SEZONI FUTBOLLISTIK NË KATEGORINË SUPERIORE KA DEGJENERUAR NË NJË SHFAQJE TË SHËMTUAR, KU SKUADRAT E KREUT SHESIN SHUMË LIRË PIKËT E MBIJETESËS SKUADRAVE TË FUNDIT TË KLASIFIKIMIT. FUTBOLLI KA MARRË NJË GODITJE SHUMË TË RËNDË, PAS SË CILËS ËSHTË VËSHTIRË SE DO TË NGREJË KRYE

Nga Elert Yzeiri

Nuk kishte ndodhur kurrë më parë që sezoni të mbyllej kur ende nuk ishte plotësuar mirë gjysma e rrugëtimit të tij, ashtu sikundër nuk kishte ndodhur që të zhvleftësohej tërësisht gara sportive, e gjithçka të merrte formën e një sarkazme që nuk përkthehet në asnjë gjuhë të botës. Ka ndodhur në këtë sezon, në kategorinë më të lartë të futbollit shqiptar. Edhe pse në fillim të këtij edicioni të gjithë ishin të bindur se rivaliteti dhe shpirti sportiv i skuadrave do të ishte i lartë, të gjitha parashikimet ranë poshtë shumë shpejt dhe tanimë çdo fundjavë është kthyer në një komedi që nuk bën askënd për të qeshur, e për më shumë humbet edhe ato pak vlera që kanë mbijetuar në sportin më të dëshiruar. Tifozët ndihen të fyer dhe në mënyrë demonstrative braktisin stadiumet (shumë prej tyre përgjithnjë), ndërsa profesionistët që dirigjojnë të gjithë sezonin (futbollistë, trajnerë dhe specialistë) nuk kanë ‘guximin’ të thyejnë urdhrat e shefave dhe i dorëzohen lojës së shëmtuar të shit-blerjeve të ndeshjeve. Dinamo ka mbyllur llogaritë me ndjekëset për titullin kampion në Kategorinë Superiore shumë kohë më parë nga parashikimet, por skuadra që për shumë javë ishte e pathyeshme tanimë dorëzohet pa kushte edhe përballë skuadrës së fundit në klasifikim, edhe pse ndeshja luhet në fushën e saj. E ashtu si Dinamo, të njëjtën lojë bëjnë edhe Besa, Tirana apo skuadra që matematikisht duken të shpëtuara.

Loja magjike në këto kushte humbet bukurinë e saj dhe kështu firmoset edhe ‘divorci’ me tifozët e paktë që kanë mbetur besnikë të këtij sporti, të cilët nuk mund t’i besojnë më askujt që kërkon t’i ofrojë një vend në shkallët e stadiumit. Edhe futbollistët nuk mund të rriten kurrë profesionalisht, pasi në shumë raste edhe ata vetë nuk arrijnë të kuptojnë se luajnë futboll apo luajnë teatër.

KUR PËRPËLITEN TË VEGJËLIT

Lojtaret e Vllaznise duke kundershtuar nje vendim te gjygjtarit kryesor, gjate ndeshjes se futbollit, Vllaznia-Laci, 1-0, e vlefshme per Kampionatin Kombetar, e luajtur ne stadiumin, Loro Borici ne qytetin e Shkodres.

Që të dallosh se cilat janë skuadrat që do të presin biletën për të zbritur një kategori më poshtë është pak e vështirë, edhe pse me sy të lirë emrat e atyre që mbajnë dy vendet e fundit duket sikur janë të njëjtat. Pak javë më parë, më saktësisht ende pa u mbyllur faza e dytë e sezonit (kampionati prej dy sezonesh luhet me sistemin me tre faza vajtje-ardhje) skuadra që nuk kishte frymë për të përballuar garën ishte Skënderbeu. Skuadra korçare, pas një nisje impresionuese të sezonit, në javët e para u tret shumë shpejt dhe me nxitim i zbriti shkallët në klasifikim duke qëndruar e fundit. Që nga ajo kohë edhe shumë futbollistë braktisën skuadrën dhe dukej se destinacioni ishte rikthim në inferiore. Por një ëndërr e çuditshme zgjoi nga gjumi shumë biznesmenë korçarë, që në një hark të shkurtër kohor siguruan financat, por edhe përforcimet fizike për skuadrën. Skënderbeu ka filluar ringjalljen dhe shpreson t’i shpëtojë rënies, edhe pse dyshimet janë se rezultatet nuk janë shumë reale. Të njëjtën gjë nuk po e bën dot Gramozi, që pavarësisht një prapavije të fortë financiare, ka humbur koordinatat në rezultate dhe me shumë mundësi do ta presë biletën për t’u rikthyer në një nivel më të ulët. Në turbullirë është Kastrioti, Flamurtari, Apolonia por edhe Vllaznia e Teuta, që edhe pse në fillim të sezonit u shfaqën me të tjera pretendime, shpenzimet e kryera do të shërbenim më mirë për të mbijetuar. Rivaliteti duket i fortë në letër, por jo në fushë, pasi ajo që duket se ka më shumë vlerë tani është ‘pazari’ që do të bëhet me të mëdhenjtë, të cilët në një mënyrë apo në një tjetër do të rimbursojnë disa prej shpenzimeve që harxhuan gjatë verës.

Moment acarimi, gjate ndeshjes se futbollit, Dinamo-Shkumbini i Peqinit, 0-1, e vlefshme per Kupen e Shqiperise, e luajtur ne stadiumin Qemal Stafa.

SPONSORËT QË BLEJNË FUTBOLLIN

Kur afrohet një biznesmen apo disa në botën e futbollit të gjithë jemi të kënaqur, pasi është mirë që ky sport të mos vdesë nga mungesa e investimit, apo më shumë nga mungesa e një administrimi të mirë. Por kur disa prej këtyre sponsorëve hyjnë në mënyrë rastësore dhe pa një strategji të përcaktuar apo qoftë edhe për qëllime politike, ai është armiku më i madh për këtë sport. Të uritur për rezultat, njerëzit që kanë paranë e përdorin keq këtë sport, duke zbehur rivalitetin sportiv, agonizmin profesional dhe të gjitha vlerat që ai duhet të mbajë realisht. Futbollistët janë të njëjtë, trajnerët dhe tifozët po ata që pak javë më parë humbisnin pafundësisht në pjesën më të madhe të sezonit, ndërsa rezultatet janë të krahasueshme me ato të skuadrave të kreut. Logjika është e thjeshtë: ndeshjet që nga ky moment nuk luhen më në fushë, por shiten në tavolina lokalesh dhe futbolli kthehet në një plaçkë të vjetër, që gjithkush mund ta mbajë në duar e ta vërtisë si të dojë. Dikush mund të thotë me plot gojë se tolerime të tilla janë bërë gjithnjë. Mund të jetë e vërtetë, por në këtë sezon janë kapërcyer të gjitha limitet dhe tani nuk mund të flitet më për vlera apo garë sportive: gjithçka ka përfunduar. Skuadrat e kreut nuk hezitojnë të mbajnë ritmin e sezonit, por pajtohen me ofertat e kolegëve të tyre që mundohen me çdo kusht të shpëtojnë investimin e sezonit.

TOLERIMET PRODHOJNË DHUNË NË FUSHË DHE JASHTË SAJ

Është e qartë që në përfundim të sezonit jo të gjitha skuadrat do të kenë mundësinë të marrin çmime, ashtu sikundër jo të gjitha do të kenë mundësinë t’i shpëtojnë dështimit, duke zbritur një kategori më poshtë. Por për fat të keq në Shqipëri nuk njihen të tria rezultat dhe rënia në kategorinë inferiore gjithnjë quhet tendencioze. Madje edhe atëherë kur investimi dhe përpjekjet për të shpëtuar sezonin janë pothuaj zero. Një situatë e tillë është krijuar edhe në këtë sezon, ku gjashtë skuadra janë në luftë për mbijetesën dhe kjo situatë ka rritur tensionet në fushat përkatëse. Janë pikërisht përballjet direkte ato që nxisin edhe episodet e dhunës, që pak herë janë shfaqur në fushë. Tifozët e kanë të vështirë të pranojnë humbjen e skuadrës së tyre, ndërsa ‘shefat’ gjithnjë janë nxitës të këtyre situatave. Ngjarjet e raportuara nëpërmjet edicioneve të lajmeve janë të frikshme dhe ndeshjet degjenerojnë në hedhje sendesh të forta në fushë, si edhe dhunë fizike në dëm të protagonistëve. Të shumta kanë qenë takimet kur trajnerë, futbollistë dhe për shumë gjyqtarët kanë dalë të gjakosur nga fusha, ndërsa forcat e rendit duhet të përdorin forcën për të ndalur turmën e irrituar. Dhe artificialisht kjo dhunë është e nxitur nga tribunat VIP, ku ‘shefat’ kërkojnë të lajnë mëkatet e tyre duke luajtur me emocionet e tifozëve idealistë.

FUTBOLLISTËT, TË DËSHTUARIT E PËRJETSHËM

Pak ditë më parë isha ulur në një kafe me një prej futbollistëve të Tiranës, i cili me shumë keqardhje më tregonte se skuadra e tij kishte kohë që ishte shitur dhe ai nuk asnjëherë nuk po e kuptonte se cili ishte pozicioni i tij në skuadër. Për arsye etike nuk po e përmend emrin e tij, por është një prej futbollistëve potencialë të kësaj skuadre dhe një nga vlerat që i kanë mbetur futbollit tonë. Më tregonte historitë e këtij sezoni, ku protagoniste ishte Tirana dhe e ndjente veten shumë të poshtëruar. “Nuk arrij ta kuptoj se kur skuadra toleron vetë dhe kur kundërshtari na mund me bindje. Nuk e di sa do të zgjasë kjo situatë dhe nëse do ta kuptoj vërtetë se çfarë është në gjendje të bëjë skuadra jonë. Futbolli ka marrë fund”, citon ndër të tjera futbollisti i bardhebluve. Ky është vetëm një prej protagonistëve, që në pamundësi për të bërë futboll, luajnë teatër në një fushë futbolli.