqeshim apo të dëfrejmë.

Unë këtë e shikoj si një vlerë të tyre pavarësisht se e kam sjellë përpara spektatorit me nota komike.

Po romët si e kanë pritur?

Shumë mirë dhe nuk janë ndjerë të “përqeshur”. Padyshim që ky nuk ka qenë edhe synimi im aspak. Ka dallim midis “të qeshurës” dhe “ të përqeshurës”. Dhe ata e mirëpresin si humor.

Pse ky personazh është kaq i suksesshëm?

Nga njëra anë për plastikën, paraqitjen dhe të folurën e tij. Por kjo është vetëm forma, pra njëra anë e përcaktimit të suksesit të tij. Nga ana tjetër mendoj që problemet me të cilat ai ndeshët, situatat që e shoqërojnë,

janë ato që mund t’i ndodhin çdo njërit prej nesh kur shkon për herë të parë jashtë. Apo zakone që pak a shumë i kemi të gjithë ne, por që ato janë sjellë në mënyrë të ekzagjeruar për të shkaktuar sa më shumë humor.

Pra është një personazh që gjithkujt i kujton diçka që e ka përjetuar apo është ndeshur në jetë. Kur e risheh këtë tek Avdiu natyrisht që do t’i vijë për të qeshur.

Pse vendose që të interpretoje dy personazhet e një filmi?

Nuk e kisha menduar ta bëja këtë gjë. Për më tepër kisha bërë disa kinoprova dhe kisha zgjedhur një person për ta interpretuar. Por kur pashë xhirimin nuk mbeta i kënaqur. Ndodhesha në USA dhe nuk kisha mundësi të përzgjidhja aktorë,

si do të bëja po të ndodhesha këtu. I detyruar nga kjo vendosa të luaja vetë. Kuptohet që ishte shumë e vështirë për ta realizuar. Jo aq për interpretimin sepse e kisha të qartë si personazh por sepse duhet të xhiroja njëherë skenat më Avdiun dhe në një moment kohe tjetër të xhiroja Asqeriun.

Në të dyja rastet duhet të mbaja mend se cila ishte gjendja emocionale e tjetrit, që kur të montoheshin mos të dukeshin si pjesë të shkëputura por si një situatë dialogu real.

Sa e vështirë është të bësh skenarin, regjisorin dhe dy role kryesorë në të njëjtin film?

Shumë e vështirë. Gati e pabuesueshme por ja që filmi u bë dhe publiku e ka pritur shumë mirë. Dëgjoj njerëz që thonë se kanë shkuar në kinema disa herë për ta parë.

Dhe jo vetëm në Tiranë. Unë sapo vij nga Shkodra që ka disa ditë që shfaqet dhe salla është plot. Nuk mund të fsheh që më lumturon fakti se më thonë që biletat sigurohen vetëm me prenotime.

Kur publiku mbush sallat e kinemasë nuk ka shpërblim më të madh për një aktor, aq më tepër kur është edhe ideatori dhe realizuesi i këtij filmi.

Ka patur kritika?

Mendoj që kritika më e mirë është publiku. Nëse ai të braktis nuk kanë rëndësi kritikat pozitive.

 Ti vetë je kritik kur e sheh?

Kjo kuptohet. Që sa herë që e shoh jam pak kritik me veten. Ka raste që mendoj që sikur ta kisha realizuar ndryshe një skenë apo një detaj. Por edhe kjo është e pashmangshme.

Kur ndjek projektimin e filmit e sheh si aktor apo si regjisor?

Në fillim e ndiqja dhe si aktor dhe si regjisor por tani, vetëm si spektator dhe e shijoj bashkë me publikun.

Ke krijuar një shtëpi produksioni në Michigan. Do të thotë që e ke financuar vetë tërë filmin?

Po është e vërtetë. Skenat dhë gjithçka tjetër që është bërë në Amerikë janë bërë me shpenzimet e mia. Gjithçka e kam paguar vetë, por dua të them që kam patur edhe shumë ndihmë miqësore,

pa të cilën do të ishte shumë e vështirë të realizoje një film. Përsa i përket postproduksionit që është bërë në Tiranë më kanë mbështetur Triangle Production dhe Digitalb.

Të mungon “Portokallia”?

Natyrisht shumë. Kam qenë që në fillimet e saj dhe për shumë sezone radhazi. Por nga ana tjetër ndihesha pak i lehtësuar se nuk po përjetoja më ankthin e çdo javë spektakli,

ku duhet të shkruaje dhe të vije në skenë një pjesë që të bënte publikun të qeshte. Ishte si të jepje një premierë çdo javë. Por edhe kur shkova në Amerikë e shikoja shpesh, sidomos fillimin e sezonit.

E të them të drejtën ndieja emocionin sesi do të dilte sikur të isha edhe unë me ta në skenë.

Shkuat në Amerikë prej dashurisë?

Po edhe kjo ishte një arsye e fortë. Me Belinën kishim rreth dy vjet që ishim njohur pavarësisht se për një kohë të gjate frekuentoheshim si miq. Kur u lidhëm ajo shpesh vinte këtu në Shqipëri dhe qëndronte gjatë.

Por edhe kjo “gjatë” kishte një kuptim. Belina është rritur në USA. Atje ka familjen dhe të afërmit e saj. Kjo arsye si dhe shkëputja e gjatë e bën më të vështirë përshtatjen e saj këtu. Por vjen gjithnjë me shumë qejf.

Sa të ka mbështetur në projektin tënd?

Shumë. Sidomos në aspektin moral, gjë që kisha shumë nevojë sepse po përpiqesha të realizoja diçka vërtet të madhe në një vend që unë e njihja shumë pak, pavarësisht se kisha shkuar shumë herë si turist.

Nga ana tjetër më ka dhënë edhe një ndihmë konkrete të domosdoshme për realizim e filmit. Gjetjen e vendeve ku do të xhironim, por edhe tërë anën burokratike të nevojshme për realizimin e filmit.

Për shembull, për të bërë xhirime në aeroport duheshin bërë një sërë kërkesash dhe marrë disa leje. Ajo ka qenë e pakursyer jo vetëm me kohën e saj por edhe me vullnetin dhe besimin se kjo gjë do të realizohej. Dhe me sukses.

Jeni martuar para një viti?

Po. Pak më shumë se një vit. Më saktë shtatorin e kaluar. Unë qëndrova për një periudhë më të gjatë në Michigan, vendi ku jeton Belina me familjen e saj. Gjithashtu dhe vendi ku u xhirua filmi. Pastaj erdhëm për të bërë një dasmë tradicionale në Shqipëri.

Do të ketë një film të dytë?

Po patjetër. Ideja është gati. Shpresoj shumë që filmi i dytë të realizohet në kushte të tjera, më të favorshme nga ana financiare. Dhe kam bindjen që kështu ka për të ndodhur. I pari ishte si të thuash një investim jo vetëm profesional. Pra në eksperiencë dhe ide.

Një “pasaportë” amerikane?

Uroj që po. Ndoshta dikush do ta shohë dhe do t’i pëlqejë e do të dojë ta mbështesë qoftë aktorin qoftë regjisorin, (qesh). Dikush që më të vërtetë “t’ia vlejë” artistikisht dhe financiarisht. E kam fjalën për ndonjë shtëpi produksioni të rëndësishme.

Mendon se ky subjekt mund të funksionojë edhe për publikun amerikan?

Pse jo. Amerika është një vend ku jetojnë komunitete të ndryshme dhe të gjithë kur kanë shkuar atje kanë patur kush më shumë e kush më pak të njëjtat përballje më atë realitet të ri, krejt i ndryshëm nga ai i vendeve nga vinin.

Ndihem i kënaqur dhe i shpërblyer për punën që kam bërë. Por mund të them që kam patur shumë emocion kur do të shfaqej fillimisht

Unë i njoh romët mirë dhe më pëlqen si të thuash filozofia e jetës së tyre. Kanë një ndërthyrje midis komikes dhe dramatikes perfekte. Dinë të gëzojnë jetën sikur të ishte dita e fundit e jetës së tyre edhe pse mund të kenë shumë halle e probleme

Jam martuar shtatorin e kaluar. Unë qëndrova për një periudhë më të gjatë në Michigan, vendi ku jeton Belina me familjen e saj. Gjithashtu dhe vendi ku u xhirua filmi. Pastaj erdhëm për të bërë një dasmë tradicionale në Shqipëri