Sot në mesditë, në Nion të Zvicrës, u hodh shorti i çerekfinaleve të Ligës së Kampioneve. Shorti na dha mundësinë të shohim 4 çifte mjaft interesante.

Kampionët në fuqi të Europës dhe njëkohësisht rekordmenët e këtij trofeu, Real Madrid, do të ndeshen me Juventus, në një nga klasiket më të bukura të Europës. Ndeshja e vajtjes do të luhet më 3 prill në Torino, ndërsa kthimi pas një jave në “Santiago Bernabeu”. Përballje e veçantë edhe për dy trajnerët, duke qenë se vitin e kaluar u përballën në finalen e Kardifit, aty ku triumfuan sërish madrilenët.

Një tjetër përballje e madhe do të jetë derbi anglez mes Liverpool dhe Manchester City. Ndeshja e parë do të luhet në “Anfield Road” më 4 prill, ndërsa ndeshja e kthimit në “Etihad Stadium”, më 10 prill.

Dy çiftet e tjerë do të jenë: Barcelona – Roma dhe Sevilla – Bayern München. Short i favorshëm deri diku për katalanasit dhe bavarezët, edhe pse spanjollët nuk duhen nënvlerësuar pasi nxorën jashtë kompeticionit Manchester United të Jose Mourinho-s, duke dominuar të dyja ndeshjet.

Short i pafat mund të themi për ekipet italiane, pasi Juventus dhe Roma do të përplasen me dy gjigantët e futbollit europian dhe atij botëror, të cilat kanë fituar 4 edicionet e fundit të këtij kompeticioni: 3 herë Real Madrid (2014, 2016, 2017) dhe 1 herë Barcelona (2015).

Programi i çerekfinaleve

E martë, 3 prill
Juventus – Real Madrid
Sevilla – Bayern München

E mërkurë, 4 prill
Barcelona – Roma
Liverpool – Manchester City

E martë, 10 prill
Roma – Barcelona
Manchester City – Liverpool

E mërkurë, 11 prill
Real Madrid – Juventus
Bayern München – Sevilla

Më 13 prill do të hidhet shorti i gjysmëfinaleve, të cilat do të zhvillohen më 24/25 prill dhe 1/2 maj, dhe nga ku do të dalin dy skuadrat që do të përballen në finalen e 26 majit në Kiev (Ukrainë).

Një orë më pas, u hodh edhe shorteu për fazën çerekfinale të UEFA Europa League:

1.RB Leipzig – Olympique Marseille
2.Arsenal – CSKA Moskva
3.Atletico Madrid – Sporting CP
4.Lazio – Salzburg