Pamela Zyferi, konkurrente në Big Brother 3, pas daljes nga shtëpia tregon pse dështoi aventura e saj.
Zhgënjimet dhe të papriturat brenda shtëpisë dhe planet për jetën reale. Mendon se një ofertë në fushën e modës do të ishte idealja çfarë ajo pret të marrë tani që ka edhe famën.

Nga Arjan Konomi

Pak kush do ta besonte që Pamela, modelja konkurrente në shtëpinë e Big Brother 3, do ta përfundonte kaq shpejt aventurën e saj.
Ka rifituar ritmin e humbur të ditëve, është shmallur me familjarët dhe miqtë, ka takuar njerëz të njohur e të panjohur dhe sigurisht, ka gjetur pak kohë, sa për t’i hedhur një sy ekranit e për të parë se si loja vazhdon. Tani që i ka njohur nga brenda banorët e shtëpisë, e kupton fare mirë se kush shtiret dhe kush jo. Mbase edhe të parashikojë se, cili do të shkojë deri në fund.
Tre javët e qëndrimit në shtëpinë e Big Brother, nuk rezultuan aq fatsjellëse për vajzën që hyri në lojë me asin poshtë mëngës, pasi ajo kishte gjithçka që duhej për të luajtur këtë lojë: ishte një vajzë e bukur, e zgjuar, pa komplekse, spontane, me eksperiencë në botën e spektaklit, një vajzë “blloku” që padyshim do të gjente përkrahës të shumtë, të cilët do ta mbështesnin gjatë qëndrimit të saj në shtëpi. “Jam tip i qetë dhe pa komplekse do të deklaronte gjatë audicionit. Përshtatem kollaj dhe në këtë lojë dua të provoj personalitetin tim”. Por gjërat nuk rrodhën aspak kështu. Pami diku gaboi dhe tani e sheh veten jashtë dyerve të shtëpisë së Big Brother 3. E gjitha kjo kur spektakli ishte vetëm në javën e tij të tretë. Por, çfarë ka ndodhur që Pami nuk mundi të përmbushte lojën e saj? Cilat rrethana provokuan daljen e saj të shpejtë nga shtëpia?
Tani që Pami ka rifituar lirinë, por ka humbur shansin për 100 mijë lekë të reja, arrin të analizojë situatën nga jashtë dhe të kuptojë gabimet. Pasi jo gjithçka është si duket. Ajo ka kuptuar se, nëse aty brenda, ndryshe nga ç’pritej prej publikut, u tregua një vajzë pak aktive dhe luftarake, në të vërtetë ajo është një vajzë që e di se çfarë kërkon dhe di të luftojë për ta pasur atë. Kjo është Pami e vërtetë!

Çfarë të shtyu të hysh në  Big Brother 3?
Dëshira për të provuar një eksperiencë të re, për t’u përballur me këtë lloj sfide, për të ndjerë emocione të forta…. Këta janë disa nga arsyet që më shtynë të hyja, por më kryesorja ka lindur kur kam lexuar këto vargje:
Dalngadalë vdes ai që bëhet skllav i zakonit,
Që përsërit të njëjtat gjëra çdo ditë,
Që nuk ndryshon rrugë,
Që nuk rrezikon,
Dalëngadalë vdes ai që nuk përmbys tryezën,
Që është i pakënaqur nga puna,
Që nuk rrezikon sigurinë nga pasiguria për të ndjekur një ëndërr,
Që nuk i lejon vetes asnjëherë në jetë të thyejë rregullat e vendosura.

Pra, kjo poezi paska qenë një lloj shtyse. Në të vërtetë ty të pëlqen bota e spektaklit?
Gjithmonë më ka tërhequr bota e spektaklit. Kam qenë 14 vjeç kur kam filluar të marr pjesë për herë të parë në spektakle të ndryshme televizive, përfshirë konkurset e bukurisë, si brenda dhe jashtë vendit. Fillimisht si modele e më pas kam provuar edhe në fushën e prezantimit.

Po familja të mbështeti në zgjedhjen tënde ?
Në fillim nuk e pritën mirë, duke më dhënë shumë arsye, sipas të cilave unë nuk po bëja zgjedhjen e duhur. Këto arsye kishin të bënin pikërisht me mentalitetin në të cilin jetojmë. Paragjykimet, komentet negative, ishin frika me e madhe e tyre. Por meqënëse ata panë që dëshira ime për të hyrë në Big Brother 3 ishte shumë e madhe dhe meqë ishin të sigurt që nuk do t’i zhgënjeja, ata më mbështetën në këtë nismë.

Si t’u dukën banorët?
Nuk ishte ajo që unë prisja nga karakteret e personazheve të përzgjedhur. Pjesa më e madhe e tyre, duke u bazuar në edicionet e kaluara, përpiqej të përdorte atë format loje që kishte rezultuar i suksesshëm. Duke humbur origjinalitetin dhe duke mos i lënë gjërat të rrjedhin natyrshëm, por duke krijuar situata aspak të vërteta për një reality show, siç është Big Brother.

Çfarë të pëlqeu?
Do t’i përgjigjesha kësaj pyetje duke përmendur ndonjë ambient të shtëpisë, por për fat të keq unë s’e shijova shtëpinë e re…(!) Ajo që ia vlen të përmend dhe që më pëlqeu në këtë eksperiencë ishin emocionet e shumta dhe të papërshkrueshme që kam përjetuar aty brenda.

Çfarë nuk të pëlqeu?
Ambienti dhe hipokrizia që mbizotëronte.

Cila ishte gjëja që do të ndryshoje po të ishe përsëri brenda ?
Që ditën e parë do të tregoja se kush isha, pa marrë parasysh se me kë kisha të bëja, sepse dëshira për t’i njohur në fillim më bëri pasive. Po i shtrove pllakat mirë që në fillim, ecën mirë mbi to… Nuk duhet të frenohesha nga bindja që disa gjëra nuk duhen thënë për të mos e bërë tjetrin të ndihej keq, aty nuk kishte vend për këtë lloj bindjeje.

Sa ndikonte në stresin, apo humorin, shtëpia e vjetër?
Kushtet primitive të asaj shtëpie më bënin nervoze, nuk ndihesha mirë me veten, pasi më mungonin gjërat më elementare.

Si t’u dukën banorët e rinj?
Banorët e rinj kanë avantazhin që e dinë se si funksionon loja aty brenda, prandaj edhe kanë hyrë me ide të sakta. Nuk është se i kam ndjekur shumë, por më duket që secili prej tyre po merr rolin që ka kërkuar brenda shtëpisë.

Çfarë nuk të pëlqeu tek vetja tani që i shikon nga jashtë?
Duhet të kisha qenë më shumë aktive ditët e para, është si ajo shprehja: “Puno për namin, se pastaj punon nami për ty”! Nuk më pëlqeu që isha shumë e drejtë, i thoja gjërat siç i mendoja dhe siç i ndieja.Tani që po i shikoj nga jashtë po shoh vetëm aktorë amatorë…

Cilët banorë mendon që do të shkojnë në finale?
Ata që janë të vërtetë aty brenda.

Njerëzit të njohin më shumë tani, si përballesh me ta?
Shumë njerëz më flasin në rrugë duke më bërë shumë komplimenta dhe duke më thënë që u vjen keq që u largova. Më vjen mirë që kam fituar kaq shumë simpati dhe u përgjigjem me mirësjellje. Përsa u përket komenteve negative, që nuk kishte si të mos ekzistonin, i përballoj me indiferentizëm, duke mos i marrë parasysh fare.

Je e dashuruar ?
Jo, fatmirësisht! (qesh)

Çfarë vlerëson tek një djalë më shumë?
Karakterin e fortë, sensin e humorit.

Si mendon se duhet të jetë personi i jetës tënde?
Duhet të jetë dikush që do të dijë të më vleresojë për ato gjëra që dua unë të vlerësohem, dikush që do të më kuptojë dhe do të më bëjë të ndihem mirë. Nuk po shtoj më shumë se do të duhej një faqe reviste për përgjigjen time. (qesh)

Të pëlqen të jesh ti që zgjedh, apo të të zgjedhin?
Ka raste që jam unë ajo që zgjedh, sepse jo gjithmonë ndodh të njohësh personat që ti dëshiron. Por më shumë më pëlqen kur me zgjedhin, ata që dhe unë dua që të më zgjedhin!

Sa rëndësi i kushton paraqitjes?
I kushtoj shumë rëndësi, dua të ndihem gjithmonë mirë me veten dhe të jem gjatë gjithë kohës në formë.

Sportin vazhdon ta kesh hobi?
Të them të drejtën ka kaluar kohë që jam shkëputur nga sporti. Sportin e kam pasur gjithmonë një hobi, por më ka munguar koha për ta ushtruar. Në momentin që do të filloj ta organizoj jetën time në mënyrën e duhur, besoj se sporti do të zërë një vend shumë të rëndësishëm.

Çfarë interesi tjetër ke për kohën e lirë?
Më pëlqen të ndjek aktivitetet e ndryshme kulturore, për të thyer rutinën e kafeneve që zë pjesën më të madhe të kohës së lirë. Ndër më të preferuarat për mua ngelet kinemaja, pasi unë jam shumë e apasionuar pas filmave.

Po me miqtë çfarë marrëdhëniesh ke?
Miqtë që dua të kem rreth vetes, kërkoj që të jenë të sinqertë dhe të besueshëm. Për këtë arsye me miqtë kam marrëdhënie shumë të mira.

Vazhdon ta frekuentosh jetën e natës?
Po, e frekuentoj njësoj si më parë. Më pëlqen të dal dhe të argëtohem me shoqërinë në vendet e mia të preferuara, e shoh si një variacion për të kaluar një fundjavë sa më të këndshme këtu në Tiranë.

Ku do të pëlqente t’i kaloje pushimet?
Do të më pëlqente t’i kaloja në ndonjë ishull tropikal, ku atmosferës relaksuese të plazhit, t’i bashkangjitej edhe atmosfera e zhurmshme e natës, Ibiza s’do të ishte keq! (qesh)

Çfarë pune dëshiron të fillosh?
Duke qenë se unë kam qenë pjesë e fushës së modës për shumë kohë, do të më pëlqente një punë që do të më krijonte mundësinë të isha sërish afër pasionit tim, por në një formë tjetër, jo si modele. Unë u besoj shumë shijeve të mia. Nëqoftëse më parë më kanë përzgjedhur, besoj se tani e kam eksperiencën e duhur që të jem unë ajo që përzgjedh.

Një vajzë e bukur si ti e ka me të lehtë, apo më të vështirë për të gjetur një punë?
Mendoj se e ka më të lehtë për të gjetur një punë dhe më të vështirë për ta mbajtur atë. Paraqitja e jashtme them se ka avantazh, deri në momentin që të jep shansin të tregosh aftësitë e tua. Them që është e vështirë për të mbajtur një punë, sepse paragjykimi sipas të cilit një vajzë e bukur mbetet vetëm brenda kësaj kornize, të bën të përpiqesh në maksimum dhe të mos bësh gabimin më të vogël, për të luftuar këtë lloj bindjeje.

Cila është dëshira më e madhe që ke në këtë moment?
Të largohem për disa ditë pushimi larg Shqipërisë për një pushim të plotë dhe për të marrë energjitë e mjaftueshme, që do të më ndihmojnë të vazhdoj më tej, në mënyrën më të suksesshme.

Pamela Zyferi, 23 vjeç, konkurrente e Big Brother 3, e eliminuara e dytë e spektaklit.

Pamela ka origjinë nga Korça por jeton në Tiranë. Ajo është diplomuar për Punë Sociale, ndërkohë që është në pritje të një oferte punësimi. Do t’i pëlqente që kjo ofertë t’i vinte nga fusha e modës, pasi ajo është marrë me modë, konkurse bukurie dhe ka bërë disa shërbime fotografike.

Jeton me prindërit dhe vëllain më të vogël. Me nënën konsumon gjithçka, kurse me babain më pak. Kur vjen darka dhe ajo duhet të dalë, është mami ajo që e merr babain me të mira.

Pamela është një vajzë tipike kryeqyteti. Ditën e sheh sportive dhe të angazhuar me punë, kurse mbrëmjeve është gjithnjë elegante, me look më të kuruar, e trukuar dhe gati për të bërë qejf. Mbrëmjeve i pëlqen të shijojë një gotë verë me miqtë, kurse fundjavat i kalon nëpër pub-e.

Nuk i mungon kurrë vëmendja e meshkujve. Momentalisht po shijon beqarinë.