Cila është në të vërtetë braziliania seksi që shfaqet çdo të dielë përkrah Ardit Gjebreas? Cila është e kaluara e saj, jeta që bën në Tiranë dhe çfarë e ka shtyrë të heqë dorë nga një shtet i mrekullueshëm ekzotik për t`u vendosur në Shqipëri…

INTERVISTA

Nuk keni folur shpesh për shtypin shqiptar, kështu që për ta filluar këtë bisedë, do ishte i domosdoshëm një prezantim…

Jam nga Brazili, nga një lokalitet me emrin Minas Gerar. Kam jetuar atje fëmijërinë, deri në moshën 18 vjeçare, sepse më pas u zhvendosa në Rio de Janeiro. Aty kam jetuar me mamanë time vetëm për dy vite, pastaj pjesën tjetër kam jetuar vetëm, ose me shoqe.

Si ishte të jetoje e vetme në një qytet të madh si Rio?

E mërzitshme! Nuk është bukur të zgjohesh në mëngjes e të mos kesh kujt t`i thuash “mirëmëngjes”. Njeriu ka nevojë të ndajë me dikë gjërat e përditshme, qoftë dhe me një mik. Të jetoja vetëm, nuk ishte aspak përvojë e bukur.

Si ka qenë jeta jote në Brazil?

Kam shkuar në një shkollë baleti, falë së cilës kam pasur mundësi dhe të udhëtoj shumë nëpër botë. Herë pas here na siguroheshin kontrata falë të cilave mund të punonim në vende të ndryshme të Europës.

Pra, ti ke qenë shpesh në Europë?

Po. Kam qenë me trupën e baletit në Paris, Rusi, Itali e shumë shtete të tjera. Sipas kontratave, qendronim në këto vende për 7-8 ditë, ose dhe për gjashtë muaj maksimumi, pastaj detyroheshim të ktheheshim në Brazil. Për njëfarë kohe, jeta ime ka qenë e ndarë midis Brazilit dhe Europës, për shkak të kërcimit.

Duket sikur je ndalur më gjatë në Itali, italishtja jote është përfekte!

Jo, nuk kam jetuar kurrë në Itali. Por kam pasur një të dashur italian, me të cilin u njoha në një nga këto udhëtimet e punës. Pata një kontratë dhe u transferova në Itali për disa muaj, por gjuhën e kam mësuar në mënyrë autodidakte kohë më përpara. As me libra jo, por me anën e një fjalori, (qesh).

Prej pak vitesh je vendosur në Shqipëri. Si erdhe këtu?

Siç kam shkuar kudo tjetër, prej punës. U kontraktova së bashku me disa balerinë të tjerë nga Brazili për të kërcyer këtu për disa kohë. Kemi ardhur në vigjilje të Krishtlindjeve të vitit 2009. Unë erdha në Shqipëri me mendimin se do qëndroja për maksimumin gjashtë muaj, por gjërat erdhën në mënyrë të tillë dhe… ja ku jam, ende këtu.

Çfarë të bëri të qëndrosh në Shqipëri për një kohë kaq të gjatë?

Përveç faktit që jeta këtu më pëlqen, arsyeja kryesore ishte i dashuri im, Mirko, që punon prej vitesh në Tiranë.

Si u njohe me Mirkon?

Isha rrugës për në Tiranë; isha tranzit në Romë, ku do merrja pastaj avionin që do më sillte në Rinas. Aty u njoha me Mirkon. Nisëm të shkëmbenim disa fjalë që në aeroport, pastaj udhëtuam bashkë drejt Tiranës. Lindi menjëherë një simpati mes nesh; përpara se të ndaheshim në aeroportin e Rinasit, shkëmbyem numrat e telefonit.

Dhe pastaj, kur u takuat sërish?

Pas dhjetë ditësh. Mirko e njihte mirë Tiranën, sepse kishte kohë që punonte këtu. Ishte një guidë dhe shoqëri e mirë, (buzëqesh).

Çfarë pune bën Mirko?

Është avokat. Kur unë erdha në Shqipëri, ai kishte rreth një vit e gjysmë që ishte vendosur me punë në Tiranë.

Po thua se vendose të qendrosh këtu për hir të dashurisë?

Mund ta themi dhe këtë. Për Mirkon lashë gjithçka që kisha në Brazil… Shkollën e kërcimit, miqtë, familjen dhe Rion.

Mendon se ia ka vlejtur sakrifica?

Pa diskutim! Pastaj, mua më pëlqen shumë Tirana.

Nuk të merr malli për familjen? Nuk të vjen keq që “e braktise” për hir të dashurisë?

Të mitë më mungojnë, por nuk pendohem që kam marrë këtë vendim. Mamaja dhe gjyshja ime, thonë se fëmijët rriten që një ditë të ikin nga shtëpia, të ndjekin rrugën e tyre. Ky është një fat i paracaktuar; është diçka natyrore, nuk është fundi i botës. Për familjen time rëndësi ka që unë të jem mirë dhe e lumtur.

Dhe ti je e lumtur…

Shumë! Kam një të dashur, miq të rinj, bëj një punë që më pëlqen dhe studioj në universitet. Kam gjithçka që kam dashur.

Për çfarë studion?

Për fizioterapi, në universitetin “Zoja e Këshillit të mirë”.

Mamaja të ndjek nga Brazili kur del tek “E diela shqiptare”?

Më ndjek dhe thotë se i pëlqej, (buzëqesh).

E ke të vështirë të prezantosh shqip?

Shumë. Më besoni, çdo javë ndihem në ankth dhe kam frikë se nuk do t`ia dalë mbanë (qesh). Gjuha shqipe është e ndërlikuar. Unë jam mësuar me portugalishten, që ka 23 gërma, kurse shqipja ka 36. Pastaj, ka disa gërma që unë nuk i shqiptoj dot dhe duhet shumë praktikë që t`i mësoj siç duhet.

Fillimi duhet të ketë qenë i vështirë, por tani besoj se ia ke marrë dorën…

Tani është pak më ndryshe, ama ende nuk jam plotësisht familjare me shqipen. Por kur më ndalojnë njerëzit në rrugë e më pyesin, unë i kuptoj dhe ua kthej përgjigjen tamam, ndonëse jam shumë e ngadalshme (qesh).

Mendon se mund ta bënim këtë intervistë në shqip atëherë dhe jo në italisht?

Pse jo, nëse ti i ke katër orë në dispozicion? (Qesh) Më ka prishur shumë punë italishtja. Mirko është italian, po ashtu dhe miqtë tanë. Shtoji kësaj faktin që këtu të gjithë flasin italisht. E kam të pamundur të mësoj shqip, se punët i zgjidh në italisht. Besoj se fakti që ia dal me italishten është arsyeja kryesore pse e kam të vështirë të perfeksionoj shqipen. Madje nga shtatori fillova të merrja dhe mësime me pedagoge, por… e pamundur!

Si të duket angazhimi yt i ri tek “E diela shqiptare”?

Shumë interesant, argëtohem shumë. Me këtë rast dua të falënderoj stafin, sepse pa Manjolën, Arjonin, Ivin dhe gjithë të tjerët, s`do t`ia dilja dot mbanë. Është pikërisht prej mbështetjes së tyre që unë kam ecur në këtë projekt të ri.

Ma thuaj me sinqeritet… Është më i bukur Brazili apo Shqipëria?

Kanë bukuri të ndryshme… Nëse do flisnim për bukuri natyrore, Brazili është i pakrahasueshëm, por një vend e bëjnë dhe njerëzit dhe këtu ata janë më të bukur se në Brazil. Dhe kur them “të bukur”, nuk e kam fjalën fizikisht, por në shpirt.

Kjo do të thotë se ke menduar të jetosh përgjithmonë në Tiranë?

Nuk e kam menduar. Unë kam dëshirë ta shijoj jetën dhe të bëj eksperiencat e mia kudo, por të gjithë një ditë do kthehemi në shtëpi. Nuk e imagjinoj askund veten gjyshe, përveçse në Brazil. As në Shqipëri, as në Itali. Kot nuk thonë “shtëpi, e ëmbla shtëpi”.

Po Mirkon, do ta marrësh me vete në Brazil?

(Qesh). Ky nuk është një vendim kaq i thjeshtë dhe s`mund të të japë përgjigje në këtë çast.