Ditët me diell kanë ardhur përfundimisht. Çdo vajzë duhet të ndryshojë gardërobën e saj duke filluar me fustanet, pantallonat e shkurtra, çantën, sandalet e sheshta dhe pa harruar syzet. Ja se cilat janë modelet e këtij sezoni

Është koha për të bërë ndryshimet e mëdha në gardërobën tuaj. Filloni me fustanet, pantallonat treçerekëshe ose të shkurtra, bluzet me ngjyra, fundet e deri te të brendshmet, çantat dhe aksesorët shoqërues.

Çdo detaj ka rëndësinë e vet, sepse në ditët me diell çdo gjë është e ekspozuar dhe ngjyrat bien më tepër në sy. Eksperimentoni me ngjyrat e ëmbla të pranverës dhe kujdes në përzgjedhjen e çantës,

e cila duhet të ketë ngjyrë të hapur dhe të përshtatshme për të përmbushur kombinimin neutral apo njëngjyrësh.

Sandale ose pupa

Për ato që dëshirojnë të duken seksi me këpucë pa takë, trendet e pranverës vijojnë edhe këtë vit me sandale të sheshta, ose pupa të cilat vijnë në ngjyra të ndryshme.

Ashtu si këpucët me taka të larta, edhe këtë sezon mbizotërojnë ngjyrat dhe modelet e ndryshme. Sandalet e sheshta janë po aq trendy dhe elegante sa ato të lartat.

Madje duken bukur jo vetëm në trupat e gjatë, por dhe ato mesatarë. Për në punë apo për në plazh apo për një kafe në qytet, sandalet pa taka janë më komode për të lëvizur shpejt e për t’u ndier mirë.

Kujdes me reçipetat!

Reçipetat me ngjyrë përdorini nën këmishë apo bluzë. Në vend të ngjyrës së bardhë, të zezë, zgjidhni ngjyra që dhe nëse do të dilnin në pah të duken bukur e të kombinueshme.

Zgjidhni ngjyrat e çelura si të verdhë apo e kaltër e mbyllur. Mos përdorni ato me ngjyra të kuqe apo ndonjë ngjyrë të errët, nëse keni veshur ndonjë fustan të hapur. Nuk do të ngjanit aspak në modë, e për më tepër estetike.

Fustanet

Për sa i përket fustaneve hiqni dorë menjëherë nga ngjyrat e errëta. Jemi në pranverë ndaj sugjerohen vetëm ngjyrat e hapura. Fustane kryesisht të shkurtër ngjyrë blu, bojëqielli, të bardhë apo ngjyrë pjepri.

Janë ngjyrat e preferuara të sezonit dhe mbeten hit i pistave të modës. Kombinimi i tyre me sandale me taka apo dhe me pupa do të ishte një veshje e këndshme për një paradite apo mbrëmje festive.

E bardha, ngjyra ekskluzive  

Një nga ngjyrat më të sugjeruara për këtë

verë dhe pranverë është ekskluzivisht e bardha. Është ngjyra e freskët e cila shihet jo vetëm në modele të ndryshme fustanesh por pantallonash apo kombinime kostumesh.

Një prej tyre është Gianfranco Ferre i cili i kushton shumë vëmendje linjës dhe dëshirës së çdo gruaje që të jetë tërheqëse, njëkohësisht e fortë, dhe e pavarur.

Është një prej dizajnerëve të modës botërore të cilët e kuptojnë mirë gruan dhe shijen e saj. Si në koleksionet e tjera të këtij dizajneri, vërehet qasja serioze për materialet që zgjedh. Ato duhet të jenë gjithmonë të shtrenjta dhe të veçanta.

Kësaj radhe ai ka zgjedhur të bardhën dhe nuancat e saj si përfaqësuesen më të denjë për këtë sezon.

Syzet e diellit

Syzet e diellit këtë sezon vijnë të larmishme, por ato që dominojnë janë ato me ngjyrë portokalli apo vjollcë që japin freski në pamjen tuaj. Edhe syzet në formën e maces vazhdojnë të jenë në modë, ndaj mos hiqni dorë prej tyre.

Preferohen të bardha ose të zeza. Por gjatë zgjedhjes së tyre bëni kujdes, kornizat nuk duhet të jenë shumë të mëdha pasi nuk do të përshtateshin me çdo lloj fytyre.