Edhe pse ende nuk është arritur as standardi më minimal i kërkuar nga UEFA, loja e topkëmbës është duke u përmirësuar çdo ditë e më shumë në Shqipëri dhe kjo është e dukshme që nga tapetet e blerta, pajisja me vende të ulura të stadiumeve e deri te ndriçimi i impianteve

Nga Elert Yzeiri

Nuk është e thënë që duhet të jetë patjetër në fushë Mesi, Kristiano Ronaldo apo Ibrahimoviç, që futbolli të jetë spektakolar; nuk është domosdoshmëri që nga pankina të drejtojë gjithnjë Murinjo, Guardiola apo Kapelo, që të shijojmë magjinë e lojës së topkëmbës dhe jo domosdoshmërisht duhet të luhet në Londër, Milano, Madrid apo Mynih, që të themi që kemi parë një ndeshje të bukur. Kjo lojë magjike që anglezët me fanatizëm këmbëngulin se e shpikën ata, e italianët e trumbetojnë se e zbukuruan apo spanjollët e përsosën, është e bukur njësoj në të gjithë botën; e bukur për ata që e luajnë, për ata që e drejtojnë nga pankina apo tribuna dhe për të gjitha ata që e ndjekin nga shkallët e stadiumeve apo nëpërmjet ekraneve të televizionit. Sigurisht që masa e kënaqësisë nuk është gjithnjë e njëjtë, por kënaqësia e golit, driblimeve, krosimeve, sparkatave, rasteve të bukura apo fitoreve është një gëzim që shijohet absolutisht këndshëm në të gjithë botën. Nga harta e futbolldashësve nuk përjashtohet Shqipëria, që futbollin e shijon jashtëzakonisht shumë, edhe pse për të thënë të vërtetën në vitet e fundit(futbolli), është bërë shumë preferencial, duke u dhënë ‘peng’ pas futbollit ndërkombëtar, që përcillet nëpërmjet televizioneve në formatet më të mira të mundshme. Fanatikët qëndrojnë në shkallët e stadiumeve, duke u bërë iso skuadrave të tyre të preferuara, edhe pse në shumë raste bukuria e lojës është kondicionuar nga kushtet ku luhet futbolli. Dhe pikërisht nëpërmjet këtyre rreshtave po kërkojmë të hedhim pak dritë mbi problematikën më të madhe që ka futbolli shqiptar, infrastrukturën. Edhe pse në vitet e fundit janë bërë përmirësime të ndjeshme, infrastruktura në Shqipëri lë ende për të dëshiruar.

Nëse deri në këtë moment është investuar vetëm në fushën e blertë, duke përmirësuar disi cilësinë e lojës, infrastruktura në stadiume mbetet pas, ç’ka bën që të gjitha këto stadiume të mbeten të pa klasifikuara. Investimet nuk kanë munguar, por duket se tanimë është e rëndësishme që të zbatohen me përpikmëri rregullat e lojës.

Stadiumet në Shqipëri
Shqipëria aktualisht ka të raportuar zyrtarisht në organizmat ndërkombëtarë 19 stadiume, të cilat i përkasin të gjithë kategorisë më të ulët, ndërkohë që njihen gjithashtu edhe 36 fusha sportive, si edhe disa komplekse të tjera sportive. Të gjitha impiantet janë në komunale, me disa përjashtime të vogla, ku administrimi bëhet nga shoqëri aksionere. Duke përjashtuar stadiumin e Shkodrës ‘Loro Boriç’, i cili ka patur një rikonstruksion të plotë në vitin 2001, në stadiumet e tjera është vënë shumë pak dorë ose ka nga ato që nuk njohin asnjë investim. Nëse tapeti i gjelbër është një dosmosdoshmëri e pashmangshme (minimumi duhet të ndërrohet 1 herë në 4 vjet), pjesa tjetër e impianteve është e vjetër, e në shumë raste e degraduar krejt.

Shembulli i Korçës
Rikthimi i “Skënderbeut” në elitën e futbollit Shqiptar, nuk është kushtëzuar vetëm në blerjen e futbollistëve më të mirë në qarkullim, trajnerit më të mirë apo rrogave më të larta, por paralelisht më këtë është punuar që të krijohen kushtet më të mira të mundshme për të ndërtuar një skuadër futbolli. Tapeti i ri i fushës, aneksi për zhvillimin e seancave stërvitore, kompletimi i të gjitha vendeve të ulura të stadiumit, veçimi i tribunës VIP, rregullimi i ambienteve të brendshme dhe impianti i ndriçimit, e klasifikojnë këtë stadium ndër më të mirët në vendin tonë. Madje, duke qëndruar tek ndriçimi, stadiumi i Korçës për momentin ka impiantin e vetëm në vend që arrin standardin e kategorisë së 4-t(më i larti sipas kategorizimit të UEFA-s) të ndriçimit, me një forcë prej 1400 lux ndriçim mbi fushë, ndërsa pritet që të përmirësohet ndriçimi për kamerat. E jo më kot, muajin e shkuar në këtë stadium u testua edhe ndeshja miqësore e kombëtares me Maqedoninë. Së shpejti stadiumi do të përmirësojë infrastrukturën dhe më shumë mundësinë, pritet të rritet edhe kapaciteti i spektatorëve.

Të gjitha stadiumet me ndriçim
Deri në përfundimin e sezonit futbollistik, 2010-2011 stadiumet e të gjitha skuadrave që luajnë në Kategorinë Superiore, por jo vetëm, do të kompletohen me impiantet e ndriçimit, ç’ka shton një element më shumë në standardet që këto impiante duhet të përmbushin. Projekti është ndjekur nga Korça fillimisht, Durrësi, Kavaja, Elbasani dhe së shpejti edhe në 2-3 stadiume të tjera do të kompletohen me impiantet e ndriçimit.

Problemet me fushat e stërvitjeve
Kemi vënë re shpesh që shumë prej stadiumeve kanë probleme me fushat e tyre, veçanërisht në periudhat e vjeshtës dhe dimrit. Shumë prej këtyre fushave rëndohen prej reshjeve dhe balta që e bëjnë futbollin cilësor të pamundur. Edhe pse FSHF ka vendosur një rregull që asnjë prej skuadrave të mos i zhvillojë seancat stërvitore në stadium, ky rregull shkelet me të dyja këmbët nga drejtuesit e klubeve dhe veçanërisht trajnerët përkatës, duke bërë që shumë më shpejt nga afatet këto fusha të dalin jashtë përdorimit. Të gjitha impiantet e reja duhet të shoqërohen me anekset përkatëse dhe të gjitha fushat do ta kenë jetën me të gjatë, e rrjedhimisht do të kemi më shumë mundësi për një futboll më të bukur.

Stadiumet në Europë
Në Europë futbolli është sporti numër një dhe në këto kushte edhe numri i stadiumeve apo impianteve ku zhvillohen ndeshjet është jashtëzakonisht shumë i madh. Të ndara fillimisht sipas kategorive, më pas kapaciteteve dhe në fund standardeve, impiantet sportive në Europë kanë një shtrirje të jashtëzakonshme. Zyrtarisht në Europë numërohen plot 4104 stadiume, të cilat trefishohen nëse i shtojmë fushat sportive dhe dhjetëfishohen nëse i shtojmë edhe qendrat stërvitore të shumë skuadrave, në të cilat zhvillohen shumë ndeshje miqësore apo aktivitete jo zyrtare.

Italia, shembull i keq i Europës
Por stadiumet nuk janë një problem vetëm për Shqipërinë, shumë probleme kanë edhe vende me nivel ekonomik dhe social shumë herë më të mirë se Shqipëria. Kampionati më i preferuar në Europë, Serie A është duke kaluar momentin më të keq me impiantet, madje në mediat italiane flitet se loja e topkëmbës mund të vihet në rrezik, pikërisht për shkak të amortizimit, madje në shumë raste edhe të degradimit të impianteve. Në Angli, Gjermani, Holandë apo Spanjë është arritur kulmi i perfeksionit, në Itali futbolli është i rrezikuar, saqë në shumë raste ndeshjet janë të kondicionuara edhe nga moti i keq.

Standarti i Champions League
Formati për të përcaktuar standardin e stadiumeve është vendosur nga organizmi më i lartë i futbollit europian UEFA, i cili i ka kategorizuar në 7 grupe stadiumet. 4 kategoritë e para kanë standardin më minimal të pranimit, ku përfshihen formati i fushës, numri i vendeve të ulura në stadium, vendet për VIP-at, cilësia e ndriçimit, kushtet për transmetimet televizive, parkimi dhe infrastruktura jashtë stadiumit. Për fatin e keq, aktualisht asnjë prej stadiumeve në Shqipëri nuk e plotëson as kategorinë më të ulët të standardeve të vendosura nga organizmi më i lartë europian.

Prej muajsh në Shqipëri flitet për ndërtimin e një stadiumi të ri, cilësia e të cilit do të krijojë mundësinë që të zhvillohen aktivitete ndërkombëtare të klasit të parë, si Champions League apo Europa League. Impianti përveç standardeve sportive, të cilat janë të patolerueshme do të krijojë edhe kushtet më të mira të mundshme dhe për publikun, mediat si edhe imazhin. Për momentin gjithçka ka mbetur vetëm në kuadrin e deklaratave, por koha limit, që do të jetë 28 nëntori i vitit 2012, duket se do të vërë përpara përgjegjësisë fillimisht shtetin dhe më pas edhe strukturat e tjera të lidhura drejtpërdrejt me sportin e futbollit.