Performanca jetësore e një vajze artiste. Domenika Caushi, vajza që e për pak e preku me dorë çmimin e madh të Big Brother, në një rrëfim për veten, Seldin dhe të tjerët.

 

Ajo është artiste në çdo gjë: në mënyrën se si shprehet, si i përjeton gjërat, si vishet, si ecën, si buzëqesh. I zgjedh fjalët me kujdes, ecën me elegancë, i pëlqen të filozofojë e të meditojë, ndërsa tymi i cigares përmes gishtave të hollë, e bën disi enigmatike. Ka qëndruar për më shumë se 100 ditë në shtëpinë e Big Brother. Shumë mund të mendojnë se e njohin dhe dinë gjithçka për jetën dhe karakterin e saj, pasi ajo ka qenë aty ndër të paktët persona që flisnin shumë hapur. Por ky konstatim nuk është krejt i vërtetë. Sepse sa më shumë që flet me të, aq më shumë zbulon tek ajo, sepse ajo është një vajzë me botë të madhe dhe deri diku enigmatike. Kjo enigëm lidhet me faktin se ajo, sikurse  Tonio Kreger, një personazh intelektual i Tomas Man, “nuk pranon që jeta e saj të bie në një kollajllëk të rrafshët”. Ndaj e gjithë përpjekja e saj sillet në dëshirën për të bërë diçka të rëndësishme në jetë. E çfarë do të jetë? Domi ka shumë plane, por dëshiron që t’i zbulojë pasi t’i bëjë realitet.

Ndërsa bisedon me të, apo ndërsa ajo përpiqet të shpjegojë të gjithë filozofinë e saj për jetën, njerëzit, dashurinë dhe artin, kupton edhe një herë se ajo nuk është një vajzë e zakonshme, por një femër artiste që ka punuar shumë për të arritur këtu ku është. Në kokë mban një lule! Me flokët gjysëm të mbledhur, fundin e gjatë dhe tualetin delikat, ngjan si një bohem. Sapo është kthyer nga Italia dhe menjëherë ka ardhur të japë këtë intervistë. Vijnë të dy bashkë me Seldin, sepse tani janë të pandarë. Seldi vijon të jetë i njëjti në lidhje me Domin, ndërsa Domi duket akoma më e dhënë pas Seldit. Dashuria e tyre ngjan më e vërtetë se dita dhe më joshëse se nata. Kanë zbuluar njëri- tjetrin dhe tani po shijojnë lumturinë që të jep një raport i tillë.

Çfarë mendon tani pas BB?

Gjithmonë kam qenë e idesë se BB ia vlente për eksperiencë. Unë edhe pse kam jetuar shumë vite në Itali kam qenë gjithmonë në kontakt me Shqipërinë, kam ardhur shumë shpesh, madje kam ndjekur me vëmendje edhe evenimentet artistike në Shqipëri. Pra kam qenë në kontakt me gjërat që ndodhin këtu, ndaj doja ta provoja edhe këtë eksperiencë.

Përveç kësaj doja ta shihja Domin në raport me të tjerët. Edhe kjo ishte një shtysë që ta provoja si eksperiencë.

Mendoj se ia vlejti, sepse jo vetëm që e pashë Domin, por aty takova Seldin, me të cilin u njoha dhe u dashurova.

Si u ndjeve kur pe mama Valen që po hynte në BB?

E çuditur, por njëkohësisht ishte një surprizë tepër e këndshme. Ishte çudi që nuk më kishte thënë se do të futej, sepse në përgjithësi nuk mbajmë sekrete me njera- tjetrën. Por, edhe nëse do të ma kishte thënë përpara se të hynte në shtëpi, prap do ta kisha pritur me kënaqësi.

Cili ishte impakti i parë që krijove natën e parë të qëndrimit në shtëpi?

E pashë që arredimi i shtëpisë nuk i pëlqeu asnjërit. Por arredimi që gjetëm aty, arredimi i atyre viteve, është ëndrra ime. Prandaj më pëlqeu. Në shtëpinë që kemi në Vlorë kemi ruajtur mobilje të tilla dhe ngaqë më pëlqejnë i kam thënë mama Vales që të mos i hedhë…Gjithmonë kam menduar të bëj një film me ato orendi… Nga ana skenografike më pëlqeu shumë!

Po njerëzit si t’u dukën?

Nuk jam natyrë që i paragjykoj njerëzit vetëm me impaktin e parë. Më pëlqen t’u jap kohë të më njohin dhe t’i njoh. Dua t’i njoh njerëzit nga zemra dhe jo nga jashtë.

Nëse do ishe në ditën e parë, cilin nga ato persona do e ndërroje?

Asnjërin nuk do e ndërroja, sepse secili prej tyre ka qenë në karakterin e vet. Kushdo që të ishte aty, unë do të isha njëlloj.

Çfarë ndjesie është të jesh në finale?

Aty për aty është emocion që nuk e ke përjetuar kurrë më parë si të tillë. Emocionet nuk i përshkruaj dot me fjalë. Është e kotë të përpiqem t’i përshkruaj…. Isha e lumtur që kisha arritur deri aty. Dhe siç thashë edhe më sipër, unë nuk isha futur aty për fitoren, ndaj nuk është se provova ndonjë hidhërim të madh. Dhe besoj se këtë e kam treguar me reagimin tim. Por do të kisha preferuar të fitonte një femër për të zbutur mentalitetin maskilist në Shqipëri. Megjithatë, që të jem e sinqertë, kur arrin të jesh në lojë deri në momentin e fundit, kur arrin të dalësh në dyshen finaliste, edhe fitoren e mendon shumë të afërt!

Cilët nga banorët e BB takon?

Përgjithësisht kam qenë e angazhuar me punët e mia, por kjo s’do të thotë se nuk i kam mbajtur kontaktet me mënyrat që kam pasur mundësi, me telefon ose facebook. Mund të permend Kikën që është në Kosovë, apo Jonën që është në Afrikën e Jugut.

Cili nga banorët të ka zhgënyre më shumë?

I kam njohur personat që brenda. Prandaj nuk është se mund të zhgënjehem jashtë prej tyre.

Po Seldi?

Seldi që në impaktin e parë ka një magnetizëm në vështrimin e tij që i bën të gjithë për vete, shpreh çiltërsi, thjeshtësi, është gazmor. Nuk ka komplekse dhe kjo mendoj se është një tjetër gjë që na bashkon. Është shumë i ngjashëm me mua! Ka humor, jep emocione.

Kur e pe për herë të parë e mendove se do lidheshe me të?

Jo. Por nuk e mohoj se më pëlqeu fizikisht.

Kur filloi të të ngjallë interes?

Që ditën e parë, me batutat e tij. Pastaj interesi erdhi duke u shtuar ditë pas dite. Deri kur ndjeva një ndjenjë të fortë dashurie. Kjo ndjenjë tek unë lindi spontanisht, ndryshe nga Seldi i cili që javën e parë filloi të thonte për mua “e dua, e dua!”. Ishte një gjë krejt e papritur dhe që më pëlqeu, pavarëisht se u duk sikur nuk e dhashë veten.

Ka pasur momente që ke menduar se bërë gabim që u lidhe me Seldin?

Jo, nuk ka pasur momente pendimi. Ka pasur momente zënkash që ndodhin në çdo çift normal. Kemi pasur edhe momente që i kam thënë se do të jemi shokë, pavarësisht se brenda vetes ndieja për të.

Po tani ç’po ndodh me ju?

Po e shijojmë dashurinë tonë. Në dallim nga ambientet e shtëpsië, ku nuk mund të kishim privatësinë tonë, tani po e shijojmë njëri- tjetrin dhe s’kemi të ngopur. Jemi gjithë ditës bashkë. Bashkë zgjohemi, në të njëjtën orë, gjë që na vjen instiktivisht, e ndiejmë se është zgjuar njëri dhe zgjohet edhe tjetri. Pijmë kafen, bëjmë pazar, takohemi me mama Mondën, me mama Valen, me miqtë dhe familjarët tanë… Jemi si të pandarë nga njëri -tjetri.

Si tu duk mama Monda kur e njohe?

Si shpirt. Është zonjë grua. Ka ngjashmëri mes saj dhe Vales. Flas çdo gjë me të, kemi raport shumë të mirë, këshillohemi me njëra- tjetrën… Jemi si dy shoqe të mira.

Me Vlorën i mban lidhjet?

Kam shumë nostalgji për Vlorën. Aty kam lindur, kam kujtimet e mia të fëmijërisë në lagjen Çole. Në Vlorë kam bërë edhe shkollën e muzikës për piano. Nuk mund të harroj plazhin, kasatat dhe aranxhatat e asaj kohe, ndonëse nuk i gjej më si atëherë. Çdo behar shkoj në Vlorë, kështu kam bërë gjithmonë, nuk e filloja asnjëherë turin e Shqipërisë pa shkuar në Vlorë, ku kam akoma shtëpinë ku jam rritur.

Ke nisur studimet për piano dhe vazhdon skenografi…

Në Romë kam bërë Konservatorin për piano në Santa Cicilia. Por njëkohësisht edhe Institutin e Arteve Roma 2 për dekoracion religjoz (vetrata, mozaikë, etj). Vitet efundit kam jetuar në Firence duke frekuentuar Akademinë e Arteve të bukura për skenografi. Kam eksperienca shumë të mira në Itali. Adoleshencën e kam kaluar aty, edhe unë si çdo adoleshente, duke ndryshuar look, me preferenca  muzikore nga më të ndryshmet, me ide “revolucionare”, pasi “doja të ndryshoja botën”…

Kush është më artist në shpirt, ti apo Seldi?

Çdo njeri ka ndjesinë e artistit, kush dominon më shumë e kush më pak. Ne jemi të dy. Unë e pasqyroj në ngjyrat, penelin, veshjen time, ose duke i rënë pianos. Seldi e pasqyron në muzikë, me lëvizjet, etj. Shpirti artistik na ka lidhur më shumë dhe padyshim kjo është një gjë që na bën të kuptohemi më mirë.

Do doje që Seldi të bëhej këngëtar i famshëm?
Për mua, kur këndon, ai është një këngëtar i famshëm. Tani që e kam njohur nga afër, kam konstatuar që jo vetëm është i lindur për muzikë, por i vibron trupi kur dëgjon ose këndon muzikë.

Po nëse një ditë do të bëhej i famshëm dhe do të kishte shumë femra rreth e qark? Do të ishe xheloze?

Absolutisht jo, sepse është njëlloj sikur të më pyesje mua, nëse unë do të punoja me një kostumograf apo regjisor?! Kjo është pjesë e punës. Uroj që Seldi t’ia arrijë sa më shpejt që të bëhet i famshëm.

Cila gjë e jote bezdis Seldin më shumë?

Kur meditohem.

Po ty tek Seldi?

Kur ha thonjtë. I hante që në shtëpi, por tani i ha më pak.

Është “dashnor” i mirë Seldi?

Dashnor në krevat?!(qesh) Është unik. Ashtu siç bën edhe çdo gjë tjetër me ndjenjë.

Ke vendosur të qëndrosh në Shqipëri?

Kam shumë plane, por po shikoj për më tej. Këtë verë do bëj pushime dhe akoma nuk jemi përqëndruar në gjëra konkrete.

Cila është gjëja që të prek më shumë?

Kur shikoj Valen të mërzitur, thjesht kur e shoh se i mungon buzëqeshja. Sepse atë kam unë, motër, nënë, baba, vëlla. Ajo më prek….

Nëse sheh një yll që bie dhe thua një dëshirë, cila është ajo?

Që ai ylli të zbriste në tokë, të më merrte për dore dhe të më shoqëronte në një udhëtim në të gjithë galaktikën.

Domenika Caushaj

Ditëlindja: 28 10 1985, Akrepi

Vendlindja: Vlorë

Vebdbanim: Vlorë Tiranë,

Hobi: noti, kënga, stilimi