Kreu i organizmit më të lartë të futbollit evropian ishte ‘mysafiri’ special i festës së 80-vjetorit të themelimit të futbollit shqiptar. Kreu i UEFA-s ka bekuar edhe nisjen e një projekti ambicioz për ndërtimin e një stadiumi të ri për Shqipërinë

Nuk ishte hera e parë që Mishel Platini vinte si ‘mysafir’ në Tiranë: e kish bërë këtë në periudhën kur kërkonte votat për postin më të lartë të drejtimit të qeverisë evropiane të futbollit, erdhi edhe kur veshi ryben e presidentit për të falenderuar vendet që e mbështetën për t’u bërë njeriu më i rëndësishëm i futbollit në kontinent, dhe së fundmi erdhi si ‘dollibashi’ i 80 vjetorit të lindjes së futbollit shqiptar.
Për të thënë të vërtetën, ftesa e fundit nuk ishte thjesht ceremoniale, për të ngritur ca gota e për të dhënë disa urime, por me një mision të veçantë: të mbështesë e të shtyjë përpara zhvillimin e futbollit shqiptar. Të finalizojë projekte të mbetura në letër dhe për të konfirmuar punën e madhe që qeveria e futbollit shqiptar është duke bërë për ta çuar më lart lojën e topkëmbës në Shqipëri.
Sigurisht që me bekimin e Platinisë dhe paratë e investuara nga Uefa në Shqipëri do të ketë më shumë fusha futbolli, do të ketë më shumë trajnerë të kualifikuar me kurset e bëra nga qeveria evropiane e futbollit, do të ketë një mbështetje më të madhe për bazën ligjore dhe krijimin e strukturave të nevojshme për përmirësimin e sportit më të preferuar në planet.
Dhe më e rëndësishmja, finalizimin e një projekti-ëndërr, që është ndërtimi i një stadiumi me parametrat e kërkuar nga Uefa, në gjendje për të pritur aktivitete të rangut ndërkombëtar.

80 vjetori i federatës së futbollit
Rikthimi i Platini në Tiranë këtë herë pati një sebep vërtetë special: ishte pikërisht 80-vjetori i themelimit të federatës shqiptare të futbollit. I konfimuar shumë muaj më parë kreu i Uefa-s u prit në mënyrën më madhështore të mundshme nga të gjithë.
Për të evituar të gjitha pakënaqësitë, por edhe për të shmangur ndonjë suprizë të papritur, drejtuesit e federatës kishin organizuar një pritje pak a shumë private, ku veç mysafirëve ndërkombëtarë dhe vetë drejtuesve të qeverisë së futbollit, një vend të rëndësishëm kishin edhe figurat më të spikatura të futbollit shqiptar në vite, trajnerë, sportistë e drejtues të ndryshëm.
Në këtë ceremoni u nderuan dhe u kujtuan disa prej korifenjve të futbollit ndër vite, për kontributet e tyre për futbollin shqiptar, si Panajot Pano, Loro Boriçi, Shyqyri Rreli, etj.

Platini bekon futbollin tonë
Vizita e kreut më të lartë të futbollit, ishte edhe një inspektim i shpejtë për futbollin shqiptar. Numri një i Uefa-s ka kërkuar nga qeveria shqiptare e futbollit më shumë punë dhe përgjegjësi, që loja e topkëmbës të ketë një masivitet më të gjerë, kushte më të mira dhe të përcillen mesazhet më të mira të Fair Play dhe respektit.
Platini ishte i pranishëm në inaugurimin e fushës stërvitore të Tiranës, një investim shumë i rëndësishëm me para të lëvruara nga qeveria evropiane e futbollit, nëpërmjet federatës shqiptare. Sipas kreut të Uefas, këto investime do të shtojnë edhe më shumë dëshirën e të rinjve të merren me sport, por nga ana tjetër, do të rrisin edhe më shumë cilësinë sportive të profesionistëve që do të stërviten në këto impiante.
Në takimet me krerët e futbollit, Platini e vuri theksin edhe te kuadri ligjor, që do të shtynte klubet drejt privatizimeve të tyre, por ndër të tjera edhe për krijimin dhe forcimin e një Lige Profesioniste, e cila do të shëndoshte edhe më shumë futbollin shqiptar.
Komplimentet e një eksperti në fushën e gjelbër, ishin edhe për ekipin kombëtar, ku Platini padyshim tha fjalët më të mira për përfaqësuesen shqiptare, që sipas tij nën drejtimin e trajneti Kuzhe, por edhe me mbështjen e fuqishme që po bën federata shqiptare, si edhe shumë donatorë dhe sponsorë, skuadra ka rritur shumë nivelin e saj.
Shqipëria, sipas tij është një gjendje të përballet si e barabartë me të gjitha skuadrat evropiane. Sipas Platinisë, e gjitha kjo rritje në cilësi është fryt i një pune të bërë në bazë, që nga fëmijët për të shkuar deri të klubet, që edhe pse kanë shumë vështirësi, kanë mundur të bëhen një urë lidhëse për futbollin e madh.

Stadiumi më i ri shqiptar
Manovrat e shumta për të ndërtuar një stadium të ri duket se tanimë po marrin formën e tyre të plotë dhe Shqipëria në vitin 2012 do të ketë një stadium të nivelit evropian, ku skuadrat tona mund të zhvillojnë ndeshje sipas parametrave të vendosura nga organizmat më të lartë që drejtojnë futbollin.
Edhe pse pothuaj të gjithë stadiumet tona janë licencuar nga Uefa asnjë prej tyre, madje as ‘Qemal Stafa’, nuk plotësojnë kushtet e vendosura nga ajo. Më saktë, stadiumet vetëm sa kanë kaluar klasën, pasi Uefa nuk do të lejonte zhvillimin e një ndeshje të Ligës së Kampioneve apo Europa League, standardet e së cilës kërkojnë të tjerë parametra.
Dhe në këto kushte projekti i kërkuar nga Presidenti Duka është shumë ambicioz. Një investim i përbashkët i qeverisë shqiptare dhe Uefas shumë shpejt do të sjellë në jetë një impiant gjigand, por mbi të gjitha shumë modern, me cilin futbolli shqiptar do të ketë mundësi të krenohet në arenën ndërkombëtare. Projekti që është propozuar është realizuar nga një kompani spanjolle, e specializuar në këtë fushë.
Kapaciteti mendohet të jetë rreth 25-30 mijë vendësh dhe i gjithë impianti do të jetë i mbuluar. Është menduar edhe një parkim gjigant në krah të tij, ndërsa mendohet se puna për ndërtimin nuk do të zgjasë më shumë 18 muaj.
Sipas federatës, por edhe me insistimin e qeverisë, stadiumi duhet të jetë gati me rastin e 100 vjetorit të Pavarësisë së Shqipërisë.

Stadiumi, premtim i kryeministrit
Në takimet shumta që Mishel Platini bëri në Tiranë ishte padyshim edhe ai me kryeministrin Berisha. Një takim sa miqësor aq edhe zyrtar, që duket se është kryer në kohën dhe për qëllimin e duhur. Të buzëqeshur në konferencën për shtyp, ku Berisha nuk e fshehu adhurimin për mikun e Shqipërisë, por edhe yllin e futbollit të viteve ’80, të dy personalitet rrahën në të njëjtën pikë: Shqipërisë i duhet sa më parë një stadium i standardeve të larta.
Kryeministri tanimë ka bërë një paqe jetëplotë me shefin e federatës së futbollit e ka mbështetur projektin e këtij të fundit për ndërtimin e stadiumit të ri. Ai nuk e humbi rastin që ta japë lajmin i pari: “Me mikun tonë Platini ramë dakord që me rastin e 100 vjetorit të Pavarësisë të inaugurojmë stadiumin e ri, për të cilin qeveria shqiptare do të bëjë një investim të rëndësishëm”, tha kryeministri Berisha.
Berisha, i ekzaltuar nga takimi me Platininë, nxitoi të thoshte se për inaugurimin e stadiumit, Platini i kishte premtuar zhvillimin e një superkupe evrope. Platini nënqeshi dhe nxitoi të korrigjonte frëngjishten e kryeministrit duke thënë se një gjë e tillë, me gjithë dashamirësinë, është pothuaj e pamundur.

Miqësorja me Spanjën
Një tjetër mik i Shqipërisë është ofruar të na dhurojë një suprizë speciale. Nga burime konfidenciale, presidenti i përjetshëm i futbollit spanjoll dhe zv/president i Uefas, Angel Maria Villar, që është gjithashtu edhe miku i ngushtë i presidentit Duka, ka propozuar nën zë se me rastin e inaugurimit të stadiumit të ri kombëtar të Shqipërisë, të organizojë një ndeshje miqësore me kampionen e Evropës dhe Botës në fuqi, Spanjën.
Lajmi në fakt nuk është zyrtarizuar, por ideja e thënë me gjysmë zëri nga Villar duket se ka intriguar shumë skenarë në kokën e shefave të federatës shqiptare. Spanja dhe Shqipëria kanë patur mundësinë të përballen me njëra tjetrën, por zhvillimi i një miqësore të tillë do të ishte një privilegj shumë i madh.