Në beharin e vitit 1989, regjimi i lodhur komunist i Tiranës, pretendonte se do të shënonte vitin më të mirë të Shqipërisë për prodhimin e përgjithshëm bruto. Kjo ndërkohë që shenjat e urisë dhe mungesave të mëdha, jo vetëm ushqimore, ishin të dukshme ngado të hidhje sytë. Mjaftonte hyrja në një dyqan ushqimesh, ku të vetmet mallra të ekspozuara ishin shishet e uthullës, kanoçet e mëdha pesëkilogramësh të salcës së domates dhe kavanozat me panxharin e kuq turshi që, me sa duket, nuk ishin në midenë e shqiptarëve.
Nën ndikimin e Perestrojkës së nisur në Bashkimin Sovjetik të atëhershëm nga lideri Gorbaçov prej gati 5 – 6 vitesh, në verën e atij viti, çarjet ishin bërë të dukshme në shtetet periferike të kampit socialist, veçanërisht në Hungari, ku në sajë të njëfarë liberalizimi në regjimin e kufirit, njerëzit ishin lejuar të lëviznin për në Austri.
Kjo kish dhënë shenjat edhe në Çekosllovakinë e atëhershme dhe vizitorët nga Praga për në Budapest ishin dyndur po ashtu për në Austri. Imazhet e shfaqura në ekranet e televizioneve italiane, por edhe jugosllave, e jepnin efektin edhe në Tiranë dhe, nën zë, në grupe të vogla, sigurisht kjo ishte tema e bisedës. Ç’do të ndodhte me ne në shtetin më totalitarist e më të varfër të Lindjes komuniste që, për më tepër, nuk ishte as brenda kësaj vathe, por ish lënë mënjanë në fatin e vet?
Ajo që e shtrëngonte më shumë situatën ekonomike në vend ishte edhe fakti se në vendet e Traktatit të Varshavës e KNER-it, të ndikuara nga reformat e Gorbaçovit dhe në nxitje të tregtisë së lirë, nuk po funksiononte as marrëdhënia e tregtisë me klering që ishte bazë për shkëmbimet tregtare e për importet në vend. Mungesën e këtyre shkëmbimeve, industria e vendit në të gjitha fushat, si ajo e rëndë, edhe ajo e lehtë ushqimore, e ndjeu menjëherë. Pasojat ishin të kuptueshme dhe çonin në paralizë totale të aktivitetit prodhues industrial. Mbaheshin gjallë vetëm me importin e bazuar në përdorimin e rezervës valutore, ndërkohë që ca profesorë e akademikë të kohës po përpiqeshin të shpiknin një mekanizëm të ri ekonomik, për të nxitur me forma të tipit të vetadministrimit jugosllav gjallërimin e ekonomisë.
Në këtë peizazh gri të situatës ekonomike të vendit, ku veshja me rroba të hirnosura i bënte njerëzit si hije, pa fizionomi, ku grahmat e fundit të regjimit ishin të dukshme dhe ku revolta e brendshme mbahej e kontrolluar vetëm nga famëkeqi Sigurim i Shtetit, pikërisht në fund të verës së nxehtë, në Tiranë u njoftua për një koncert të këngëtarit italian Albano. Këngëtari i mirënjohur, bashkë me të shoqen, Romina, do të jepte recitalin e tij në Pallatin e Kongreseve. Por ajo që bënte çudinë ishte se do të lejohej ta përsëriste para një turme njerëzish në stadiumin “Qemal Stafa”.
Kjo “çudi”, sot mund të habisë shumëkënd, por brezi ynë ka jetuar kohën kur janë burgosur e syrgjynosur n’atë botë jo pak njerëz, të cilët kanë guxuar të këndojnë apo dëgjojnë muzikë si ajo e Albanos apo kolegëve të tij në Itali apo gjetiu në Perëndim.
E sigurt që leja për një aktivitet të tillë ishte dhënë në nivelet më të larta të shtetit dhe, me sa rezultoi, me garancinë e kontrollit të plotë të Sigurimit të Shtetit.

Albano këndoi në podium të improvizuar, në fushën e gjelbër përballë Karshisë, siç quhej tribuna njëzetëshe, e mbushur plot e përplot me njerëzit në këmbë gjatë gjithë kohës e që e shoqëronin këngëtarin si një kor gjigant. Më ka mbetur e pashlyer në kujtesë, perëndimi i asaj dite në shkallët e stadiumit, kur me rënien e muzgut, spektatorët filluan të ndezin edhe çakmakët, duke krijuar një atmosferë absolutisht të veçantë e të paparë ndonjëherë në Tiranën e atyre viteve.
Kulmi arriti me këngën më të re të repertorit të Albanos, e cila titullohej “Liberta”. Meritë e këngëtarit, por edhe publikut prej 10.000 vetash, përfshirë edhe sigurimsat nëpër rreshta, që nuk penguan dot kësaj here, stadiumin të buçiste nga thirrja “Liberta” e këngës. Dhe kaq ishte, këtu mbaroi atë natë mes shtatori 1989.

Ishim jo pak që prisnim të kishte edhe vazhdim, por jo.
Errësira dhe sigurimsat, që kishin kontroll të plotë për të ftuarit në shfaqje, nuk lanë me sa duket asnjë shteg për vijim të “Liberta”-së.

Për mua, mbetet enigmatike kjo ngjarje. Përse n’ato momente historike u soll Albano, që të këndojë para shqiptarëve, ende të mbyllur në një kafaz terrori, por që dinin të gjithë italisht dhe të lejohej të provokojë me këngën e shkruar pikërisht atë vit, për erën e lirisë që po frynte në botë. Tekstin e frymën që përçonte, ishin shqiptarët të cilët e ndienin dhe kuptonin më shumë se kushdo në rruzullin tokësor.

Mosndodhja e asgjëje më pezmatoi shumë, aq më tepër që në shtëpi do të vijoja të ndiqja në emisionet e lajmeve të televizionit italian, pamjet e çekëve e gjermanolindorëve, të cilët ishin me pushime në Hungari, që kalonin kufirin të lumtur për në Austri e duke i thënë lamtumirë kampit të terrorit që përfaqësonte Lindja Komuniste.

As dy muaj pas kësaj ngjarjeje vetëm festive në Tiranë, gjermanët i vunë kazmën Murit të Berlinit, më 9 Nëntor 1989, duke i dhënë goditjen fatale kampit socialist, e duke nisur zinxhirin e ngjarjeve të vrullshme që rrëzuan regjimet totalitare të Lindjes në Europë.
Shqiptarët do të ishin shumë shpejt përfitues të drejtpërdrejtë, por Shqipërisë iu desh edhe një vit tjetër për të hedhur hapat e parë për ndryshimin e regjimit dhe pothuaj tre vjet, për të pasur të parën qeveri jokomuniste.
Sot, në jubileun e 30 të rënies së Murit të Berlinit, Simbolit emblematik të perandorisë totalitare komuniste, do të ishte më se e natyrshme që shqiptarët dhe qeveria e vendit, të organizonin evente në kujtim të kësaj ngjarje historike me një rëndësi të veçantë për mbarë njerëzimin, por edhe për ne, në këtë cep të botës, me hapjen që i siguroi Shqipërisë drejt Perëndimit.

Por nuk mund të mos bjerë në sy neglizhenca e treguar për këtë datë krahasuar me trumbetimin dhe vëmendjen e kujdesin maniakal për të sjellë në kujtesë të shqiptarëve simbolikën komuniste të çlirimit nga okupatori nazifashist. Përdorimi i fotove të partizanëve të vrarë të Luftës së Dytë Botërore, të varura në bulevard, është absolutisht abuziv, nëse kujton që nga Nëntori 1944, numri i të dënuarve me vdekje dhe të ndëshkuarve me dënime çnjerëzore nga regjimi gjakatar që pasoi këtë ditë çlirimi është shumë më i madh e megjithatë nuk ka asnjë monument dinjitoz, për nderimin e tyre dhe asnjë ditë e shenjë përkujtimi.
Nuk ka si të mos të shkojë ndër mend që ka një synim pervers, nga një anë, për të përkëdhelur nostalgjikët e komunizmit e, nga ana tjetër, për të relativizuar ngjarjen pa dyshim shumë të rëndësishme të rënies së regjimeve totalitare komuniste në kontinentin e vjetër, por që i solli shqiptarëve të shpërndarë në disa shtete përfitimet më të mëdha se për çdo komb tjetër të Europës.

Kolë Mokra