Ajo është prezantuesja që jemi mësuar ta shohim çdo ditë në “Pasdite” në Top Channel. Brenda një kohe të shkurtër ajo ka ditur të bëjë për vete audiencën me modestinë e një gazetareje dhe lirshmërinë që e karakterizon. Eksperienca në “Pasdite” jo vetëm e ka rritur profesionalisht por e ka bërë dhe më të ndjeshme. Përtej “Pasdites” prezantuesja që dikur mbante kurorën e “Miss Tiranës”, na rrëfen për jetën e saj të përditshme, pasionet dhe ëndrrat në sirtar

Atë e shohim çdo pasdite në Top Channel. Është Lira Burgija vajza simpatike, e cila fitoi besimin e drejtuesve të Top Channel  për të qenë moderatorja e “Pasdite” në Top Channel, një program sa social, aktual dhe argëtues. Përzgjedhja nuk ishte e rastësishme, fati e ndihmoi pas disa viteve eksperiencë në televizion, radio dhe studimet në degën e gazetarisë duke i formuar asaj personalitetin e një gazetareje të vërtetë. Nëse para pak kohësh e shihnim teksa raportonte në lidhje direkte për  “Top News” ku punoi prej disa vitesh si gazetare në terren, sot Lira bën një punë ku i duhet të përballojë me energji dhe kreativitet rubrikat e çdo pasditeje. Gazetarja elegante na rrëfen se eksperienca e saj në këtë transmetim direkt e ka rritur shumë jo vetëm profesionalisht por dhe emocionalisht. Ka qeshur dhe qarë për historitë që ka dëgjuar e të cilat kanë qenë pjesë bazike e programit.

Përtej “Pasdites” Lira na rrëfen për jetën e saj, pasionet, dëshirat e shumë të tjera.

 

INTERVISTA

Lira ju njohim si prezantuese e emisionit të përditshëm, “Pasdite” në Top Channel. Cili është rrugëtimi juaj për të ardhur deri këtu?

Dëshira ime për gazetarinë dhe televizionin nisi me angazhimin në një projekt televiziv të “Unicef” dhe Televizionit Shqiptar. Që në moshë të vogël kam qenë pjesë e programit për të rinj “Troç” ku moderoja si dhe realizoja kronika në terren mbi tematika që shqetësonin të rinjtë. Mendoj se ka qenë kjo eksperiencë që më hapi portën drejt rrugës që do të merrja më pas me studimet në degën e gazetarisë në Universitetin e Tiranës.

Prej rreth katër vitesh kam punuar në televizionin Top News, fillimisht si gazetare e lajmeve nga bota dhe rajoni e më pas si gazetare e çështjeve sociale. Sa herë i rikthehem ekperiencës në Top News, duke qenë edhe më e vogla e redaksisë, mendoj se kam qenë vërtet me fat që kam punuar me gazetarë aq profesionistë e që më kanë mësuar aq shumë. Mendoj se ka qenë një etapë shumë e rëndësishme sa i përket formimit tim.

“Pasdite” është një emision intensiv, që kërkon përveçse punë dhe kreativitet edhe shumë energji për ta përballuar?

“Pasdite” është një punë në grup që kërkon impenjim të madh për shkak se është një program i përditshëm. Çdo ditë përballesh me të ftuar të ndryshëm ndërsa temat luhaten nga ato sociale, aktualiteti e deri te kultura, showbizi apo stili i të jetuarit. Është një fiskulturë e mirë por që kërkon përkushtim të madh dhe përqëndrim maksimal. Nga ana tjetër ky program më ka mësuar të jem racionale sa i përket energjive e t’i shpenzoj në kohën dhe vendin e duhur.

Si ndodhi përzgjedhja juaj?  

Isha në ditët e fundit të punës në “Top News” para se të shkoja me pushimet e verës kur drejtori artistik në Top Channel, Bujar Kokonozi më propozoi të bëja një provë si pjesë e një audicioni që po zhvillohej për përzgjedhjen e moderatores së re të “Pasdites”. Fillimisht mendova, është një sipërmarrje e vështirë, por sot dua ta falënderoj shumë që më besoi atëherë kur unë vetë nuk mendoja. Dy ditë pas audicionit më lajmëruan që isha përzgjedhur për të moderuar. U gëzova shumë por në të njëjtën kohë i thashë vetes, pjesa më e vështirë nis tani. Ah po, m’u desh të anuloja edhe pushimet, (qesh).

A ka disa kredenciale të veçanta që duhet t’i përmbushë një prezantuese televizive?

Sigurisht që ka por mendoj se përgjigjen e kësaj pyetjeje mund ta japin më të saktë ata që kanë vite e vite që punojnë në këtë fushë. Në cilësinë e publikut, unë personalisht vlerësoj te një prezantues të qenurin i drejtpërdrejtë, i vërtetë dhe sa më pranë atyre që të ndjekin.

Sa ka ndikuar tek ty ky format qoftë profesionalisht ashtu edhe emocionalisht?

Profesionalisht më ka rritur në çdo aspekt edhe se kam akoma shumë punë për të bërë. Thuajse çdo ditë mësoj diçka të re. Emocionalisht mendoj se më ka bërë më të ndjeshme ndaj problemeve me të cilat përballemi çdo ditë por mbi të gjitha ndaj personave apo fëmijëve me nevoja speciale. Ka patur histori që më kanë bërë të qaj ashtu sikurse kam qeshur pafund të premteve kur pasditja bëhet pak më rozë, apo kur në studio kemi patur të ftuar vërtetë interesantë.

Ka raste që lodheni dhe vjen një moment kur thua se ndoshta të duhet pak pushim?

Muajin e parë lodhesha më shumë sepse ishte fillimi dhe si çdo fillim ka qenë i vështirë. Ka raste kur e them akoma, por pasi emisioni shkon mirë harron çdo tension apo stres që mund të kesh patur para se të hyje në transmetim direkt.

Të ka ndihmuar fakti që dikur ke fituar një kurorë missi?

Gjithmonë kam qenë e mendimit se bukuria humbet çdo vlerë në momentin kur personi lë për të dëshiruar sa i përket përmbajtjes apo formimit. Kurorën mirë që ma kujtove ti se e kisha harruar, (qesh).

Zgjedhja për të qenë në fushën e gazetarisë e të prezantimit ka qenë ëndërr e dikurshme?

Ka qenë një ëndërr e hershme për realizimin e së cilës kam punuar çdo ditë. Prandaj në puntatën e parë  para se të hyja në transmetim direkt i thashë vetes: “A nuk është kjo ëndrra që ke patur që e vogël?! Jepi! Bëje!”.

Si ndihet Lira para transmetimit?

Varet nga emisioni. Në rastet kur tema është impenjative përqendrohem në maksimum para transmetimit direkt. Në ato momente mund të më thuash shumë gjëra, por nëse nuk kanë lidhje me temën apo të ftuarin është e sigurt që të kam dëgjuar shumë pak për të mos thënë aspak.

Por më pas?

E relaksuar sepse çdo gjë shkoi mirë.

Mendon se talenti dhe lirshmëria janë të lindura apo fitohen me përvojën dhe punën?

Çdo ditë që kalon të mëson diçka të re. Secili ka individualitetin e tij por nëse kontraktohesh apo nuk ndjehesh komode para kamerave, përballë të ftuarve apo për një mijë e një arsye të tjera, mendoj se nuk mund të japësh më të mirën tënde. Prandaj përvoja dhe puna është e rëndësishme, sepse të ndihmon të kultivosh atë që ke dhe ta shfaqësh para publikut.    

Cilat janë prezantueset me famë botërore që të frymëzojnë e prej të cilave do doje t’u “vidhje” ndonjë truk?

Le te themi që kam disa moderatorë që i adhuroj për atë çfarë përfaqësojnë. Më pëlqente shumë Larry King tek “Larry King Live”. Kam ndjekur po ashtu edhe televizionin italian, të cilin ne shqiptarët e marrim shpesh si pikë referimi. Më pëlqenin programet e Paolo Bonolis, Maurizio Constanzos por edhe të Maria De Filippit apo Chiambretti.

Do doje ndonjëherë të ndryshoje ndonjë gjë në jetën tënde?

Jeta që bëj më pëlqen por duke qenë njeri që kërkon shumë, sigurisht që mund të gjej plot gjëra për të ndryshuar. Për shembull do të më pëlqente të udhëtoja më shumë. Puna më ka privuar shpesh nga lëvizjet jashtë Shqipërisë edhe se do të doja të kisha më shumë kohë në dispozicion për të vizituar qytete apo vende të reja.

Cila është filozofia që besoni për të qenë e lumtur?

Besoj se asgjë në jetë nuk është e pamundur. Nëse përpiqesh dhe e do shumë diçka mund t’ia dalësh.Por edhe nëse rrëzohesh rëndësi ka të ngrihesh sërish dhe të vazhdosh rrugën e nisur pa humbur asnjëherë besimin te vetëvetja.

Bukuria lidhet zakonisht me konceptin e elegancës së tejskajshme dhe dietave që vajzat mbajnë?  

Nuk ka ndonjë rregull të shkruar që bukuria e jashtme u përket vetëm eleganteve të tejskajshme. Ka shumë vajza dhe gra të bukura edhe se linjat e tyre mund jenë të kolme apo janë të shëndetshme…Po ashtu jam kategorikisht kundër dietave drastike që mbajnë shumë vajza dhe gra e që mund të jenë shumë të dëmshme për shëndetin. Unë vetë perpiqem të përzgjedh ushqime sa më të shëndetshme dhe të shmang fast food-et. Gjithsesi besoj se bukuria e jashtme është më shumë se kaq…është të ndihesh mirë me veten…është mënyra si sillesh, si flet, mënyra si ecën e një kompleks gjërash të tjera.

Libri i fundit?

Përpiqem që çdo ditë t’i kushtoj minimumi një orë e gjysmë librave. Në fundjavë ndoshta më shumë sepse kam më tepër kohë në dispozicion. Kam lexuar pjesën më të madhe të librave që mora në panairin e fundit. Kam në dorë “Varrezat e Pragës” të Umberto Ecos.

Shikon telenovela?

Telenovela nuk shoh kurrë por dikur kam parë edhe unë.

Po lookut sa kohë i kushtoni? Është e rëndësishme të jesh tejet e kuruar si një person mediatik?

I kushtoj rëndësi pamjes së jashtme por nuk bëj pjesë tek ata persona manjakë pas orëve të gjata në qendrat estetike…I frekuentoj rregullisht, bëj trajtimet që më duhen. Më pëlqen të jem sa më natyrale dhe e thjeshtë. Sa i përket veshjeve jam shumë sportive. Pëlqej veshjet casual, të sheshtat, xhinset që janë artikulli im i preferuar i garderobës por edhe kompletet sportive. Ndryshe nga orët në qendrat estetike, ato në palestër i shijoj shumë. Mundohem të shkoj rregullisht madje mërzitem shumë kur për shkak të punës më duhet të mungoj. Palestra përveçse më mban në formë më ndihmon për të shkarkuar të gjithë energjinë negative dhe stresin.

Mes karrierës dhe dashurisë cilën do zgjidhni?

Familjen.

Çfarë mund të na thoni për këtë të fundit?

Një mrekulli.

Një ëndërr në sirtar?

Ndoshta një eksperiencë akademike jashtë vendit.